
Stuhia Goretti vazhdon të përfshijë Evropën me erëra të fuqishme shi dhe borë. Kushtet e rënda atmosferike kanë shkaktuar një viktimë në San Sebastián, në Spanjë.
Stuhia Goretti po vazhdon të përshkojë kontinentin me erëra shumë të forta, reshje shiu dhe rënie të reja bore.
Në Francë, rreth 380.000 familje mbetën pa energji elektrike për disa orë, kryesisht në veri të Normandisë, njoftoi furnizuesi i energjisë Enedis. Gjatë natës, sipas autoriteteve, në veriperëndim të departamentit Manche u regjistruan rafale që arritën deri në 216 km/h.
Një pemë u rrëzua mbi disa ndërtesa banimi në Seine-Maritime, pa shkaktuar të lënduar, sipas autoriteteve. Shkollat mbetën të mbyllura në disa zona të veriut të Francës, ku paralajmërime meteorologjike ishin lëshuar edhe në 30 rajone të tjera.
Shërbimi meteorologjik kombëtar britanik, Met Office, ka lëshuar alarm të kuq, niveli më i lartë i paralajmërimit, në të gjithë jugperëndimin e Anglisë. Autoritetet lokale kanë raportuar rrugë të bllokuara, ndërtesa të paqëndrueshme, si edhe ndërprerje të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë. Sipas National Grid, që menaxhon rrjetin energjetik të vendit, mbi 57.000 persona kanë mbetur pa energji elektrike në jugperëndim të Anglisë, në Midlands dhe në Uells.
Kushtet e këqija atmosferike kanë shkaktuar viktimën e parë në San Sebastián, në Spanjë. Në këtë qytet, i vendosur nën alarm portokalli për shkak të forcës së erërave, një burrë u gjet i vdekur pasi kishte rënë në oqean.
Në lindje, Gjermania, Danimarka dhe Republika Çeke janë përballur me probleme të shumta për shkak të borës.
Në Gjermani, ndeshja e futbollit e Bundesligës, që ishte planifikuar të luhej të shtunën mes Leipzigut dhe St. Pauli, u anulua për shkak të reshjeve të dendura të borës, ndërsa edhe ndeshje të tjera mbeten të pasigurta. Klubi Sankt Pauli, me seli në Hamburg, në veri të Gjermanisë, deklaroi se kishte “bërë gjithçka që ishte e mundur që ndeshja të zhvillohej në kushte sigurie”, por kjo nuk kishte qenë e realizueshme.
Pavarësisht disa ditësh përpjekjesh për pastrimin e borës, vështirësitë për heqjen e borës nga çatia e stadiumit ishin veçanërisht shqetësuese, tha klubi Sankt Pauli. Klubi shtoi se ishte informuar se anulimi i ndeshjes mund të lehtësonte ngarkesën mbi shërbimet e emergjencës, rrjetin e transportit dhe sistemin shëndetësor.
Përmbytjet po tërhiqen
Rreth 600 shkolla janë mbyllur në Moldavi deri të hënën e ardhshme dhe afërsisht 1.000 familje kanë mbetur pa energji elektrike në Rumani. Ndërkohë, ujërat e përmbytjeve janë tërhequr në disa pjesë të Ballkanit të premten, pasi reshjet e dendura të borës dhe shirat e rrëmbyeshëm kishin shkaktuar qindra evakuime në disa vende dhe kishin lënë të paktën dy persona të vdekur.
Në Shqipëri, një nga vendet më të goditura të rajonit, kryeministri Edi Rama deklaroi se autoritetet kanë nisur të llogarisin koston e përmbytjeve, pasi qindra banesa janë përmbytur, kryesisht në jug të vendit.
Megjithatë, paralajmërimet meteorologjike për akull në rrugë dhe reshje bore kanë mbetur në fuqi në pjesën më të madhe të rajonit, përfshirë Serbinë, ku disa zona të perëndimit kanë mbetur pa energji elektrike prej disa ditësh, pasi një stuhi bore nxori jashtë funksioni linjat elektrike./TN














