Sonte, Tetova ishte dëshmitare e një hapjeje madhështore të shtabit zgjedhor të VLEN-it, mes qindra qytetarëve të entuziazmuar që e mbushën hapësirën e shkollës “Liria” energji e shpresë. Në këtë atmosferë elektrizuese, u promovua rikandidimi i kryetarit të Tetovës, Bilall Kasami, njeriu që me punë e vendosmëri i dha fund keqmenaxhimit shumëvjeçar dhe e ktheu komunën në shërbim të qytetarëve.
Në fjalimin e tij, Kasami kujtoi se në vitin 2021 Komuna e Tetovës u trashëgua me 24 milionë euro borxh, rrugë të shkatërruara, mbeturina, mungesë uji e paqartësi urbane. Sot, me vetëm gjysmën e atij borxhi, Tetova ka ujë të pijshëm, qindra rrugë të asfaltuara, bulevardet e para të hapura, ndriçim LED në çdo lagje e fshat, një pishinë funksionale dhe dy të tjera në ndërtim, shkolla të reja dhe plane urbanistike moderne.
Kasami ishte i qartë: “Ata me 24 milionë euro borxh nuk bënë asgjë; ne me gjysmën e borxhit bëmë më shumë se ç’kanë bërë dekada të tëra para nesh”.
Krahas kryetarit, liderët e VLEN-it theksuan se për herë të parë në historinë e qeverisjes, komunat shqiptare janë mbështetur financiarisht nga qeveria me miliona euro për përmirësimin e infrastrukturës lokale. Kjo është dëshmi se shqiptarët janë më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë.
Ndërkohë, shefi i shtabit qendror zgjedhor, Adnan Azizi, ishte i drejtpërdrejtë: “Këta të zullumit janë tërbuar sepse ua ndaluam taxhinë, Soravinë, Lotarinë e tenderat. U ndaluam vjedhjen, prandaj po bërtasin”.
VLEN ka një mesazh të qartë për Tetovën: Nuk kthehemi më prapa! Nuk do ta lëmë Komunën në duart e atyre që e futën në borxh e e lanë qytetin të zhytur në pisllëk. Tetova e ka nisur një kapitull të ri, dhe me fitoren e 19 tetorit, do ta vazhdojmë me hov zhvillimin e qytetit tonë.
Tetova meriton zhvillim, jo shkatërrim! VLEN është garanca e këtij zhvillimi.
Fitorja në Tetovë nuk është vetëm e pashmangshme, ajo ka emër dhe mbiemër: Bilall Kasami! Ai që ndali keqmenaxhimin, uli borxhin, solli ujë, pastroi qytetin, ndërtoi rrugë, shkolla, pishina, parqe dhe bulevarde. Ai që i dha fund terrin dhe i ktheu Tetovës dritën, në çdo lagje e në çdo fshat.
Tetova nuk kthehet më prapa! Tetova vazhdon përpara me Bilall Kasamin dhe VLEN-in. VLEN është zëri i Tetovës.

Ibrahimi: Tetova është shembulli më i mirë i ndryshimit që solli VLEN
Kryetari i Alternativës dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, pas hapjes së shtabit për zgjedhjet lokale në Tetovë, theksoi se qyteti ka përjetuar një transformim të madh nën drejtimin e Bilall Kasamit dhe VLEN-it.
“Në Tetovën e Bilall Kasamit, së bashku me krerët e VLEN-it, e hapëm shtabin për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 19 tetor,” tha Ibrahimi.
Ai theksoi ndryshimin e madh që ka ndodhur në qytet gjatë viteve të fundit: “Kur flasim për ndryshimin në pushtetin lokal, shembull konkret e kemi Tetovën e cila dikur ishte e mbytur në borxhe, pa perspektivë dhe pa zhvillim infrastrukturor dhe ekonomik.”
Sipas tij, koalicioni VLEN dhe kryetari Kasami kanë sjellë përmbysjen e kësaj gjendjeje: “VLEN së bashku me Bilall Kasamin e ndryshuan në tërësi këtë fotografi. Tetovarët dinë të dallojnë zhvillimin prej prapambetjes,” theksoi Ibrahimi.
Ai përfundoi duke thënë se tani është momenti për të çuar deri në fund projektet që janë në dobi të qytetarëve: “Tash është koha për t’u finalizuar projektet që janë duke u realizuar në dobinë e qytetarëve.”















