Sekretari Organizativ i Aleancës për Shqiptarët, Gadaf Uzair, reagoi ndaj akuzave të fundit të VMRO-së. Ai i cilësoi ato si “korrupsione imagjinare” dhe duke demaskuar praktikën e VMRO-së në politikën e vendit, transmeton Portalb.mk.
“Ndërkohë që paturpësisht na akuzoni për korrupsione imagjinare, harroni gërmadhat e korrupsionit tuaj buzë e mes Vardarit, që nuk mund t’i mbulojë as lumi, as oqeani! Në vend që të merret me realitetin, VMRO mundohet të shpifë për mua dhe për Arben Taravarin, vetëm për të defokusuar temën”, tha Uzairi.
Ai i bëri thirrje kryeministri dhe funksionarëve pranë tij të përgjigjen a e ka bërë apo jo Mickoski deklaratën se ‘lufta e 2001 ishte pjesa e parë, tani ka ardhur koha ta luaj unë pjesën e dytë’?
“Për këtë që unë them janë të njoftuar edhe faktorë ndërkombëtarë relevantë në Maqedoni, nga njerëz që sot rrotullohen afër Kryeministrit”.
Reagimi i Uzairit vjen pas akuzave të fundit të VMRO-së ndaj figurave kryesore të Aleancës për Shqiptarët dhe synon të forcojë mesazhin e partisë për integritet dhe përkushtim ndaj komunitetit.
VMRO-ja dje deklaroi se Uzairi duhet të pranojë se Taravari tha se është në politikë vetëm për fitim dhe se nuk i intereson që Gostivari po mbytet në mbeturina.
“Në vend që Uzairi të gënjejë, le të ketë guximin të pranojë një të vërtetë: udhëheqësi i tij Arben Taravari deklaroi publikisht në një takim se është në politikë vetëm për fitim dhe se nuk i intereson që Gostivari po mbytet në mbeturina. Këto janë fjalët e tij, kjo është e vërteta e tij, ky është karakteri i tij politik. Kjo është një klikë që po shantazhohet nga BDI sepse janë kapur në marrëveshje katastrofike përmes njerëzve të afërt me BDI-në nga një vend fqinj. Këta janë përfitues në shpinë të shqiptarëve të ndershëm dhe një turp për heronjtë dhe familjet shqiptare që sinqerisht duan të jetojnë dhe të punojnë në vendin e tyre, Maqedoninë”, thanë nga VMRO.
VMRO kërkoi që t’u shpjegojë Taravari votuesve të tij për shtëpinë në Taftalixhe, pastaj për marrëveshjet me parkingjet dhe për disa afera të tjera që siç thanë nga kjo parti nuk do t’i përmendin tani për tani, dhe “janë pjesë e thashethemeve për neurologun i cili, ngjashëm me një nga kolegët e tij, një neurokirurg dhe një kukull e familjes Strumica, është në prehrin e Ahmetit dhe i prirur ndaj hedonizmit dhe luksit”.
“Esenca është e qartë, politika e Taravarit dhe kompanisë nuk është për qytetarët, nuk është për interesat e shqiptarëve apo të Maqedonisë, por vetëm për llogari dhe fitim personal. Prandaj ata ndërrojnë parti si këmisha, duke kërkuar gjithmonë një mundësi të re për përfitime personale”, tha Taravari.
Kujtojmë se Aleanca e Arben Taravrit ishte në koalicion me VMRO-DPMNE-në, por Taravari u largua pas mospajtimeve me VLEN-in, pas çka filluan edhe akuzat midis partive që dikur ndanin pushtetin bashkë.















