Ballina Bota ENGJËLLI ME FYTYRËN E MELONIT NË NJË KISHË NË ROMË TRAZON ITALIANËT/A...

ENGJËLLI ME FYTYRËN E MELONIT NË NJË KISHË NË ROMË TRAZON ITALIANËT/A po keqpërdoret feja për propagandë politike?

Restaurimi i një afresku në një kishë të njohur romake ka shkaktuar reagime të forta në opinionin italian, pasi besimtarë dhe vizitorë vunë re se figura e engjëllit të pikturuar në tempull ka një ngjashmëri të theksuar me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Vepra, e cila ndodhet në një nga kishat qendrore të Romës – San Lorenzo in Lucina – për një kohë të shkurtër u bë temë debatesh politike dhe kulturore, si dhe objekt i një verifikimi zyrtar.

Afresku ishte restauruar së fundmi për shkak të dëmtimeve të shkaktuara nga lagështia, ndërsa për restaurimin ishte ngarkuar artisti dhe restauratori italian Bruno Valentini, i cili është në moshë të shtyrë dhe ka pas vetes dekada pune në objekte sakrale dhe historike. Në deklarata për mediat italiane, ai pohon se gjatë restaurimit i është përmbajtur rreptësisht pamjes origjinale të veprës dhe se nuk ka pasur qëllim të paraqesë ndonjë figurë politike bashkëkohore konkrete.

– Thjesht ndoqa linjat dhe ngjyrat ekzistuese. Nëse dikush sheh ngjashmëri, kjo nuk ka qenë qëllimi im – deklaroi Valentini, duke shtuar se çdo interpretim tjetër është rezultat i një përshtypjeje subjektive.

Megjithatë, ngjashmëria me figurën e kryeministres ishte e mjaftueshme që një pjesë e publikut ta interpretonte veprën si një akt simbolik, madje edhe si përpjekje për të dërguar një mesazh politik në një hapësirë fetare. Parti opozitare dhe kritikë vlerësuan se paraqitja e një lideri politik aktual në formën e një engjëlli është e papërshtatshme dhe mund të kuptohet si kult i personalitetit.

Tetova News në YouTube:

Në opinion u hap edhe çështja nëse autori ka lidhje politike me partinë në pushtet “Vëllezërit e Italisë”, e udhëhequr nga Meloni. Sipas informacioneve të disponueshme, Bruno Valentini nuk ka lidhje formale apo partiake me partinë e kryeministres, as nuk njihet si mbështetës i saj politik. Edhe pse në të kaluarën ka marrë pjesë në projekte të ndryshme shtetërore dhe private, nuk ka prova se restaurimi është bërë me porosi politike.

Autoritetet kishtare reaguan me kujdes, duke theksuar se tempujt nuk duhet të jenë vend për interpretime politike dhe se rasti do të shqyrtohet në kuadër të institucioneve kompetente. Ndërkohë, Ministria italiane e Kulturës njoftoi një kontroll të restaurimit për të përcaktuar nëse janë respektuar të gjitha procedurat profesionale dhe ligjore.

Vetë Meloni reagoi me një ton ironik, duke thënë se “sigurisht që nuk e konsideron veten engjëll”, me çka u përpoq ta qetësonte situatën dhe ta largonte temën nga përplasja politike.

Kontroversia rreth afreskut hapi edhe një herë debatin më të gjerë në Itali për kufirin mes lirisë artistike dhe keqpërdorimit të simbolikës, veçanërisht kur bëhet fjalë për objekte fetare dhe figura politike aktuale./tn