Irani i ka shpallur ushtritë e vendeve evropiane si “grupe terroriste”, deklaroi të dielën kryetari i parlamentit, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë të njëjtin status Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC).
Ligjvënësit u paraqitën të veshur me uniformat jeshile të Gardës Revolucionare, në shenjë solidariteti gjatë seancës parlamentare, ku brohoritën “Vdekje Amerikës”, “Vdekje Izraelit” dhe “Turp për ju, Evropë”, sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni shtetëror.
Duke e quajtur veprimin e bllokut “të papërgjegjshëm”, kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Qalibaf tha se, në bazë të “Nenit 7 të Ligjit për Kundërmasat ndaj Shpalljes së IRGC-së si Organizatë Terroriste, ushtritë e vendeve evropiane konsiderohen grupe terroriste”.
Mbetet e paqartë se çfarë ndikimi të menjëhershëm do të ketë ky vendim.
Ligji u miratua fillimisht në vitin 2019, kur Shtetet e Bashkuara e klasifikuan Gardën Revolucionare si organizatë terroriste.
Seanca e së dielës u mbajt në 47-vjetorin e kthimit nga mërgimi të Ajatollah Ruhollah Khomeinit, tashmë i ndjerë, i cili themeloi Republikën Islamike në vitin 1979.
Garda Revolucionare është krahu ideologjik i ushtrisë iraniane, me detyrë mbrojtjen e revolucionit islamik nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme.
Ajo është akuzuar nga qeveritë perëndimore për organizimin e shtypjes së një vale të fundit protestash, që la mijëra të vdekur.
Teherani ia ka atribuar dhunën “akteve terroriste” të nxitura nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Bashkimi Evropian u pajtua të enjten që ta përfshijë këtë trupë në listën e “organizatave terroriste”, për shkak të reagimit ndaj protestave.
Ky hap përputhet me klasifikime të ngjashme të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia.
Qalibaf tha se vendimi, “i zbatuar në përputhje me urdhrat të presidentit amerikan dhe udhëheqësve të regjimit sionist, përshpejtoi rrugën e Evropës drejt irrelevancës në rendin botëror të së ardhmes”.
Sipas tij, ky veprim vetëm sa e ka rritur mbështetjen e brendshme për Gardën Revolucionare./tn















