Ballina Kronika Zbardhet vrasja e 14 vjeçarit në Maliq, arrestohen 8 persona, mes tyre...

Zbardhet vrasja e 14 vjeçarit në Maliq, arrestohen 8 persona, mes tyre dhe familjarë të autorit

Policia e Korçës ka dalë me një tjetër komunikatë zyrtare lidhur me ngjarjen e rëndë që u regjistrua mbrëmjen e kaluar në Korçë ku u vra me thikë 14-vjeçari Erald Xhejo. Policia njofton se lidhur me rastin janë arrestuar tetë persona.

Në pranga është vënë autori Enedio Guri, i cili ka tentuar të arratiset me automjet pas krimit, një 34-vjeçar i pranishëm gjatë krimit që ka tentuar të largohet me të njëjtin automjet, babai dhe xhaxhai i autorit pasi kanë fshehur thikën me të cilën u krye vrasja, si dhe 4 të mitur të tjetër, të cilët kanë mashtruar në deklarimet e tyre në Polici për të tentuar pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Autoritetet bëjnë me dije se kanë sekuestruar edhe mjetin prerës (thikë) me të cilën u krye krimi, automjeti me të cilin tentoi të largohej autori dhe shoku i tij, si dhe 5 celularë.

“Në vijim të veprimeve hetimore, në lidhje me ngjarjen e djeshme, në fshatin Pirg, ku u vra me mjet prerës (thikë), një 14-vjeçar, dyshohet nga një bashkëmoshatar i tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, u vunë në pranga:

-shtetasi E. G., 14 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”. 14-vjeçari u dëmtua lehtë, gjatë konfliktit. Ai mori asistencën e nevojshme mjekësore dhe la ambientet e spitalit, ditën e djeshme;
-shtetasit E. G., 44 vjeç dhe R. G., 44 vjeç, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 14-vjeçarit, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-4 të mitur, banues në fshatin Zvirinë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”;
-shtetasi F. Ç., 34 vjeç, banues në fshatin Leminot, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.” – njofton Policia e Korçës.

Tetova News në YouTube:

Si ndodhi vrasja?

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 17:00 të pasdites së të enjtes në ambientet e jashmte të një lokali në fshatin Pirg të Bashkisë Maliq.

Dy të miturit, pasi kanë shkuar në ambientet e jashtme të lokalit, kanë filluar një diskutim me njëri-tjetrin, ku më pas debati verbal ka degraduar në dhunë fizike dhe në përdorimin e thikave.

Pasi u godit me thikë nga 14-vjeçari Enedio Guri, i mituri Erald Xhejo mbetur i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Korçës, por fatkeqësisht nuk ka arritur dot t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Edhe Enedio Guri mbeti i lënduar, por jo me thikë dhe pasi mori mjekim në spitalin e Korçës, mbrëmjen e djeshme, ai u shoqërua nga Policia drejt komisariatit.

Viktima Erald Xhejo është nga fshati Zvirinë, kurse autori Enedio Guri nga fshati Leminot, teksa mbetet për t’u sqaruar arsyeja e prezencës së tyre në Pirg, të tre fshatra të Bashkisë së Maliqit.

Autori ka qenë në shoqërinë e katër personave të tjerë, gjithashtu të mitur, ndërsa viktima me dy të tjerë.

Jashtë kamerave, shokët e dy të rinjve tregojnë se midis dy 14 vjeçareve ka patur një konflikt të mëparshëm verbal. Të njëjtat burime jashtë kamerave tregojnë se autori i dyshuar njihet si një adoleshent “i lëvizshëm” duke shkaktuar herë pas here probleme me bashkëmoshatarët.

Burimet nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se nuk ka patur një “planifikim” për t’u takuar, por të dy adoleshentët janë gjetur në të njëjtin lokal rastësisht. Dyshohet se ata ishin konfliktuar edhe më parë, për arsye të cilat mbeten ende për t’u sqaruar.

Sipas fotove të publikuara nga mediat, shihet se autori i dyshuar i vrasjes së 14 vjeçarit pozon me një armë gjahu çifte dhe sipër fotos vendos një mbishkrim duke u shprehur se “Mos më kërko, unë nuk vij.” “Por shfaqem ty s’ta pret mendja”. Në krah ai mban dhe tatuazh një kallashnikov.