Ballina Aktualitet Opinione Shpresë për shqiptarët e Maqedonisë

Shpresë për shqiptarët e Maqedonisë

Nga Mersel Bilalli

Një herë një lolo i oborrit të kalifit të fuqishëm të Abasidës – Harun Al-Rashid, u pat ulur në fronin e kalifit. Rojet sa e panë iu vërsulën dhe gati sa nuk e bënë copë-copë: – “E kush të ka lejuar ty lolo të ulesh këtu”? “Epo, ju duhet ta dini se që nga sot unë jam kalifi i Abasidës” – u përgjigj lolo. Pasoi një rrahje aq brutale sa piskamat lolos u dëgjuan edhe nga vetë Al-Rashid. “Pse po e rrihni lolon e gjorë”?! – pyeti ai rojet. “I madhi Kalif, ky thotë se që nga sot ai vetë do jetë Kalifi”. “E si nuk e keni ditur se lolos së oborrit i lejohet gjithçka të flet”- i qortoi rojet Rashid dhe i dëboi. Por, lolo i oborrit akoma më fort vazhdoi të qajë e ulërij! “E çfar ke tani”? – i bërtiti Rashid. “Lartëmadhëri – imagjinoni sa rrahje kam marrë vetëm për shkak të një gënjeshte nga ky vend. E sa dajak do merrnit ju që nga ky vend keni thënë mijëra gënjeshtrash!” – përfundoi lolo.

Në çdo oborr ka lolo, por te organizimi politik shqiptar në Maqedoni lolot kanë oborrin e vet. U pasuruan lolot duke u varfëruar një popull i tërë, i cili tani më ka lënë shtëpitë shkretë. Rinia masovisht ka lëshuar vendin, duke menduar se çdokund tjetër në botë do e ketë më mirë se në vendlindjen e vet! Politika e sëmurë, vendlindjen e popullit e ka shndërruar në spital kolektiv mendor. Kjo garniturë që 22 vjet udhëhoqi me fatin apo fatkeqësinë e popullit, çdogjë bëri pë vete dhe asgjë për popullin.

Ngritën piramidat e tyre kurse për popullin vetëm shkretëtirën.
Politika e gabuar ndër vite bëri që gjeneza shqiptare dukshëm të dëmtohet. Shumë të ri të aftë u larguan, kurse vetëm do servilë partiakë u avansuan. Kjo vrau shpresën për një shoqëri të shëndoshë e të përparuar. U kultivua kultura e mosdijes, e egoizmit, e keqpërdomeve dhe e korruptimit.

Ndodhi dindja e ekzodit që do shënohet në një histori të zezë të këtij populli. Mbi 300 mijë të rinj kanë lëshuar vendin duke krijuar mjerim masiv familjar. Trishtuese janë analizat e demografëve se në pjesën veri-perëndimore të shtetit shpërngulja e popullatës së re shqiptare që moti ka kaluar gjysmën (në rajonin e Strugës 59%, të Zajazit 63%, të Pollogut 64%, të Sarajit 33%, të Shkupit 28%, të Likovës 66%. Kjo është tmerr i paparë ndër shekuj! Por, çdo gjë ka pikën e vlimit, të cilën tentojnë ta mbulojnë me një truk të radhës – “kryeministri i parë shqiptar”, që në esencë është një mashtrim që tanimë nuk shitet. Krijohen mjegulla të zeza që të shpëtohen do ujqi të zi. Pushtetit kjo i konvenonte sepse ma mirë e ka të pasuroj një grusht keqpërdoruesish në këmbim të ekzodit etnik shqiptar. Këso keqpërdorimeve edhe avokati i djallit mund t’ua ketë zilinë.

Në shtëpi të mëdha të ndërtuar nga gurbetqarë, tani jetojnë do pleqë që s’dinë ç’të bëjnë me vetveten. Duket se çdo oborr diku në botë ka një lolo të vet, kurse këtu te ne në Maqedoni lolot kanë oborrin e vet. Ata bënë që dikush të bëjë një jetë ëndërrash, kurse për gjithë tjerët jeta mbetet ëndërr. Gënjyen, mashtruan dhe shkatërruan dhe tani ekzodin e shpallin si “modë ballkanike”. E si ndodhi që shpiptarët e Maqedonisë të kenë shpërngulje tri herë mbi mesataren e Ballkanit perëndimor?! Ikën sepse s’duan gjykata mashtruese, prokurorë mashtrues, ligje mashtruese, media mashtruese, drejtësi mashtruese, jetë mashtuese. Jetë me frikë për gjithçka!

Duhej të dilte një Kurti, që kësaj tragjedie t’i dilte ballë dhe t’ua përkojtonte se gjithçka ka fundin e vet. Ai ua bëri me dije njerëzve se nëse nuk dini se ku shkoni, të gjitha rrugë çojnë në atë drejtim. Në të kaluarën sikur u bë praktikë që çkamos që premtohej në tokë, realizimet të mbeten në qiell. E më pas gjithçka të bjenë në ujë si të ndodh tenderi i parë. Dëshirat e ndezura të ndokujt që moti kanë shuar shpresat e shumkujt. Edhe para katër vitesh premtuan kryeministrin katërvjeçar që pastaj ta hudhin në deponë e gjërave të humbura. Na mësuan se përtej fundit paska edhe një fund tjetër.

Por, edhe kartat mashtruese e kanë fundin e vet. U harrua edhe “agjenda e gjelbërt”, e cila në fakt ishte tejet e zezë”. Iu pat ofrua ekologji e gjelbër popullit i cili tanimë shifte vetëm zi! Brukseli për vite ngulte këmbë për reforma thelbsore në ekonomi, arsim, gjyqësi, por amnestia ligjore e krimit ishte urinim mbi këte synime. Pushtetarët e këtushëm shqiptarë për dekada s’dinë se çka është zhvillimi ekonomik, a mu ajo i duhej popullit. Të gjitha investimet e jashtme shkuan në pjesën maqedonase të shtetit, kurse këndej vetëm lavdatat boshe. Tanimë më lehtë e kemi të shkojmë këmbë në Hënë se sa të ofrojmë vlera, të cilat tani duket se pak kujt mund t’ia ofrojmë. Shqiptaria këtu ka humbur logjikën e shpresës, sepse ajo është mësuar me të keqen. Ajo s’beson më në të mirën.

Të përkujtojmë para do vitesh, kjo garniturë shqiptare që sot lëvdohet me pushtet bosh, pat pranuar (në kohën e Gruevskit) që edhe shtimi i natalitetit të bëhet vetëm në pjesë maqedonase. Për fat pas dy vite këte turp e pat rrëzuar Gjykata kushtetuese me arsyetim se bëhej diskriminimi i rëndë mes fëmijve. Madje u pat pranuar edhe luani i VMRO-së si stemë shtetërore, që tani do ta kishim në çdo institucion, në çdo dokument zyrtar, në çdo uniformë policere e ushtarake, në çdo institucion. Por, falë mosvotimit të dy deputetëve shqiptarë që s’dëgjuan partinë e tyre kjo ra në ujë. Një liliput ordiner si Gruevski e patën shndërruar në polifem gjigant, kurse udhëhqësit shiptarë në vrimë të miut.

Më pas ndodhi Kumanova me qëllim që të shpëtohet mafia vendase. U krijua një mjegull e zezë për t’u fsheh punët e zeza!
E pakuptueshme është që aq vite në pushtet të mos të kihet ndjenje elementare se njerëzve u duhet zhvillim e punësim. Shumë ekspertë nga vendet që kanë zhvillim të hovshëm ekonomik thonë se me resurset ekzistuese në Maqedoni për disa vite mund të bëhet bum ekonomik, që do siguronte mirëqenie jo vetëm për popullatën ekzistuese, por edhe për kthim të asaj pjese që akoma s’ka lëshua rrënjët në Perëndim.

Por, akoma nga fjala “zhvillim” këtu nuk ekziston as germa “Zh”. Patriotizmat e rejshëm s’pinë më ujë këtu. Njerëzit që kanë mbetur nuk blejnë më mall të prishur në ambalazhim atraktiv. Jemi në prag të përmbytjeve të intrigave dhe mashtrimeve politike. Kaloi koha kur për dikend njerëzit besonin se ai person do kishte shpëtim për të sëmurit, sy për të verbërit, e shpirt për të vdekurit! Kurti, që këtu ndjehet si shpëtimtar duket se shumë mirë e di se çka duhet bërë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews