Të paktën tetë persona kanë humbur jetën të shtunën në Austri si pasojë e disa ortekëve, ndërsa rreziku nga ortekët në Alpe mbetet shumë i lartë pas reshjeve të mëdha të borës. Që nga fundi i javës së kaluar, 17 skiatorë kanë vdekur në rajonin alpin, përfshirë edhe një shtetas gjerman të premten në Zvicër.
Tre viktima në Steiermark
Në Murtal të landit Steiermark, tre anëtarë të një grupi prej shtatë skiatorësh çekë që po bënin ski-turizëm humbën jetën, njoftoi policia lokale. Sipas autoriteteve, të shtatë personat u mbuluan nga bora. Ekipet e shpëtimit arritën t’i lokalizonin dhe t’i nxirrnin, por për tre prej tyre u konstatua vdekja. Katër të tjerët mbijetuan dhe morën ndihmën e parë mjekësore emergjente. Në operacion morën pjesë rreth 150 efektivë të shpëtimit malor, policia, zjarrfikësit, qen kërkimi dhe tre helikopterë mjekësorë.
Pesë të vdekur në Salzburg (Pongau)
Më herët gjatë ditës, nga Pongau në landin Salzburg u raportuan dy ortekë vdekjeprurës.
Bad Hofgastein: Rreth mesditës, një skiatore u mbulua nga një ortek jashtë pistave, në zonën “Schmugglerscharte”. Bashkëshorti i saj njoftoi menjëherë shërbimin e shpëtimit, por përpjekjet për reanimim dështuan. Në operacion u angazhuan një helikopter shpëtimi, njësi me qen dhe ekipi i ndërhyrjes në krizë i Kryqit të Kuq.
Großarltal: Vetëm një orë e gjysmë më vonë, një tjetër ortek në zonën Finsterkopf mori me vete shtatë sportistë dimërorë. Katër persona humbën jetën, një doli pa lëndime, një u plagos rëndë dhe një lehtë. Edhe këtu u angazhuan qen kërkimi, ekipi i Kryqit të Kuq dhe disa helikopterë të shërbimeve të emergjencës dhe policisë. Identiteti i viktimave nuk u bë menjëherë i ditur, raportoi agjencia austriake APA.
Paralajmërime të përsëritura
“Pavarësisht paralajmërimeve të qarta dhe të përsëritura, sot pati sërish shumë ortekë, fatkeqësisht me pasoja vdekjeprurëse,” deklaroi Gerhard Kremser, drejtues i shërbimit të shpëtimit malor në Pongau. “Kjo tragjedi tregon dhimbshëm se sa serioze është situata aktuale e ortekëve.” Sipas tij, gjatë ditës sportistë dimërorë shkaktuan edhe orteqe të tjera, por pa të lënduar.
Raste të tjera në Alpe
Të premten, në Zvicër, një shtetas gjerman humbi jetën nga një ortek në malin Piz Badus në Tujetsch; shtatë anëtarë të një grupi u përfshinë, me katër të plagosur lehtë deri mesatarë. Ditët e fundit janë raportuar edhe viktima të tjera: një 13-vjeçar çek në Bad Gastein (Austri), një 58-vjeçare në Weerberg (Tirol, Austri), si dhe gjashtë persona në Alpet franceze.
Autoritetet u bëjnë thirrje sportistëve dhe alpinistëve të respektojnë paralajmërimet, të shmangin zonat jashtë pistave dhe të marrin masa maksimale sigurie, pasi rreziku nga ortekët mbetet shumë i lartë.















