Presidenti i SHBA-së Donald Trump i ka kërcënuar sërish të mërkurën autoritetet në Iran me përdorimin e forcës ushtarake. Këtë herë, ai nuk iu referua shtypjes së dhunshme të protestave mbarëkombëtare, por mungesës së një marrëveshjeje bërthamore. Tani ka reaguar zëdhënësi i ushtrisë iraniane, duke folur për objektiva të mundshme amerikane në rast të një ndërhyrjeje ushtarake.
“Nëse Shtetet e Bashkuara bëjnë ‘llogaritje të tilla të gabuara’, situata ‘me siguri nuk do të zhvillohet ashtu siç e imagjinon Trump – një operacion i shpejtë dhe pastaj, dy orë më vonë, një postim në Twitter se operacioni ka përfunduar’”, tha të enjten zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammed Akraminia. Ai shtoi se aeroplanmbajtëset amerikane kanë “dobësi serioze” dhe se shumë baza ushtarake të SHBA-së janë “brenda rrezes së mjeteve tona me rreze të mesme”. Sipas tij, objektiva të mundshme të një ndërhyrjeje ushtarake iraniane mund të jenë bazat në rajonin e Gjirit ose një aeroplanmbajtëse.
“Koha po mbaron. Sulmi i ardhshëm do të jetë më i rëndë,” kishte shkruar më herët presidenti Trump në platformën e tij Truth Social. Ai i referohej bombardimeve të ushtrisë amerikane gjatë luftës dymbëdhjetëditore mes Izraelit dhe Iranit në qershor 2025. Edhe pas shtypjes së protestave në Iran, Uashingtoni nuk e kishte përjashtuar një operacion të ri ushtarak kundër vendit. Gjatë veprimeve brutale të forcave shtetërore kundër protestuesve u vranë mijëra njerëz, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë u arrestuan.
Garda Revolucionare shpallet organizatë terroriste
Shkak për protestat ishte gjendja e rëndë ekonomike, por ato u drejtuan gjithnjë e më shumë kundër sundimit autoritar të Republikës Islamike. Të enjten pasdite, ministrat e Jashtëm të Bashkimi Evropian e shpallën Gardën Revolucionare Iraniane organizatë terroriste. Ajo u themelua pas Revolucionit Islamik të vitit 1979, kontrollon pjesë të mëdha të ekonomisë dhe forcave të armatosura dhe është përgjegjëse edhe për programin raketor dhe bërthamor të vendit.
Shqetësimi i BE-së për të drejtat e njeriut në Iran është “një gënjeshtër e hapur”, reagoi udhëheqja në Teheran, duke paralajmëruar “kundërmasa përkatëse”. Ndërkohë, qeveria po përpiqet sërish, përmes arrestimeve masive, të parandalojë ringjalljen e protestave mbarëkombëtare. “Askush nuk e di se ku po dërgohen njerëzit,” tha një aktivist.















