Ballina Aktualitet Kasami: Problemet kryesore të Tetovës i zgjidhëm, tani na pret zhvillimi/Gara për...

Kasami: Problemet kryesore të Tetovës i zgjidhëm, tani na pret zhvillimi/Gara për Tetovën është e pabarabartë, kundërkandidati nuk ka vizion

Kryetari aktual i Tetovës dhe kandidati për një mandat të dytë në krye të komunës, Bilall Kasami, në një intervistë për ZYRTARE.net ka theksuar se gjatë katër viteve të para ka arritur ta stabilizojë qytetin, ndërsa tani kërkon mbështetje për ta çuar drejt zhvillimit.

Në mandatin e parë arritëm Tetovën ta stabilizojmë dhe tani na duhet së paku edhe një mandat për ta zhvilluar. Kjo nuk është vetëm simbolike, por edhe praktike. Ne kemi përpiluar studime bazë për zgjidhjen e të gjitha problemeve themelore që ka një qytet, duke nisur nga furnizimi me ujë, mbeturinat, infrastruktura, shkollat dhe gjithçka që lidhet me një qytet evropian”, tha Kasami.

Ai shtoi se gjendja financiare e komunës është përmirësuar dukshëm dhe se Tetova është një nga rastet e rralla në vend që ka mbyllur vitin me suficit.

“Sot kemi një qytet të stabilizuar, një komunë që nga probleme shumë të mëdha financiare ka arritur vitin e kaluar të dalë me suficit prej 1 milion euro. Një komunë që realizon projekte pa ngecje dhe që ka zgjidhur probleme madhore me pastërtinë dhe furnizimin me ujë. Po ashtu, kemi përpiluar shumë strategji, përfshirë edhe atë të mobilitetit, e cila bashkë me planin urbanistik do të zgjidhë përgjithmonë problemin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, trafikut dhe parkingjeve”, theksoi Kasami.

Kasami: Gara për Tetovën është e pabarabartë, kundërkandidati nuk ka vizion

Kryetari aktual i Tetovës dhe kandidati për një mandat të dytë, Bilall Kasami, në një intervistë për ZYRTARE.net është pyetur për kundërkandidatin e tij nga radhët e AKI-së, Bajram Rexhepin.

“Nuk do të kisha dashur të jem i pa kulturuar, por situata në terren tregon që gara është e pabarabartë. Kundërkandidati im nuk ka vizionin e duhur, nuk ka kapacitetin dhe potencialin e nevojshëm. Kam përshtypjen që opozita ka nxjerrë kandidat vetëm sa për të qenë në garë dhe nuk ka dhënë maksimumin për të treguar një vizion të qartë për Tetovën”, tha Kasami.

Ai shtoi se opozita nuk ka qenë e gatshme të përballet me dështimet e mëparshme në menaxhimin e qytetit.

“Ata nuk ishin të gatshëm t’i pranonin dështimet që kishin me Tetovën para se unë të vija në krye të saj, të kërkonin falje dhe të ofronin një vizion të ri për qytetin”, u shpreh Kasami.

Kasami: Shumë shpejt do të bëhen publike listat e këshilltarëve të koalicionit VLEN

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka folur për ZYRTARE.net rreth listave të këshilltarëve komunal që do të garojnë nën koalicionin VLEN në zgjedhjet lokale.

“Janë bisedime që i shoh më shumë si teknike apo administrative, për të vendosur shpërndarjen e listave në nivel të degëve dhe komunave, në mënyrë që të përfshihet e gjithë territori në mënyrë adekuate. Jemi në fazë përfundimtare dhe besoj se shumë shpejt do të kemi zgjidhjen përfundimtare për listat me të cilat do të garojmë”, tha Kasami.

Ai nënvizoi se procesi është duke u finalizuar dhe se publikimi i listave do të ndodhë në kohën e duhur, duke respektuar të gjitha procedurat brenda koalicionit.

Kasami: Nga Struga në Likovë, presim fitore absolute në të gjitha komunat

Kryetari i Tetovës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Bilall Kasami, në një intervistë për ZYRTARE.net është shprehur i bindur se koalicioni i tyre do të dalë fitues në të gjitha komunat në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Patjetër që presim fitore në të gjitha komunat, nga Struga deri në Likovë, sepse ne si VLEN, për dallim nga opozita, nuk e kemi pasur hallin se si do t’i ndajmë komunat mes nesh. Në rastin e kandidatit në Strugë kemi dalë jashtë koalicionit dhe kemi përkrahur kandidatin e pavarur, pa e diskutuar orientimin e tij politik. Por edhe në komunat tjera nuk kemi bërë ndarje se cili kandidat i kujt është”, tha Kasami.

Sipas tij, kjo qasje është tregues i unitetit brenda koalicionit dhe vendosmërisë për të ofruar alternativa serioze për qytetarët në të gjitha komunat.