Akademiku Nexhat Daci, i njohur për rolin e tij në politikën kosovare, ka ndërruar jetë më 1 janar 2026. Ai shërbeu si Kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe përkohësisht si President në detyrë pas vdekjes së Ibrahim Rugovës në vitin 2006.

Në vazhdim telegrami i ngushëllimit nga presidentja Vjosa Osmani:
Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Kryeparlamentarit të Republikës së Kosovës, akademikut dhe profesorit të nderuar, Nexhat Daci.
Akademik Daci ishte një personalitet i rrallë, i cili bashkoi dijen shkencore, përkushtimin akademik dhe angazhimin institucional, duke lënë gjurmë të pashlyeshme si Kryetar i Kuvendit, deputet, akademik dhe udhëheqës i institucioneve shkencore të vendit.
Në vitet më të rënda për popullin e Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të nëntëdhjeta, Akademik Nexhat Daci u angazhua fuqishëm në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, si bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Me dije, maturi dhe vizion, ai dha një kontribut të çmuar në vendosjen e themeleve të forta të shtetit të Kosovës.
Kontributi i tij shumëdimensional në ndërtimin e shtetit, në zhvillimin e arsimit të lartë dhe në avancimin e shkencës do të mbetet pjesë e rëndësishme e historisë sonë institucionale dhe intelektuale.
Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Daci, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.
I përhershëm qoftë kujtimi për Akademik Nexhat Dacin!















