Ballina Bota Administrata Trump zgjeron fuqitë e ICE-së, agjentët tani mund të arrestojnë refugjatët

Administrata Trump zgjeron fuqitë e ICE-së, agjentët tani mund të arrestojnë refugjatët

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump u ka dhënë agjentëve të zbatimit të ligjit për imigracionin (ICE) kompetenca më të gjera për të ndaluar refugjatët që presin lëshimin e kartës së gjelbër për “riverifikim”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare, në një memo të paraqitur në gjykatën federale më 18 shkurt, thotë se refugjatët duhet të mbahen të ndaluar për “inspektim dhe shqyrtim” për një vit pas hyrjes në Shtetet e Bashkuara.

“Kjo kërkesë për ndalim dhe inspektim siguron që refugjatët të rishqyrtohen pas një viti (…) dhe promovon sigurinë publike”, thuhet në dokument.

Sipas ligjit amerikan, refugjatët duhet të aplikojnë për statusin e rezidentit të përhershëm brenda një viti nga mbërritja e parë në SHBA. Memorandumi i ri u lejon autoriteteve të imigracionit të ndalojnë refugjatët derisa të përfundojë procesi i shqyrtimit.

Politika e re është një ndryshim nga një memorandum i mëparshëm i vitit 2010, i cili deklaronte se dështimi i një refugjati për të marrë statusin e qëndrimit të përhershëm nuk është një “arsye” për dëbim nga vendi dhe as një “bazë e duhur” për arrestim.

Vendimi i administratës Trump ka shkaktuar tashmë një reagim të ashpër nga organizatat për të drejtat e emigrantëve.