Ballina Kronika Kush e “tradhtoi” Dritan Rexhepin

Kush e “tradhtoi” Dritan Rexhepin

I shumëkërkuari i policisë shqiptare Dritan Rexhepi, i cili u vu në pranga në Turqi, tentoi t’i arratisej policisë nga vila luksoze. Mediat vendase shkruajnë se pasi ka parë se ishte rrethuar nga forcat speciale turke, shqiptari ka tentuar të arratiset me një automjet të cilit i ishin hequr targat duke kaluar në pjesën e shtëpisë që të çon në garazh.

Ai kishte me vete edhe një armë pa leje dhe u përpoq t’u rezistonte ekipeve që e ndaluan, u kap para se të hipte në automjet. Gjatë kontrollit në adresë, përveç pistoletës u sekuestruan edhe 2 karikatorë, 13 fishekë, 16 karta SIM, 12 celularë, 2 laptopë dhe 4 USB. Ai ka hyrë në Turqi më 24 shtator me një identitet të rremë.

44-vjeçari konsiderohej si shqiptari më i kërkuar në botë për një seri krimesh, deri edhe përfshirje në vrasje, por kryesisht për trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Europë. Rexhepi kishte hyrë në Turqi me një pasaportë kolumbiane, nën emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Policia shqiptare bëri të ditur se Zyra Qendrore e Interpol Tiranës dhe institucionet e drejtësisë, kanë nisur menjëherë procedurat për ekstradimin e tij.

Ilir Kulla tha në emisionin “Zonë e lirë” se Rexhepi ndiqej prej vitesh nga autoritetet italiane. Ai tha se këto autoritete e kanë vëzhguar prej vitesh dhe se kanë e gjetur nëpërmjet fëmijëve.

“Dritan Rexhepi është arrestuar në Stamboll. Kishte një vit që ishte spostuar atje me familjen. Është nga fshatrat e Vlorës, emrin e vet e ka Gramoz, e ka emër të ndryshuar. Para se të shkonte në Turqi, ka qenë në Kolumbi. Është martuar me një zonjë nga Kolumbia që është ndaluar edhe mbrëmë. Ka dy fëmijë.

Operacionin e kanë bërë turqit, por gjithçka e kanë organizuar italianët. Ata kanë ditur lidhjen e tij dhe se kishte dy fëmijë dhe kanë ndjekur fëmijët. Ata kanë ndjekur fëmijët, dhe kjo ka qenë ndër arsyet që u zbulua dhe gabimi që është bërë nga Rexhepi” – tha Kulla.

Rexhepi ka një histori të pasur kriminale që nga fundvitet ’90 në Shqipëri, ku ai rezulton të jetë autori i vrasjes së dy punonjësve të policisë në Fushë Krujë në 1998. Ai do të arrestohej më pas në vitin 2006, por do të arratisej në mënyrë të çuditshme nga komisariati i Durrësit kur ishte duke kryer procedurat e marrjes në pyetje.

Ai do të shpallej në kërkim ndërkombëtar, dhe në vitin 2013, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e dënoi me 25 vjet burgim, për “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vitin 2015, Gjykata e Shkallës së Parë Fier, e dënoi me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese.

Ndërkohë, Rexhepi kishte ngritur një rrjet të tërë të trafikut të kokainës, dhe ishte arrestuar dy herë të tjera në Europë, si nga një burg në Itali ashtu dhe nga një tjetër në Belgjikë. Në 2014 ai u arrestua në Ekuador, si pjesë e një operacion të gjerë antidrogë. Mediat thonë se ai përdorte celular edhe në burg. Ai u dënua me 13 vite burg në 2015, por në nëntor të 2021 u la i lirë nën mbikëqyrje.

Nga Ekuadori, dyshohet se ai urdhëroi në dhjetor të vitit 2019, rrëmbimin dhe më pas ekzekutimin e Jan Prengës, si hakmarrje ndaj vëllait të këtij të fundit, të cilin Rexhepi e konsideronte përgjegjës për zhdukjen e një sasie shumë të madhe kokaine në Angli.

Dritan Rexhepi konsiderohet si drejtuesi i një karteli droge me emrin “Kompania Bello” që përbëhej nga 14 organizata shqiptare. Në vitin 2020, Europol njoftoi pas operacionit policor “Los Blancos” të zhvilluar në 10 shtete europiane se karteli mund të quhej i shkatërruar. ©LAPSI.al

Kartela kriminale e Dritan Rexhepit, llogaritë e tij të hapura me drejtësinë e 4 shteteve

Teksa Dritan Rexhepi u arrestua në Stamboll, pasi ishte në kërkim ndërsa ishte personazh i vendosur në ‘kodin e kuq’ ndërkombëtarisht, do të duhet të japë llogari për disa krime me 4 shtete.

I shumëkërkuari në Shqipëri, Rexhepi ishte i shpallur në kërkim për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës dhe trafik droge. Kërkohej edhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe për trafikun e kokainës.

Ministri turk i Punëve të Brendshme Ali Yerlikaya tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

I shtrirë përtokë gjatë arrestimit, bosit të drogës iu gjetën edhe shuma eurosh dhe bizhuteri floriri dhe ora të shtrenjta.

Në Belgjikë, Holandë, Mbretëri e Bashkuar dhe në vendet e Amerikës Latine njihet si kreu i një prej grupeve të rrezikshme të trafikut të kokainës drejt Europës.

Dritan Rexhepi (me shumë emra) në Shqipëri rezulton i dënuar në mungesë me 25 vite burgim, për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1998. Hera e fundit që rezulton se ai ka hyrë në Shqipëri, është data 16 nëntor 2013, nga pika e kalimit Kufitar në Kakavijë, ku ka përdorur një pasaportë me emrin Lulzim Murataj. Rexhepi, njihet si mjeshtri i arratisjeve nga burgu.

Dritan Rexhepi akuzohet në Shqipëri se porositi rrëmbimin e Jan Prengës. Babai i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba-këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën të fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike. SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.

Sipas hetimeve, Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste Rexhepit e Funiqit, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.

Dritan Rexhepi i ka hyrë botës së krimit në një moshë të re. Ai u arrestua disa vite më parë pasi kërcënonte një nga prokurorët e asaj kohe, pasi po hetohej për dy vrasje në Krujë. Ai nuk konsiderohej kaq i rrezikshëm por ishte një student i Juridikut, i ardhur nga Vlora. Pasi u arratis nga paraburgimi, ai do të shënderrohej si një ndër personazhet e botës së krimit. Ai është regjistruar me emër të rremë në Ekuador. Ai u dënua nga Ekuadori dhe u lirua më kusht. Po ashtu ai kërkohet dhe nga Italia për një seri krimesh dhe të ashtuquajturën kompania Bello. Ndërsa Turqia e akuzon për posedim të pasaportës false./BW

Profili nga Wall Street Journal/ Një narcos shqiptar si Dritan Rexhepi

Arrestimi i Dritan Rexhepit në Turqi është një goditje e fortë për krimin me origjinë nga Shqipëria. Rexhepi, që qëndron në krye të së ashtuquajturës “Kompania Bello” është në majë të një rrjeti të shpërndarjes së kokainës me ndikim në të gjithë Europën.

Ai u kap në Stamboll me pasaportë false me emrin Benjamin Omar Perez Garcia me nënshtetësi kolumbiane. Operacioni i forcave speciale turke ishte në bashkëpunim me policinë italiane.

Emri i Dritan Rexhepit u mitizua në media për shkak të arratisjeve të shumta dhe pasi u zbulua se nga burgu i Ekuadorit, vlonjati vazhdonte të drejtonte rrjetin e shpërndarjes së kokainës në disa vende europiane. Wall Street Journal i dedikoi një shkrim disa muaj më parë, pasi emri Rexhepi u arratis së fundmi nga burgu i Guajakil dhe ndërsa ishte kthyer në një shqetësim për autoritetet italine, që kishin zbuluar se furnizimi me kokainë në jug të Italisë vinte nga Holanda.

Shkrimi i plotë më poshtë:

FIRENCE, Itali—Policia këtu thotë se e gjurmoi një rrjet të përhapur që përmbyti Europën me kokainë tek një mbret i pamundur: një vrasës shqiptar i burgosur në Ekuador.

Operacioni shumëvjeçar ekspozoi sesi grupet e reja kriminale po përfitojnë nga globalizimi për ta kthyer Europën në një rivale të SHBA-së si tregu më i madh për kokainën, sipas DEA-s amerikane.

Policia thotë se shqiptari, Dritan Rexhepi, e merrte kokainën nga Kolumbia nga një shoku i tij i burgosur. Duke përdorur një celular të fshehur, ai organizoi dërgesa me vlerë qindra miliona dollarë në anije me kontejnerë në portet në Holandë, transferoi të ardhurat dhe urdhëroi sulme ndaj kundërshtarëve, duke përfshirë dy vrasje, sipas zyrtarëve italianë.

Rrugët e ngarkuara tregtare, kufijtë e hapur dhe komunikimet moderne të sigurta kanë ndihmuar grupe si i Rexhepit të nxisin etjen e Europës për kokainë. Operacioni për rrëzimin e rrjetit të tij, i udhëhequr nga Komisionerja e Policisë së Firences, Erminia Del Prete dhe që përfshin prokurorë dhe kolegë vendas në të gjithë Europën, ishte një sukses i dukshëm për autoritetet në kontinent, të cilët po luftojnë për të ndërprerë fluksin.

Pjesa më e madhe e dërgesave hyjnë në Europë përmes porteve komerciale të fshehura në kontejnerë që janë shumë të shumtë për t’u kontrolluar. Sapo del në breg, kokaina zhduket shpejt. Vendet e Bashkimit Europian kanë hequr kufijtë e brendshëm, por forcat e policisë mbeten kombëtare. Europol, agjencia policore e BE-së, është bërë një qendër thelbësore për bashkëpunim, por zyrtarët thonë se pengesat gjuhësore dhe burokratike mbeten dhe se atyre u duhen më shumë burime.

Janë shfaqur grupe të reja kriminale. Zyrtarët europianë thonë se rrjeti i zotit Rexhepi, i njohur si Kompania Bello, ishte një nga më të mëdhenjtë e lidhur me Shqipërinë, një vend i vogël ballkanik me një diasporë të madhe në Europë.

“Grupet shqiptare janë vërtet të forta,” thotë Francesco Messina, drejtor antikriminal i policisë së Shtetit të Italisë. “Ata kanë pushtuar tregun e [kokainës] aq shumë sa që tani janë ndër grupet më të forta kundër të cilave duhet të luftojmë.”

Hetimi gjashtëvjeçar përfundoi shtatorin e vitit të kaluar duke shënuar më shumë se 100 arrestime në 10 vende për trafik ndërkombëtar droge dhe sulme. Italia i ka kërkuar Ekuadorit ekstradimin e z. Rexhepi me akuzën e krijimit dhe drejtimit të një shoqate kriminale transnacionale të angazhuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Wall Street Journal: në gjurmët e narkos-it shqiptar Dritan Rexhepi,

Rexhepi, 41 vjeç, nuk mund të kontaktohej për koment. Avokati i tij në Ekuador u qëllua dhe u vra në prill. Një avokat që e ka përfaqësuar së fundmi në Shqipëri nuk pranoi të komentojë.

Autoritetet e burgut në Ekuador thanë se të burgosurit nuk kanë akses te celularët. Në praktikë, autoritetet njoftojnë rregullisht se kanë konfiskuar telefona, drogë dhe armë nga të burgosurit.

Të dhënat e ngritjes dhe rënies së grupit të Rexhepit bazohen në intervista me një gjysmë duzinë zyrtarësh të zbatimit të ligjit italianë dhe europianë, si dhe në dokumentet e gjykatës italiane.

Operacioni që futi në kurth Rexhpin filloi me një kontroll policor në Forence në vitin 2014.

Policia ndaloi disa shqiptarë që grindeshin për biznesin e prostitucionit dhe hetimet e mëtejshme zbuluan lidhje të mundshme me trafikun e drogës.

Gjatë një kontrolli apartamentesh, policia zbuloi një BlackBerry që përmbante 10 PIN, kode të lidhura me pajisje të tjera, por pa emra apo numra telefoni për të identifikuar pronarët e tyre.

Një gjykatës urdhëroi BlackBerry Ltd. të sigurojë akses në mesazhet e koduara të një PIN që ishte ende aktiv. Mesazhet zbuluan se një grup shqiptarësh sillnin kokainë nga Holanda për të furnizuar një grup të fuqishëm kriminal në jug të Italisë.

“Këtu e kuptuam se ata duhet të jenë një organizatë e madhe me tregun e vet,” thotë zonja Del Prete, një veterane policie 33-vjeçare e mësuar të përleshet kryesisht me tutorët vendas dhe shitësit e drogës.

Policia fitoi akses në më shumë PIN ndërsa vendet e tjera iu bashkuan hetimit, duke zbuluar se shqiptarët po përdornin Holandën si një qendër për të shpërndarë kokainën në të gjithë Europën.

Del Prete dhe katër kolegë të saj lexuan mesazhe nga e gjithë bota që mbërrinin pothuajse në kohë reale.

Ekipi i saj krijoi llogari të rreme në rrjetet sociale për të monitoruar profilet e të dyshuarve, duke përdorur “pëlqime” dhe komente në foto për t’i përshtatur ato me llogaritë e BlackBerry.

Në vitin 2016, ata e dinin se mbreti ishte në Ekuador, por nuk mund ta identifikonin atë. Më pas, të dhëna të çuditshme dolën nga bisedat e tij.

“Po dal për ajrosje”, shkroi ai në një mesazh. “Më duhet të fsheh telefonin tim,” tha ai në një tjetër.

Kur në një bisedë tjetër ai përmendi një dënim, zonja Del Prete thotë se ai ishte pas hekurave dhe policia shpejt e identifikoi Rexhepin.

Ai u formësua nga gjendja ekonomike dhe dhuna kriminale që pushtoi Shqipërinë në vitet 1990, pasi vendi doli nga sundimi komunist.

Në vitin 1999, kur ishte ende adoleshent, ai qëlloi me breshëri Kallashnikovi një polic në një local. Ai ishte paguar për atentatin dhe plumbat e tij vranë edhe dikë tjetër, sipas Arben Frashërit, një ish-prokuror i lartë shqiptar.

Policia e arrestoi Rexhepin vetëm në janar 2006 në kryeqytet, Tiranë.

Po atë mbrëmje, Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje pasi hapi me gisht një bravë me defekt dhe i tha një roje që policia kishte mbaruar punë me të. Një gjykatë më vonë e dënoi në mungesë për vrasje.

Ky ishte i pari nga tri arratisjet nga burgu pasi policia europiane e ndoqi në të gjithë kontinentin për trafik droge dhe akuza të tjera. Në Itali, ai sharroi hekurat e qelisë dhe u arratis. Në Belgjikë, ai shpëtoi duke u ngjitur mbi një mur.

Një reporter shqiptar vitin e kaluar publikoi atë që ai tha se ishte një intervistë me Rexhepin, në të cilën i dënuari tha se akuzat e rreme të vrasjes e kishin bërë atë të largohej nga vendi, duke I pamundësuar sigurimin e një pune legjitime në Europën Perëndimore dhe detyruar ti futej jetës së krimit dhe të drogës.

“Instinkti i mbijetesës më çoi në atë drejtim”, citohet të ketë thënë ai.

Herën tjetër që policia e kapi ai ishte në Ekuador në qershor 2014, në posedim të më shumë se 272 kg kokainë, sipas Interpolit, organizatës ndërkombëtare të policisë.

Në burg Rexhepi ishte aleat me një trafikant droge nga Ekuadori me lidhje me kartele të fuqishme në Kolumbi dhe Meksikë.

Kokaina dërgohej përtej Atlantikut me anije me kontejnerë, kryesisht në portet e Holandës, ku një anëtar i bandës kishte lidhje korruptive. Rreth 50 kg kokainë në ditë do të silleshin në breg, do të hidheshin në qendrat e magazinimit dhe përpunimit, më pas do të transportoheshin në Itali dhe tregje të tjera duke përdorur makina me shtresa të dyfishta.

Rexhepi kishte nën urdhra të drejtpërdrejtë një numër shqiptarësh në Ekuador, Holandë, Itali dhe Shqipëri dhe partnerë biznesi në pjesën më të madhe të Europës Perëndimore, të cilët kontrollonin kanalet e shpërndarjes së kokainës në të gjithë kontinentin.

Ndërsa grupi i Rexhepit u zgjerua, ai kërkoi të dallohej.

“Le të dalim në treg me emrin tonë”, i shkruante koordinatori i grupit në Itali Rexhepit në mars 2016. “Marka jonë ende nuk njihet”.

Rexhepi ia ktheu, duke propozuar emrin Bello, apo e bukur. Tullat me kokainë të grupit u vulosën shpejt me këtë markë.

Shishet Metaxa te hetuesve pas cdo aksioni kunder Rexhepit

Rexhepi e drejtoi kompaninë Bello me karizëm dhe dhunë. Ai urdhëroi sulme dhe të paktën dy vrasje, një në Ekuador dhe një në Shqipëri, sipas policisë italiane. Bashkëpunëtorët e arrestuar refuzuan të flisnin, duke përmendur frikën e hakmarrjes ndaj familjeve të tyre, thotë zonja Del Prete.

Shqiptarët në vështirësi i drejtoheshin atij për ndihmë. Kur Rexhepi zbuloi se tre bashkatdhetarë ishin arratisur nga një burg i Romës në orën 3 të mëngjesit në fund të vitit 2016, ai organizoi një gomone për t’i marrë në bregdetin jugor të Italisë për t’i çuar në Shqipëri.

Rexhepi lëvizi para përtej Atlantikut duke përdorur sistemin kinez feiqian, ose paratë fluturuese, ku paratë e depozituara te një agjent në një vend mund të tërhiqen nga dikush në një vend tjetër, kryesisht pa lënë gjurmë. Ai gjithashtu kursente para në komisione duke përdorur korrierët e tij. Në qershor 2016, policia e Firences informoi kolegët ekuadorianë, të cilët kapën një korrier në aeroportin Guayaquil me 350,000 euro, të fshehura në anët e një valixheje.

Ekipi i zonjës Del Prete festonte çdo kapje parash dhe kokaine me një shishe Prosecco ose konjaku grek (Metaxa-shënim i Politiko). Rreth 20 shishe tani rrinë mbi një raft në zyrën e saj të vogël.

“Ishte një provë e madhe për ne,” thotë ajo. “Nuk kishim bërë diçka të tillë më parë këtu në Firence.”/ Wall Street Journal

 

@tn.lajmelokale
@tetovanews