Ballina Kronika Nënkomisari i policisë së Durrësit vret veten brenda komisariatit (VIDEO)

Nënkomisari i policisë së Durrësit vret veten brenda komisariatit (VIDEO)

Pas pezullimit takoi kolegët e miqtë dhe më pas u vetëvra me armën e shërbimit, detajet tronditëse nga ngjarja në komisariatin e Durrësit

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Durrës pasditen e sotme. Burime për A2CNN bëjnë me dije se nën/komisari i policisë së Durrësit, Arben Pjeçi i ka dhënë fund jetës, duke përdorur armën e shërbimit.

Ngjarja ka ndodhur në ambientet e komisariatit të policisë së Durrësit. Pjeçi prej disa ditësh ishte në gjendje të rënduar psikologjike, gjendje kjo e ndikuar nga një vendim për pezullimin e tij nga detyra për një afat të shkurtër kohor.

Lidhur me vetëvrasjen brenda ambienteve të komisariatit, ka reaguar edhe policia e Durrësit, që sqaron se ishin vendosur në kërkim të tij pas një njoftimi të familjareve, se oficeri kishte humbur gjurmët.

Në njoftim bëhet me dije se trupi i pajetë i Pjeçit është gjetur në zyrën e tij të punës, e cila është dashur të hapet me forcë, pasi ishte kyçur nga brenda para se të ndërmerrte aktin ekstrem.

“Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat. Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit.

Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi. Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.”

Ndërkohë sa i përket vendimit që kishte çuar në pezullimin e tij nga detyra, policia e Durrësit sqaron: “Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal. Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.”

“Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës”, shtohet më tej.

Sakaq, për këtë ngjarje të rëndë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, ndërsa është njoftuar dhe AMP për të kryer veprimet përkatëse.

@tn.lajmelokale
@tetovanews