Ballina Aktualitet Nis fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë, në garë 32 parti politike!...

Nis fushata për zgjedhjet lokale në Kosovë, në garë 32 parti politike! Ja kur do të përfundojë

Sot, më 13 shtator ka nisur periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale, ndërsa përfundon më 12 tetor, në orën 06:59.

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore të premten në ora 19:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa sot vazhdojnë partitë tjera, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, etj.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës më 6 shtator ka konfirmuar listën e votuesve për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, sipas së cilës do të kenë të drejtë vote 2.069.098 persona.

“Sipas të dhënave nga lista e votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Republikën e Kosovës është 2.025.105 votues, ndërsa numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar me postë jashtë Kosovës është 43.993 votues”, është bërë e ditur në njoftim.

Procesi zgjedhor në Republikën e Kosovës, do të organizohet në 938 Qendra të Votimit me gjithsej 2,625 vendvotime, prej të cilave 910 Qendra të Votimit për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime dhe 38 Qendra të Votimit për votimin me kusht me gjithsej 54 vendvotime.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 93 subjekte – 32 parti politike, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

KQZ po ashtu ka miratuar përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimeve për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Do të jenë dy fletëvotime, njëra për zgjedhjen e kryetarit të Komunës dhe tjetra për zgjedhjen e anëtarëve të Kuvendeve Komunale.

Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të shtypen 1,800,410 fletëvotime dhe po aq, 1,800,410, edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale. Në këtë numër përfshihen fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, votimin me kusht, Votimin e Personave e Nevoja të Veçanta, fletëvotimet rezervë dhe për votimin me postë.

Ndërkaq, për të gjithë ata që mund të kenë dilema për qendrën e votimit, mund ta verifikojnë atë.

KQZ fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të kontrollojnë adresën e qendrës së tyre të votimit.
Për ta bërë këtë në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë, KQZ ka vënë në dispozicion platformën elektronike: https://qv.kqz-ks.org

“Duke e vizituar këtë faqe, çdo qytetar mund të informohet saktësisht se në cilën qendër mund të votojë më 12 tetor 2025, duke shmangur paqartësitë apo vonesat në ditën e zgjedhjeve. Platforma elektronike e KQZ-së do të jetë e qasshme vazhdimisht, përfshirë edhe ditën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftim./Telegrafi.com

Në Kosovë më 13 shtator partitë e certifikuara për zgjedhjet lokale të 12 tetorit nisin zyrtarisht fushatën.

Gjatë fushatës zgjedhore, kandidatët për kryetarë të komunave dhe ata për kuvendet lokale do të shpalosin programet e tyre dhe do të tentojnë të bindin qytetarët që t’i votojnë.

Rrjeti i organizatave që mbikëqyrin procesin zgjedhor, Demokracia në Veprim (DnV) u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike dhe kandidatëve që të zhvillojnë një garë zgjedhore “në frymë të përgjegjshme, fer, por edhe kompetitive, gjithnjë duke u kujdesur që t’i zbatojnë ligjet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për një proces të qetë, të drejtë dhe demokratik”.

“Veçanërisht, DnV konsideron që është tejet me rëndësi që të respektohet Kodi i Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët. Në këtë drejtim, u bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse që të garantojnë zbatim të barabartë të legjislacionit”, u tha në njoftimin e këtij rrjeti.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, të drejtë vote për zgjedhjen e kryetarëve në 38 komuna do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues jashtë shtetit.

Votuesit jashtë shtetit do të mund të votojnë me postë nga 17 shtatori.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët ka njoftuar se zgjedhjet e tetorit do të organizohen në 938 qendra votimi me 2.625 vendvotime.

Në këto zgjedhje garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.

Për garën zgjedhore, KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike – 32 parti, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.

Atëbotë, Partia Demokratike e Kosovës kishte fituar më së shumti komuna, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /rel