Ballina Aktualitet Liderët e Lidhjes Europiane për Ndryshim në Berlin, zhvillojnë takime në Bundestagun...

Liderët e Lidhjes Europiane për Ndryshim në Berlin, zhvillojnë takime në Bundestagun gjerman (FOTO)

Një ditë pas tubimit të Ditës së Flamurit me ç’rast u firmos Deklarata e koalicionit, liderët e Lidhjes Europiane për Ndryshim, Afrim Gashi, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, kanë udhëtuar për në Berlin për të realizuar takime në Parlamentin gjerman.

Liderët e koalicionit zhvilluan takim me deputetë të grupit parlamentar të CDU-së, me zotëri Manfred Grund, zonjën Heike Brehmer dhe zonjën Anja Karliczek, ish ministre e Edukimit dhe Hulumtimit, si dhe me anëtarë të kabineteve të tyre. Takime të ngjashme u zhvilluan edhe me pjesëtarë të Dhomës Ekonomike Ndërkombëtare.

Në Bunderstag, fokusi i bisedave ishte thellimi i bashkëpunimit institucional dhe ndërpartiak midis grupit parlamentar të Lidhjes Europiane për Ndryshim dhe grupit parlamentar të CDU-së, në kuadër të paralamenteve përkatëse. Mirëpo vëmendje e veçantë iu kushtua temës së rritjes të numrit të turistëve gjermanë në Maqedoninë e Veriut dhe tërheqjes së investitorëve gjermanë. Delegacioni i Lidhjes Europiane për Ndryshim prezantoi detajet e mundësive ligjore, zhvillimore dhe infrastrukturore të vendit, duke theksuar potencialin e tij.

Në veçanti, u theksua nevoja për të prezantuar para audiencës gjermane mundësitë konkrete dhe avantazhet që Maqedonia e Veriut ofron për investime. Delegacioni fokusoi diskutimin rreth sektorit e turizmit, hotelierisë, gastronomisë, pa anashkaluar edhe sektorët tjerë, duke përmendur mundësinë e shfrytëzimit të fondeve të Bashkimit Evropian për përmirësimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve turistike. Pjesëmarrësit në takim shfaqën një interes serioz dhe gatishmëri për të bashkëpunuar në përmirësimin e investimeve gjermane, veçanërisht në fushën e turizmit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews