Sonte, në Shkup u shënua 24-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit me një mbrëmje madhështore gala ku arti, muzika dhe kultura së bashku përçuan mesazhin e paqes e barazisë.
Zëri i famshëm botëror i Ramë Lahajt dhe interpretimi maestral i Filharmonisë së Maqedonisë së Veriut e shndërroi këtë mbrëmje në natën e simbolit të bashkëpunimit e bashkëjetesës, por edhe një natë që do të mbetet kujtim i paharrueshëm për të gjithë të pranishmit.
Marrëveshjes e Ohrit po frymon edhe në realitet, ka shkruar Bilall Kasami.
Sonte, Shkupi u bë qendra e një ngjarjeje të veçantë, duke shënuar 24-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit, një moment historik që vulosi paqen, garantoi barazinë dhe hapi një kapitull të ri bashkëjetese mes komuniteteve të vendit. Për një natë, kryeqyteti u shndërrua në skenë ku talenti shqiptar dhe arti botëror u ndërthurën në mënyrën më të bukur, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të pranishmëve dhe duke e kthyer këtë festë në një përjetim të paharrueshëm.
Kjo gala madhështore, me pjesëmarrjen e yllit me famë botërore Ramë Lahaj dhe në bashkëpunim me Filharmoninë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u organizua për të nderuar këtë ditë të rëndësishme. Muzika magjepsi, arti emocionoi dhe kultura bashkoi, ashtu siç bëri vetë Marrëveshja e Ohrit para 24 vitesh, duke e shndërruar koncertin në një festë të vërtetë të paqes dhe harmonisë, ka shkruar Izet Mexhiti.















