Ballina Aktualitet Maqedoni e Veriut, kreu i ASH-së Taravari pro koalicionit me partitë e...

Maqedoni e Veriut, kreu i ASH-së Taravari pro koalicionit me partitë e opozitës shqiptare, reagimet brenda partisë

Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë. Ai e bëri njoftimin në rrjetet sociale, duke nxitur debate tek një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, por dhe mbështetje nga ana tjetër, tek përkrahësit e tij.

Zoti Taravari u bën thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesë atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur”. Duke shpjeguar motivin për t’iu bashkuar koalicionit opozitar, ai shkruan se ka zgjedhur “të dëgjojë zërin e popullit që sot flet më qartë se kurrë”. “Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, sipas zortit Taravari.

Ai doli me këtë vendim të papritur pak ditë pas një takimi të përbashkët në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive të opozitës shqiptare (Lëvizja Evropiane për Ndryshim – LEN) nga Maqedonia e Veriut. Drejtuesit e partive Besa, Alternativa dhe Lëvizja Demokratitke që përbëjnë koalicionin LEN, i kishin ofruar atij të kandidonte për garën presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit (raundi i dytë), por kreu i ASH-së i tha medias se nuk ishte i interesuar. Aktualisht ai është edhe kryetar i Komunës së Gostivarit. Vendimi i tij po ashtu pasoi takimin e një dite më parë me partnerët e koalicionit qeverisës, Dimitar Kovaçevski (LSDM) dhe Ali Ahmeti (BDI).

Ndërsa zoti Taravari kërkon besimin nga bashkëpartiakët e tij për të hyrë në garën zgjedhore së bashku me opozitën shqiptare, reagime të ashpra kanë ardhur nga eksponentë kryesorë të partisë. Ish-kryetari i ASH-së, tani Kryetar i Kuvendit Qendror të partisë, Ziadin Sela shkruan po ashtu në rrjetet sociale se nuk ishte i njoftuar për asnjë ofertë për koalicion me ndonjë parti tjetër politike, dhe se as struktura të tjera të partisë nuk ishin në dijeni për diçka të tillë.

“Individi, në këtë rast kryetari i partisë nuk është organ vendimarrës, ka të drejtë të propozojë në organ që ka të drejtë vendimmarrjeje, e kjo është Kryesia e Partisë, që për momentin e ka një vendim e ky është që Aleanca për Shqiptarët garon e vetme në zgjedhje. Organ tjetër vendimarrës është Kuvendi i Partisë. Tendencat e kontrabandimit të partisë për llogari të nuk e di kujt nëpërmjet një statusi në ‘facebook’ është shkelje e rëndë e Statutit të Partisë, për të cilën Kryetari i Partisë duhet të mbajë llogari përpara organeve të saj”, thekson zoti Sela.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës per Shqiptarët, Krenar Lloga, i cili është edhe Ministër i Drejtësisë, i kundërvihet propozimit të kreut te ASH-së. “Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qendrore, i cili është votuar njëzëri për të shkuar të vetëm në zgjedhje. I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbajë propozimin unanim të Kryesisë i cili është: Aleanca për shqiptarët të dalë e vetme në zgjedhjet parlamentare 2024!” thekson zoti Lloga.

Reagime kundërshtuerse kanë ardhur edhe nga një pjesë e ligjvënësve të ASH-së.

Ndërkohë, vendimi i zotit Taravari ka hasur në mbështetjen e drejtuesve të opozitës shqiptare. Fuqia qëndron në bashkim!”, shkruan në Facebook, Bilall Kasami i Lëvizjes Besa, sipër një fotografie nga takimi me kryeministrin Kurti dhe kolegët e tij nga Maqedonia e Veriut, përfshirë Arben Taravarin e ASH-së.

Edhe Afrim Gashi i “Alternativës” e përshëndet vendimin e zotit Taravari duke thënë se “ai e dëgjoi zërin e shqiptarëve dhe se më 8 maj vjen ndryshimi për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”.

Por, një pjesë e analistëve vlerësojnë se ndasitë brenda Aleancës për Shqiptarët për një çështje të rëndësishme siç janë zgjedhjet e pritshme, mund ta dëmtojnë seriozisht partinë.

Halil Snopçe mbështet Taravarin, shpërndan qëndrimin e tij në Facebook

Deputeti nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, mbështet qëndrimin e kreut të partisë, Arben Taravari, i cili sot njoftoi se është “pro” koalicionit me opozitën shqiptare.

Deputeti Elmi Aziri kundër Taravarit: I çuditshëm komunikimi i kryetarit nëpërmjet rrjeteve sociale

Deputeti Elmi Aziri kundër Taravarit: I çuditshëm komunikimi i kryetarit nëpërmjet rrjeteve sociale

Deputeti i ASH-së nga Kumanova, Elmi Aziri duket se mban qëndrimin e kryetarit të Kuvendit, Ziadin Sela, konkretisht kërkon të respektohet vendimi i Kryesisë Qendrore që ASH të shkojë e vetme në zgjedhje deri në një vendim tjetër të marrë pikërisht në mbledhjen e Kuvendot të partisë.

Në një postim në Facebook, deputeti Aziri akuzon kryetarin e partisë, Arben Taravari se po suspendon demokracinë dhe se në organet e partisë nuk ka ardhë asnjë propo,im tjetër pos asaj që është në fuqi – dalja të vetëm në zgjedhje!

Aliu nga ASH: Mbështesim plotësisht liderin tonë, politika është art i navigacionit të ndryshimeve

Reagime të shumta nga eksponentë të Aleancës për Shqiptarët në lidhje me publikimin e qëndrimit të kreut të partisë, Arben Taravari, që njoftoi se personalisht është “pro” koalicionit me opozitën shqiptare, përcjell TV21. Ka reaguar edhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, që vjen nga radhët e ASH-së, Azir Aliu. Ai shkruan se mbështet liderin e partisë.

Dauti për qëndrimin e Taravarit: Aq shumë keni folur për demokraci dhe kundër diktaturës, sonte bëre të kundërtën

Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti ka reaguar pasi kreu i partisë, Arben Taravari përmes një shkrimi në Facebook bëri të ditur qëndrimin e tij personal se është “pro” koalicionit me opozitën shqiptare, përcjell TV21. Dauti thotë se qëndrimi është dashur të tregohet në Kuvendin Qendror të partisë, ku edhe pritet të merret vendimi.

“JO, faleminderit! Lirinë e vendimarrjes së anëtarësisë nuk e këmbejmë me asgjë. Propozimet jepen në Kryesi dhe aty merren vendimet, pastaj nëse kalojnë aty i përcillen Kuvendit Qendror. I vetmi propozim që ka kaluar në Kryesi të cilin edhe vetë e keni votu është: Aleanca për Shqiptarët te dalë e vetme në zgjedhje. Aq shumë keni folur për demokraci dhe kundër diktaturës, sonte bëre të kundërtën. Ta ruajmë Aleancën për Shqiptarët dhe vlerat tona që i ndërtuam ndër vite”, ka shkruar Dauti.

Fatmir Mexhiti mbështet Taravarin, shpërndan qëndrimin e tij në Facebook

Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Fatmir Mexhiti mbështet qëndrimin e kreut të partisë, Arben Taravari, i cili sot shkroi që personalisht është “pro” koalicionit me opozitën shqiptare (LEN). Mexhiti në profilin e tij në Facebook, ka shpërndarë qëndrimin e Taravarit.

Lloga thirrje Kuvendit Qendror: Të respektohet vendimi i Kryesisë Qendrore, ASH të dalë e vetme në zgjedhje
Menjëherë pas thirrjes që kryetari i ASH-së, Arben Taravari i bëri Kuvendit Qendror, që në zgjedhje partia të shkojë me opozitën shqiptare, erdhi reagimi i Krenar Llogës, përcjell TV21. Lloga përmes një shkrimi në Facebook kërkon që Kuvendi Qendror të respektojë vendimin e Kryesisë Qendrore, respektivisht që ASH të dalë e vetme në zgjedhje.

“Duke u nisur nga interesimi mediatik dhe i anëtresisë së gjërë, dua tju bëj me dije se Aleanca për Shqiptarët nuk ka shqyrtuar asnjë kërkesë në organet e saj partiake, Këshillin Drejtues, Kryesinë Qëndrore dhe Kuvendin Qëndror në lidhje me koalicionet parazgjedhore. Në fuqi ka një vendim të Kryesisë Qëndrore, i cili është votuar UNANIMISHT për të shkuar të vetëm në zgjedhje. I bëj thirrje Kuvendit të ASH-së që të përmbaj propozimin unanim të Kryesisë i cili është: ALEANCA PËR SHQIPTARËT TË DALË E VETME NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE 2024!”, thuhet në reagimin e Llogës.

@tn.lajmelokale
@tetovanews