Ballina Kronika Sekuestrimi i mbi 11 mijë dozave ekstazi/ Policia: Droga transportohej me autobusët...

Sekuestrimi i mbi 11 mijë dozave ekstazi/ Policia: Droga transportohej me autobusët Prishtinë-Tiranë, në qytete shpërndahej me makina me qira

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka dhënë detaje nga operacioni i koduar “PUNISHER 2”, ku u sekuestruan mijëra doza drogë ekstazi dhe ranë në pranga pesë persona, dy prej të cilëve shqiptarë të Kosovës.

“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë hetimit, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “PUNISHER 2”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga shtetasit:
Mithat Ramadani 30 vjeç, Besnik Mujeci, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picari, 24 vjeç, Ambra Myftari 28 vjeçe, dhe Daniel Avdija 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Shtetasit e arrestuar janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën me lëndë të dyshuar narkotike, prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusave Prishtinë-Tiranë.

Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me autovetura të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish. Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci. Tabletat e ekstazisë MDMA, së bashku me një sasi lënde narkotike kanabis, një automjet, si dhe 5 aparate celulare, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.”, theksoi ai

@tn.lajmelokale
@tetovanews