Lokali “Le Constellation”, ku ndodhi tragjedia e natës së Vitit të Ri në Crans-Montana, është në pronësi të një çifti francez. Sipas informacioneve, gruaja u plagos gjatë zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj nuk ndodhej në lokal në momentin e ngjarjes.
Sipas gazetës franceze Le Figaro, e cila i referohet burimeve të agjencisë AFP, të dy pronarët janë gjallë. Gruaja ka pësuar djegie, ndërsa burri ndodhej në një nga dy lokalet e tjera që çifti zotëron në rajon.
Bëhet fjalë për Jessica dhe Jacques M., të cilët u vendosën në kantonin Valais në fillim të viteve 2000. Ata drejtojnë tre biznese: barin “Le Constellation”, restorantin “Le Senso” në Crans-Montana dhe një restorant korsikan të quajtur “Le Vieux-Chalet” në fshatin fqinj Lens.
Një mik i çiftit, muzikant që kishte performuar më parë në lokal, i tha gazetës Corse-Matin se ata janë në gjendje shoku të thellë. “Kam tentuar t’i kontaktoj gjithë natën. Rreth orës 05:00 më në fund më është përgjigjur gruaja dhe më ka thënë se janë gjallë, por se ajo që ka ndodhur është një katastrofë,” tregoi ai. Ai i përshkroi pronarët si “njerëz punëtorë dhe të përkushtuar”.
Lokali “Le Constellation” ishte marrë me qira nga çifti në vitin 2015 dhe ishte shndërruar në një pikë shumë të frekuentuar, veçanërisht gjatë sezonit dimëror. Sipas hetimeve të mediave zvicerane, lokali ishte i njohur për faktin se nuk zbatonte gjithmonë rregullat e kontrollit të moshës së klientëve.
Sipas dëshmive, në disa raste në ambient ndodheshin deri në 400 persona, ndonëse kapaciteti zyrtar ishte 300 brenda dhe 40 jashtë. Autoritetet nuk e kanë konfirmuar ende zyrtarisht këtë shifër.
Pas tragjedisë, faqet e lokalit në rrjetet sociale u fshinë dhe profili në Google u shënua si “përkohësisht i mbyllur”. Programi i festës së Vitit të Ri u hoq menjëherë nga interneti.
Sipas autoriteteve, të paktën 40 persona humbën jetën, ndërsa 115 u plagosën, rreth 80 prej tyre në gjendje kritike. Identifikimi i viktimave është i vështirë për shkak të djegieve të rënda dhe faktit se shumë prej tyre ishin shtetas të huaj. Gjithashtu, mungesa e një liste zyrtare të të pranishmëve e ka vështirësuar më tej procesin.
Hetimet për shkaqet e zjarrit vazhdojnë. Sipas prokurores së përgjithshme të Valais-it, Béatrice Pilloud, po shqyrtohen disa pista. Pamjet e publikuara tregojnë se zjarri mund të ketë nisur pas përdorimit të fishekzjarrëve në ambient të mbyllur, duke shkaktuar një “flashover” – një përhapje të menjëhershme dhe të pakontrollueshme të flakëve.















