Ballina Aktualitet Nga nesër “Safe City” nis gjobitjet, në fillim do të regjistrohen vetëm...

Nga nesër “Safe City” nis gjobitjet, në fillim do të regjistrohen vetëm katër shkelje

Nga nesër nis zyrtarisht zbatimi i sistemit “Safe City”, me ç’rast regjistrimi dhe sanksionimi automatik i shkeljeve të trafikut hyn në funksion të plotë. Bëhet fjalë për një sistem të integruar teknik-informativ që, përmes kamerave dhe mjeteve softuerike, do t’i evidentojë shkeljet në trafik pa nevojën e pranisë së drejtpërdrejtë të policisë në terren.

Në fazën e parë, “Safe City” do të sanksionojë katër lloje shkeljesh:

tejkalim i shpejtësisë së lejuar,

kalim në dritë të kuqe,

drejtim mjeti me regjistrim të skaduar,

ndalim ose parkim i parregullt.

Kamerat e vendosura në akse kryesore dhe kryqëzime do ta regjistrojnë automatikisht shkeljen, do ta identifikojnë targën dhe do ta përpunojnë pamjen përmes një sistemi qendror verifikimi.

Pasi shkelja të konstatohet, pronari i mjetit do të marrë njoftim me provë fotografike, kohë dhe vendndodhje, si dhe sanksionin përkatës. Procedura është plotësisht e digjitalizuar, me faktor njerëzor minimal, për të shmangur selektivitetin, subjektivitetin dhe abuzimet e mundshme.

Gjobat për tejkalim shpejtësie

deri në 20 km/h mbi limit: 20 € (kundërvlerë në denarë)

20–30 km/h: 45 €

30–50 km/h: 300 € dhe ndalim drejtimi 3–12 muaj

mbi 50 km/h: 400 €, 4 pikë ndëshkuese dhe ndalim drejtimi minimum 12 muaj

Në zona të banuara, gjobat janë më të rrepta dhe mund të arrijnë deri 500 €, me ndalim të detyrueshëm drejtimi.

Kalimi në dritë të kuqe

250 € gjobë

ndalim drejtimi 3–12 muaj
Nëse shkelja shkakton rrezik ose aksident, zbatohet edhe përgjegjësi penale.

Drejtim me dokumente të skaduara

100 € për shoferin

250 € për pronarin (nëse është person tjetër)
Verifikimi bëhet automatikisht përmes regjistrave të MPB-së.

Parkim/ndalim i parregullt

30 € për shkelje standarde

45 € nëse pengohet trafiku

50 € nëse zë vend për persona me aftësi të kufizuara

Në raste rreziku: heqje me shërbimin “karrotreci” dhe kosto shtesë

Nëse gjoba paguhet brenda 8 ditësh, paguhet 50% e shumës. Pas afatit, gjoba arkëtohet e plotë, me mundësi inkasimi të detyruar.

Institucionet theksojnë se qëllimi i “Safe City” nuk është represioni, por parandalimi dhe rritja e sigurisë rrugore. Pritet ulje e aksidenteve, sidomos atyre me pasoja të rënda, si dhe disiplinë më e lartë në trafik.

Me nisjen e sistemit, “Safe City” shënon një epokë të re në kontrollin e trafikut: kamerat mbajnë mend gjithçka, dhe shkeljet nuk varen më nga prania e patrullave, por nga respektimi i rregullave nga drejtuesit.