Protestat në Iran po bëhen gjithnjë e më të dhunshme. Sipas raportimeve, forcat e sigurisë po reagojnë me ashpërsi, veçanërisht në zonat rurale.
Për të pestën ditë radhazi, qytetarë të shumtë në Iran kanë dalë në rrugë kundër regjimit autoritar, në një klimë të rënduar nga kriza e thellë ekonomike. Ndërsa në metropolet e mëdha forcat e sigurisë janë vendosur në gatishmëri të lartë, në zonat rurale shteti ka vepruar me ashpërsi të shtuar. Ndërkohë, presidenti Massoud Pezeshkian ka kërkuar dialog gjatë një vizite në provincë.
Sidomos në zonat rurale, që nga mbrëmja e së mërkurës janë shënuar përleshje të rënda mes protestuesve dhe forcave të sigurisë. Në qytetin Kuhdasht, në provincën perëndimore Lorestan, një anëtar 21-vjeçar i forcave Basixh ka humbur jetën, sipas mediave shtetërore. Kryeprokurori i provincës deklaroi se përgjegjësit do të përballen me “tolerancë zero”.
Sipas aktivistëve, përleshje të tjera të rënda janë regjistruar edhe në provincat Fars, Çahar Mahal dhe Bakhtiari, si dhe në Kermanshah. Në qytetin Marvdasht, turma njerëzish dolën në rrugë duke i rënë borive, ndërsa forcat paramilitare ndërhynë me automjete të blinduara dhe motoçikleta. Në Lordegan, në jug të vendit, forcat e sigurisë thuhet se hapën zjarr me municion luftarak, sipas organizatës për të drejtat e njeriut Hengaw. Ende nuk dihet se sa persona kanë marrë pjesë në protesta në të gjithë vendin me rreth 90 milionë banorë.
Kriza ekonomike si shkak i protestave
Shkaku i drejtpërdrejtë i protestave ishte rënia e menjëhershme e kursit të këmbimit të valutës javën e kaluar. Fillimisht, tregtarët në Teheran dolën në rrugë, por më pas protestat u përhapën edhe në pjesë të tjera të vendit. Edhe organizatat studentore, të cilat kishin qenë aktive në protestat e mëparshme, u bashkuan me thirrjet për protesta. Pakënaqësia në vend është rritur prej vitesh, e ushqyer nga varfëria, mungesa e perspektivës, kriza ekonomike, ndryshimet klimatike dhe represioni politik.
Presidenti kërkon dialog dhe pranon gabime
Gjatë një vizite në provincën Çahar Mahal dhe Bahtijari, presidenti Pezeshkian paralajmëroi për rrezikun e përçarjes politike dhe pranoi gabimet e qeverisë së tij. Përveç reformave ekonomike, ai njoftoi se do të hiqen subvencionet për importuesit që përfitojnë nga kursi i favorshëm shtetëror i këmbimit. Ai theksoi se përfitimet duhet t’u kalojnë drejtpërdrejt qytetarëve.
Në një deklaratë të pazakontë për një president iranian, ai pranoi se shteti dhe bankat mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin e gjendjes ekonomike. “Ne e kemi zhytur popullin në varfëri dhe ia kemi dëmtuar fuqinë blerëse”, tha ai. “Nëse nuk i zgjidhim problemet jetike të njerëzve, vendi ynë do të përfundojë në humnerë.”/TetovaNews















