Ballina Bota “Të dëgjojë shqetësimet” – Mbreti i Danimarkës Frederik X udhëton drejt Grenlandës

“Të dëgjojë shqetësimet” – Mbreti i Danimarkës Frederik X udhëton drejt Grenlandës

Mbreti i Danimarkës Frederik X ka njoftuar se nga 18 deri më 20 shkurt do të udhëtojë në Grenlandë. “Këto javë mendimet tona janë shumë shpesh me popullin grenlandez,” tha monarku në Lituani, duke iu referuar vetes dhe familjes së tij.

“Po i ndjekim nga afër zhvillimet dhe flasim për to edhe me fëmijët tanë, të cilët na pyesin për situatën.” Populli grenlandez, sipas tij, është “shumë i shqetësuar” për shkak të kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për aneksimin e ishullit. Gjatë vizitës, mbreti synon të dëgjojë drejtpërdrejt mendimet dhe shqetësimet e banorëve dhe të kuptojë se si situata po ndikon në jetën e tyre të përditshme.

Vizita e paralajmëruar ka gjetur mbështetje edhe në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk. “Na ngushëllon dhe na jep ndjenjë sigurie që ai po vjen,” tha grenlandezja Esther Jensen. Siç është raportuar, Trump fillimisht kishte kërcënuar se, nëse do të ishte e nevojshme, do të përdorte edhe forcë ushtarake për ta vënë ishullin nën kontrollin e SHBA-ve. Më pas ai u tërhoq nga kjo retorikë dhe foli për një marrëveshje me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Aktualisht po zhvillohen bisedime mes përfaqësuesve të Danimarkës dhe SHBA-ve për të gjetur një zgjidhje të konfliktit, i cili zyrtarisht lidhet me sigurinë e ishullit dhe kërcënimet nga Kina dhe Rusia.

Frederik X është Mbret i Danimarkës që prej 14 janarit 2024, duke qenë monark i tre vendeve: Danimarkë, Grenlandës dhe Ishujve Faroe. Ai pasoi nënën e tij, Margrethe II, e cila abdikoi pas 52 vitesh në fron për arsye shëndetësore. Frederik X është i martuar me australianen Mary; çifti ka katër fëmijë: Christian (lindur më 2005), Isabella (2007) dhe binjakët Vincent e Josephine (2011)./tn