Ballina Bota Rikonstruksion vizual: Ja si ndodhi zjarri në Crans-Montana të Zvicrës (FOTO+VIDEO)

Rikonstruksion vizual: Ja si ndodhi zjarri në Crans-Montana të Zvicrës (FOTO+VIDEO)

Modeli ynë 3D tregon se si ishte ndërtuar lokali “Le Constellation” dhe si u përhap zjarri, shkruan Neue Zürcher Zeitung, transmeton Tetova News

Një fishekzjarr xixëllues që lëshon shkëndija, zakonisht në formë shkopi (wunderkerze) shumë pranë tavanit mund ta ketë shkaktuar zjarrin shkatërrues në Crans-Montana. Kështu deklaroi të premten pasdite, në një konferencë për shtyp, prokurorja e përgjithshme e kantonit Valais, Beatrice Pilloud.

Këtë tezë e mbështesin fotografi dhe video të realizuara para dhe gjatë natës së Vitit të Ri. NZZ ka analizuar informacione publike dhe ka rindërtuar zjarrin në barin “Le Constellation”. Ja si erdhi deri te zjarri shkatërrues.

“Le Constellation”

Dy hapësira, një shkallë

Para 10 vitesh, një gastronom korsikan mori në përdorim ambientet në Rue Centrale 35 dhe i rikonstruktoi ato. Ai kishte deklaruar atëherë për gazetën “Le Nouvelliste” se pothuajse gjithçka e kishte bërë vetë. Bari promovohej në Facebook me “Sunny Outdoor”, “Shishas” dhe “Coffee Bar”. Ndërkohë, operatorët e kanë çaktivizuar faqen.

Lokali në zemër të Crans-Montana-s përbëhet nga tre pjesë: hyrja bëhet përmes një terase të mbuluar dhe të ngrohur, e projektuar për 30 persona, sipas informacioneve publike. Me terasën lidhet një kafene-bar me banak, tavolina dhe rreth 30 vende ulëse.

Në mes të hapësirës, një shkallë zbret drejt barit në bodrum, aty ku shpërtheu zjarri. Shkalla duket se është ngushtuar gjatë rikonstruksionit të vitit 2015. Fotografitë e asaj kohe tregojnë se në të dy anët e shkallës janë ndërtuar mure ndarëse, ku janë vendosur tuba instalimesh.

Këto pamje janë realizuar gjatë rikonstruksionit. Në të majtë shkalla është më e gjerë, ndërsa në të djathtë janë ndërtuar mure.

Ky model 3D tregon në mënyrë skematike ambientet e “Le Constellation”, të rindërtuara mbi bazën e fotove dhe videove.

Plani i barit “Le Constellation”

Hyrja kryesore – Kafene-bar – Bar në bodrum – Shkallë – Terasë
Burimet: Tripadvisor, Kantoni Valais

Në qendër të bodrumit ndodhet një banak, i aksesueshëm nga të gjitha anët. Hapësira është e ulët; nga fotografitë, lartësia vlerësohet pak nën tre metra. Përgjatë mureve anësore ndodhen divane dhe stola bari.

Ambientet e brendshme, pra bari në bodrum dhe kafene-bari, ishin projektuar në total për 300 persona, sipas informacioneve që më pas janë fshirë.

Nata e Vitit të Ri

Si mund të ketë nisur zjarri

Dëshmitarë okularë i kanë thënë NTV-së se janë shpërndarë shishe me shkopinj shkëndijash të fiksuar mbi to. Një kamariere thuhet se ishte ngjitur mbi shpatullat e një personi tjetër me shishet në duar. Edhe një foto, e bërë pak pas shpërthimit të zjarrit, tregon shkopinj shkëndijash të ndezur.

Të paktën gjashtë persona mbajnë shishe me shkopinj shkëndijash në ajër. Një person – me helmetë të zezë – duket se është ulur mbi shpatullat e një tjetri. Në tavan shfaqen tashmë flakët e para. Njëra nga këto shkëndija mund ta ketë ndezur tavanin e ulët.

Fotot nga rikonstruksioni i barit tregojnë gjithashtu se pothuajse i gjithë tavani dhe pjesë të mureve ishin të veshura me shkumë izoluese akustike. Këto panele me strukturë piramidale shpesh përbëhen nga poliuretani. Ky material ka qenë përgjegjës për disa zjarre në klube nate. Në vitin 2003, për shembull, në klubin amerikan “The Station”, izolimi akustik u ndez nga piroteknika dhe 100 persona humbën jetën.

Grafika në vijim tregon origjinën e zjarrit dhe veshjen izoluese të tavanit.

Poliuretani është lehtësisht i ndezshëm, digjet shpejt dhe gjatë djegies çliron gaze shumë toksike. Nga çfarë materiali ishte izolimi akustik në “Constellation” dhe cilat rregulla kishin vendosur autoritetet, ende nuk dihet.

Kur tavani fillon të digjet, një i ri përpiqet ta shuajë zjarrin me bluzën e tij. Muzika vazhdon të luajë pa ndërprerje këngën “A.W.A” të reperit francez Lacrim. Ndërsa zjarri përhapet, disa vazhdojnë të kërcejnë pa u shqetësuar – kjo shihet në një video tjetër.

Çfarë nuk tregojnë videot: si u shndërrua zjarri në një zjarr të madh. Sipas ekspertëve, kjo mund të ndodhë shumë shpejt. Nëse nxehtësia nuk arrin të largohet, krijohet grumbullim i saj në tavan. Gazet çlirohen nga materialet e tavanit dhe, në një moment, ndizen njëherësh: ndodh një “flashover”. Në këtë fazë, zjarri mund të arrijë temperatura mbi 1000 gradë Celsius. Edhe për zjarrin në Crans-Montana, autoritetet dyshojnë për një “flashover”.

Dëshmitarë i kanë thënë ZDF-së se kishte tym shumë të dendur; mezi merrej frymë dhe nuk shihej asgjë. Një video e filmuar nga rruga tregon flakët që ngjiten përgjatë shkallës, ndërsa njerëzit ikin me britma nga ndërtesa.

Shkopinj shkëndijash, material tavani dukshëm lehtësisht i ndezshëm dhe një shkallë e ngushtë: dalëngadalë bëhet e qartë se si u zhvillua katastrofa që mori të paktën 40 jetë njerëzish. Çështja e përgjegjësisë mbetet e hapur./NZZ/TetovaNews