Analisti Mentor Kikia, i ftuar në emisionin “Studio24” me u shpreh se viti 2025, megjithëse po mbyllet në të njëjtat kushte me të cilat nisi, ka qenë një nga vitet më intensive dhe të zhurmshme në aspektin politik dhe mediatik, duke hapur siparin për zhvillime të rëndësishme që pritet të ndodhin në vitin 2026.
Sipas Kikias, vitet në vetvete nuk janë përgjegjëse për ecurinë e ngjarjeve, por ajo që ka ndodhur gjatë 2025-s ka krijuar një terren të ri politik.
Duke iu referuar konferencës së fundvitit të kryeministrit Edi Rama, Kikia theksoi se Partia Socialiste ka marrë një vendim të qartë politik për të mos konsideruar përmbajtjen e dosjes prej 16 mijë faqesh të zv.kryeministres Belinda Balluku dhe materialet e tjera hetimore.
Sipas tij, qëndrimi i Ramës sinjalizon një pozicionim të ri politik ndaj ofensivës së SPAK.
Mentor Kikia: 2025 po mbyllet siç nisi, në të njëjtat kushte mendoj do të nisë edhe 2026, sepse vitet nuk janë fajtorë nëse gjerat na shkojnë keq. Brenda këtij harku kohor megjithatë kishte plot zhvillime dhe ishte një nga vitet më të zhurmshme dhe intensive, me më shumë lajme dhe besoj që i ka çelur siparin për zhvillime goxha të mëdha që mund të ndodhin gjatë 12 muajve të ardhshëm.
Rama në konferencën e fundvitit tregoi se PS e ka marrë vendimin për të mos konsideruar asgjë nga dosja 16 mijë faqe, dhe nuk i intereson se çfarë ka në USB. Ajo që Rama theksoi ishte vulosja e një qendrimi të ri politik ndaj ofensivës së SPAK.















