Ballina Aktualitet Nxënësit e Tekstiles në Tetovë do të transferohen në Reçicë të Vogël...

Nxënësit e Tekstiles në Tetovë do të transferohen në Reçicë të Vogël dhe do të ndjekin mësim online, e papranueshme për opozitën

Nxënësit e vitit të parë të Shkollës së Mesme Komunale “Gjoce Stojçeski” e njohur ndryshe si Shkolla Tekstile, do të transferohen në shkollën fillore “Besa” në Reçicë të Vogël, ndërsa vitet e tjera do të ndjekin mësimin online. Kjo për shkak të prishjes së objektit dhe ndërtimit të objektit të ri. Për opozitën ky veprim është i papranueshëm, shkruan Portalb.mk. 

Drejtori i Shkollës Tekstile, Muzafer Livoreka bëri të ditur se nga një shtatori, vetëm vitet e para do të jenë me prezencë fizike, ndërsa deri më 31 tetor vitet e dyta, treta dhe katërta do të jenë “online”.  

“Këto dy muaj ka disa hapësira që do i shndërrojmë në klasa dhe pas dy muajsh do të kemi aq klasa sa na nevojiten që një ndërrim të jenë vitet e para dhe të treta kurse të dytat “online” dhe do ketë rrotacion”, tha Livareka. 

Nazmi Dauti nga Komuna e Tetovës theksoi se vijojnë punimet për dy objektet e reja të Shkollës Tekstile dhe Gjimnazit “7 Marsi”. 

“Punimet shkojnë me dinamikën e duhur dhe po rrënohet objekti i vjetër dhe po bëhet tamponimi i bazamentit, me çka shpejtë do bëhet edhe hedhja e gurthemelit”, tha Dauti. 

Për opozitaren BDI, prishja e objektit nuk sjell asgjë tjetër përveç kaosit. Ata thonë se nuk ka plan të qartë se ku dhe si do të vijojë mësimi, nuk ka konsultim me ekspertët e arsimit, as me institucionet përgjegjëse.  

“Nxënësit janë të frikësuar, prindërit të hutuar, ndërsa mësimdhënësit me të drejtë kanë refuzuar idenë qesharake për zhvillimin e mësimit vetëm online. Një shkollë profesionale nuk mund të ekzistojë pa punëtori, laboratorë dhe mësim praktik, gjithçka që kjo qeverisje lokale po e injoron. Po aq shqetësuese është edhe tentativa për t’i zhvendosur nxënësit e kësaj shkolle në hapësirat e shkollës fillore “Besa”, duke i përzier pa ndarje fizike me fëmijët e shkollës fillore, gjë që është e papranueshme dhe kundër çdo standardi pedagogjik”, thanë nga BDI Tetovë. 

Kujtojmë që rënimi i objektit të Tekstiles filloi më 4 gusht 2025.

Objektet e reja të Gjimnazit “7 Marsi” dhe Shkollës së Mesme Tekstile “Gjoce Stojçevski” pritet të jenë gati brenda 18 muajsh. 

Shumica e mjeteve për këtë projekt janë siguruar nga Qeveria e RMV-së. 

Nga Komuna e Tetovës në janar sqaruan se ky projekt është projekti më i madh i kësaj thirrje në vlerë totale prej 5 milionë euro apo 308 milionë denarë e cila gjithashtu do të realizohet në dy faza ku për fazën e parë janë siguruar 148,540,166 den nga mjetet e Qeverisë për investime kapitale për komunat ndërsa 2,263,617denarë nga buxheti i Komunës së Tetovës.