Ballina Bota Trump kërcënon Iranin për dhunën ndaj protestuesve

Trump kërcënon Iranin për dhunën ndaj protestuesve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur mbështetje për protestuesit në Iran dhe ka paralajmëruar regjimin iranian për përdorimin e dhunës kundër tyre.

Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump shkroi se nëse Irani vret protestues paqësorë, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhyjnë”. Ai nuk sqaroi konkretisht se çfarë masash do të ndërmerren.

Protestat në Iran shpërthyen pas rënies së papritur të monedhës kombëtare gjatë fundjavës së kaluar. Fillimisht, në rrugë dolën tregtarët në kryeqytetin Teheran, por protestat u përhapën shpejt edhe në rajone të tjera të vendit. Të enjten pati përleshje të dhunshme, ku disa persona humbën jetën gjatë përballjeve me forcat e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë marrëdhënie të tensionuara që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 dhe nuk mbajnë marrëdhënie diplomatike. Në qershor të vitit 2025, ushtria amerikane iu bashkua Izraelit në sulmet kundër Iranit, duke goditur objektiva bërthamore, sipas burimeve zyrtare.