Moderatori: Mirëmbrëma, mirë se vini në “CLICK PLUS”.
Sonte flasim me kryetarin e Lëvizjes Besa nga koalicioni VLEN, njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami.
Z. Kasami, mirëmbrëma, mirë se erdhët.
Bilall Kasami: Mirëmbrëma, faleminderit për ftesën.
Jurisprudenca në gjuhën shqipe dhe reagimet politike
Moderatori: Faleminderit që jeni sonte këtu. Nisim me temën më aktuale: provimi i jurisprudencës për studentët, çështje që u bë lajm dhe solli deklarata kundërthënëse. Ju takuat studentët dje dhe thatë se provimi do të jepet edhe në gjuhën shqipe. Çfarë po ndodh realisht?
Bilall Kasami: Unë do ta nis pak më ndryshe. Me ardhjen e VLEN-it në qeveri u hapën shumë çështje dhe probleme që janë rezultat i qeverisjes 20-vjeçare të BDI-së. Sot BDI i aktualizon, gjë që s’është keq, por faktet janë këto: për 20 vite nuk i zgjidhën, ndërsa tani kërkojnë t’i përdorin politikisht.
Moderatori: Po pse ta përmendim tani BDI-në?
Bilall Kasami: Sepse një pjesë e problemeve janë direkt pasojë e asaj periudhe. Ka së paku dy çështje kruciale për pozitën e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut:
E para është çështja e “balancuesit”, që u rregullua me mekanizëm administrativ, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe tani duhet rregulluar me ligj.
E dyta është çështja e medresesë – një “mashtrim klasik” që Gjykata Kushtetuese e demaskoi dhe duhet të zgjidhet me ligj.
Moderatori: Të kthehemi te jurisprudenca…
Bilall Kasami: Edhe këtu situata është e ngjashme. Që nga viti 2018 (nëse nuk gaboj), me Ligjin për gjuhët – për gjuhën që e flasin mbi 20% – ka pasur bazë ligjore. Ministrat shqiptarë të Drejtësisë nga BDI kanë pasur kompetencë të plotë që, brenda ministrisë, ta rregullojnë që studentët që studiojnë në shqip, ta japin edhe provimin e jurisprudencës në shqip. Nuk e kanë bërë.
Tani duhet të vijë VLEN-i që ta garantojë me ligj, që të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.
Moderatori: Pra, po thoni që nuk duhej ndryshim ligji, por vullnet i ministrit?
Bilall Kasami: Pikërisht. Ligji për gjuhët e lejon, ndërsa ligji për provimin e jurisprudencës nuk e ndalon – thjesht nuk e përcakton qartë gjuhën. Ministri mundet me akt normativ ta përcaktojë që provimi mbahet në maqedonisht dhe në shqip.
Ne si qeveri dhe si VLEN, bashkë me partnerët, kemi nisur konsultimet: a shkon si propozim-ndryshim ligji nga qeveria, apo direkt në Kuvend si propozim nga deputetët e shumicës.
Moderatori: Kryeministri ka thënë se “duhet ligj i posaçëm”. Pse duhet ligj i posaçëm kur shqipja është gjuhë zyrtare?
Bilall Kasami: Unë nuk jam jurist, por nga konsultimet me ekspertë del që me vullnet të ministrit, çështja zgjidhet edhe pa ligj të ri. Por kryeministri e tha qartë se duhet zgjidhur me ligj, që të mos mbetet në vullnetin e ministrit të ardhshëm.
Dhe kjo është e drejtë: sot e vendos një ministër, nesër e ndryshon tjetri – dhe vazhdojmë me debate të pafund.
Moderatori: Ju përmendët edhe ministrin Filkov dhe se mund të shkarkohet në rikonstruimin e qeverisë deri në qershor. A po e shtyn ai çështjen drejt temave ndëretnike?
Bilall Kasami: Unë vlerësoj se ai po mundohet ta shfrytëzojë situatën për poena politikë, duke e kthyer çështjen në temë ndëretnike, sidomos duke pasur parasysh retorikën e partisë nga vjen (ZNAM).
Kryeministri ishte korrekt: nuk i dha peshë të tepruar këtij debati, por e orientoi zgjidhjen te ligji.
Moderatori: Po nëse studentët nesër dalin në protesta? A ka përgjegjësi politike tani?
Bilall Kasami: Me studentët kemi folur që kjo të mos trajtohet si problem ndëretnik dhe të mos i japim peshë një individi që kërkon hapësirë publike. Procedura do të shkojë drejt konfirmimit me ligj.
Po analizohen dy rrugë: përmes qeverisë ose përmes propozimit të deputetëve të shumicës – nëse ka rezistencë nga ministri përkatës.
Moderatori: Studentët kanë kërkuar takim edhe me kryetarin e Kuvendit…
Bilall Kasami: Po, dhe aty do t’u sqarohen procedurat që ndryshimi të futet sa më shpejt dhe të kalojë sa më shpejt, që kjo e drejtë e mohuar ndër vite të lejohet më në fund.
Rikonstruimi i qeverisë dhe dikasteri i Drejtësisë
Moderatori: A do të kërkoni që, në rikonstruim, VLEN/Besa ta marrë Ministrinë e Drejtësisë?
Bilall Kasami: Dikasteri i Drejtësisë është ndër më të rëndësishmit, sidomos në fazën e eurointegrimeve, sepse harmonizimi i legjislacionit kërkon koordinim të fortë.
Ne do të ishim të gatshëm të udhëheqim me këtë dikaster, por këto çështje nuk janë diskutuar ende si vendim final. Në periudhën që vjen, do të hapen temat e rokatave dhe ndërrimeve të dikastereve, dhe ne do të veprojmë konform përgjegjësive që kemi marrë.
Besa në qeveri: pakënaqësi, vlerësime dhe mundësi ndryshimesh
Moderatori: Tani për Besën: a jeni të kënaqur me pozicionin e Besës në qeveri dhe me resortet që drejton?
Bilall Kasami: Nuk mund të them se jemi plotësisht të kënaqur. Gjithmonë ka nevojë për më shumë angazhim. Kemi bërë analiza për anët e forta dhe të dobëta të qeverisjes sonë.
Brenda javës kemi thirrur mbledhje të Kuvendit Qendror për të diskutuar pozicionin tonë në qeveri dhe rrugëtimin e mëtejmë. Funksionarët do të raportojnë për rezultatet.
Moderatori: Kur thoni “vendim për rrugëtimin”, çfarë opsionesh ka?
Bilall Kasami: Opsionet mund të përfshijnë edhe rishikimin e pozicioneve të disa drejtuesve. Madje, dje në mbledhje të qeverisë u bë rokatë në një pozicion të rëndësishëm: Byroja për Meteorologji, sepse nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Tani ka drejtor të ri.
Kjo mund t’u ndodhë edhe ministrave, zëvendësministrave, drejtorëve: nëse konstatohet mos-performancë, mund të ndërrohen.
Moderatori: Një nga ministritë më të mëdha që ka Besa është Politika Sociale, me ministrin Fatmir Limani. Ka zëra se “nuk pyet”. A e keni në kontroll?
Bilall Kasami: Ka pasur shqetësime nga anëtarë të Besës për komunikimin e ministrit, por dua ta trajtojmë fillimisht brenda organeve të partisë. Do t’i shqyrtojmë të gjitha në kompleksitetin e tyre.
Në përgjithësi, performanca e drejtuesve tanë mund të jetë edhe më e mirë, dhe këtë do ta diskutojmë në mbledhjen e së enjtes.
Moderatori: A mund të ketë përçarje brenda Besës?
Bilall Kasami: Nuk do ta quaja përçarje. Ata që e duan Besën dhe VLEN-in s’duhet ta duan të kushtëzuar me pozita. Pozitat janë të përkohshme; angazhimi politik duhet të jetë i përhershëm.
Në nivel lokal kam vepruar njësoj: kur s’kam qenë i kënaqur me drejtues, janë shkarkuar; kur kam konstatuar keqpërdorime, kam dërguar revizionin dhe prokuroria ka ngritur padi edhe ndaj drejtorëve që i kam emëruar.
Nuk do të tolerojmë performancë të dobët e sidomos keqpërdorime.
Moderatori: A e keni autoritetin ta ndryshoni edhe ministrin Limani, nëse s’ka sqarim?
Bilall Kasami: Po. Përderisa është në atë pozitë si propozim i VLEN-it nga Lëvizja Besa, në rikonstruimin e parë propozimet vijnë nga VLEN-i, duke respektuar marrëveshjet brenda koalicionit.
Zëvendësministrat dhe problemi sistemor
Moderatori: Zëvendësministri i Kulturës, Sedat Sulejmani – a jeni të kënaqur, a shkon në punë?
Bilall Kasami: Pozita e zëvendësministrave është delikate dhe është problem sistemor, jo domosdoshmërisht i individit. Ligji nuk u jep kompetenca reale; gjithçka varet nga vullneti i ministrit.
E pamë edhe rastin e zëvendësministrit të Arsimit që dha dorëheqje për arsye të ngjashme. Për të matur performancën, duhet të kesh kompetencë – e në këtë sistem, zëvendësi shpesh s’ka hapësirë.
Moderatori: Po projektet shqiptare në kulturë kanë marrë pak fonde…
Bilall Kasami: Ka edhe trashëgimi nga e kaluara: fondet nuk janë menaxhuar mirë dhe institucionet shqiptare nuk e kanë rritur kapacitetin për aplikim. Këtë vit kriteret janë bërë më rigoroze dhe fatkeqësisht kanë penalizuar më shumë aplikuesit shqiptarë.
Ne e kemi identifikuar dhe do të punojmë që vitet e ardhshme të mos ketë diskrepancë të tillë.
Ministria e Ekonomisë dhe kompetencat
Moderatori: Ministria e Ekonomisë me ministrin Besar Durmishi – thoni se është “e zhveshur nga kompetencat”, sidomos energjetika. A jeni të kënaqur?
Bilall Kasami: U bë riorganizim i qeverisë: energjetika dhe tregtia e jashtme u larguan nga Ekonomia, pati një hendek kohor. Por nga janari 2026, me ndryshimet e fundit ligjore, Ministrisë së Ekonomisë i është kthyer një kompetencë shumë e rëndësishme: fondet serioze për përkrahje të bizneseve dhe subvencionimin e sektorit real, që më herët ishin te zëvendëskryeministri për ekonomi.
Kjo e kthen ministrinë në pozicionin e duhur për të kontribuar realisht në zhvillimin ekonomik.
“Parqe dhe gjelbërime” në Shkup dhe vendbanimet shqiptare
Moderatori: E keni marrë edhe ndërmarrjen publike “Parqe dhe gjelbërime” në Shkup. A do të punojë drejtori më shumë në komunat shqiptare, pasi më herët janë anashkaluar?
Bilall Kasami: Po, është konstatim i drejtë që vendbanimet shqiptare janë anashkaluar. Drejtori i ri e ka pasur prioritet nga dita e parë të angazhohet në Çair, Saraj dhe parqet e këtyre komunave. Qyteti duhet të trajtohet si tërësi, jo sipas përkatësisë etnike.
Rikonstruimi: sa ndryshime priten?
Moderatori: Sa ndryshime priten në rikonstruim? Vetëm emra apo edhe ndërrim dikasteresh?
Bilall Kasami: Mund të ketë ndryshime më të thella, jo vetëm emra. Kjo varet nga partnerët e koalicionit, por edhe nga zhvillimet brenda VLEN-it, sepse sot jemi në një momentum të ri.
Ministrat do të vlerësohen. Dikush mund të shkarkohet, dikush mund të ndërrojë dikaster. Procesi eurointegrues kërkon “freskim” dhe shtytje të re.
VLEN-i: bashkim, lidership dhe formatimi i së ardhmes
Moderatori: A jeni më afër bashkimit apo ndarjes?
Bilall Kasami: Nuk ka diskutim për ndarje. Diskutohet vetëm forma e bashkimit: a do të jetë koalicion formal me struktura të qarta, apo themelim i një partie/organizate të vetme politike, me strukturë të re udhëheqëse.
Nga takimi i fundit ka pasur edhe propozim konkret për strukturën e lidershipit, nga deputeti Bekim Qoku.
Moderatori: Po çështja e liderit: rotacion, bashkëkryetar… çfarë preferoni?
Bilall Kasami: Prioritet është dakordësia e të gjithëve. Nëse ka dakordësi, cilido opsion është i pranueshëm: rotacion ose bashkëkryetar. Nëse s’ka dakordësi të plotë, unë do të përkrahnim opsionin që nënkupton integrim më të lartë – pra një strukturë më të unifikuar dhe më funksionale.
Moderatori: Disa thonë Alternativa ka marrë më shumë pozita…
Bilall Kasami: Nuk është kështu. Kryetari i Kuvendit përfaqëson të gjithë qytetarët, jo vetëm një subjekt. Në VLEN funksionohet mbi moratoriumin partiak: flasim si VLEN. Ndarjet janë bërë me dakordësi që në fillim.
Deputetë të pavarur dhe afrime të reja
Moderatori: A keni biseduar me deputetin Ilir Demiri, tani i pavarur?
Bilall Kasami: Po, jemi në komunikim, si me të ashtu edhe me deputetë e individë të tjerë të rëndësishëm. Ka lëvizje drejt VLEN-it. Por shumë prej këtyre faktorëve kërkojnë perspektivë të qartë: si do të organizohet VLEN-i në të ardhmen.
Takimi i liderëve dhe roli i diasporës
Moderatori: Në takimin e liderëve keni kërkuar përfshirje më të madhe të diasporës. A po punohet?
Bilall Kasami: Po. Është në procedurë formimi i grupit të përbashkët në Kuvend që diskuton Kodin Zgjedhor. Duhet ndryshim i njësive zgjedhore, përfshirje më e madhe e diasporës, garantim i votës së lirë. Modalitetet do të punohen në grupin e punës.
Pse Ahmeti kërkoi takim “kokë më kokë” me Mickovskin?
Moderatori: Pse mendoni se z. Ali Ahmeti kërkoi takim kokë më kokë me Mickovskin?
Bilall Kasami: Sepse ai kërkon ta luajë lojën e “dakordimit” për zgjedhje të parakohshme dhe kthimin e BDI-së në qeveri. Kokë më kokë, ai mund të thotë çfarë të dojë. Kur jemi të gjithë në tavolinë, është fjala e tij kundër të tjerëve dhe nuk e ka lehtë ta manipulojë narrativën.
Është kërkesë oportuniste për t’i mbajtur aktivistët të mobilizuar, sepse po sheh rrënimin e BDI-së dhe AKI-së.
Takimi me ambasadorin e Shqipërisë dhe debatet në opinion
Moderatori: Ju takuat ambasadorin e Shqipërisë dhe po atë ditë ai takoi edhe z. Ahmeti. U interpretua shumë…
Bilall Kasami: Unë nuk refuzoj takim me ambasador të asnjë shteti, sidomos të Shqipërisë. Në takim i thashë atë që mendoj: ambasadori duhet të përfaqësojë shtetin shqiptar dhe të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, jo të futet në debate partiake këtu.
Ka shqetësime brenda VLEN-it për aktivitetin e tij publik, por ne çdo kritikë e vlerësojmë. Megjithatë, përgjegjësinë e kemi ndaj qytetarëve.
Moderatori: Ambasadori ka shkruar “sabër”… mendoni se lidhet me këto çështje?
Bilall Kasami: Mund të jetë presion politik, por ne nuk punojmë sipas statuseve. Ne kemi garantuar me studentët dhe me faktorët politikë se kjo çështje do të zgjidhet.
Vetura në takimin e liderëve: reagimet dhe sqarimi
Moderatori: Lajmi më i madh nga takimi doli vetura me të cilën erdhët…
Bilall Kasami: Kërkoj falje nëse dikush është ndjerë i fyer. Unë nuk kam veturë personale; përdor veturë të prindit ose të partisë. Ajo veturë ishte e një kushëriri tim. Janë bërë insinuata për keqpërdorime në komunë, asnjë nuk qëndron. Ai ka dhënë donacion për komunën dhe s’ka marrë tender nga Komuna e Tetovës.
Nëse mesazhi u lexua gabim, kërkoj falje, por s’ka qenë qëllimi.
Arianit Hoxha në BDI
Moderatori: Si e komentoni kalimin e Arianit Hoxhës nga partia juaj në BDI, madje nënkryetar?
Bilall Kasami: Nuk dua ta komentoj gjatë. Do t’i them vetëm z. Ahmeti: faleminderit për këtë “shërbim”. Le ta vlerësojnë brenda BDI-së.
Tetova: legalizimet, urbanizmi, Kodra e Diellit, stadiumi, transporti publik
Zgjatja e afatit për legalizime
Moderatori: Ka ligj të ri që e zgjat procesin e legalizimit edhe për 5 vite. Sa është i rëndësishëm për Tetovën?
Bilall Kasami: Shumë i rëndësishëm. Në Tetovë ka shumë shtëpi të ndërtuara në territorin e Teqesë Arabati Baba, ku toka është pronë e BFI-së (Muftinia e Tetovës). Për legalizim duhet pëlqimi i pronarit të tokës, ndërsa BFI ka qëndrim që nuk i shet vakëfet.
Duhet zgjidhje për kompensim me toka të tjera. Vetëm për këtë problematikë ka rreth 200 objekte që s’janë legalizuar. Ka edhe raste të tjera me dokumentacion. Zgjatja e afatit u jep hapësirë qytetarëve t’i zgjidhin këto probleme.
Plani urbanistik dhe Kodra e Diellit
Moderatori: A pritet të ndryshohet plani urbanistik në Tetovë dhe në Kodrën e Diellit?
Bilall Kasami: Jemi në procedurë të Planit Gjeneral Urbanistik për Tetovën, që do t’i japë impuls të ri zhvillimit. Për Kodrën e Diellit, plani urbanistik dhe zhvillimor është në fazë përfundimtare, në koordinim me Ministrinë e Transportit dhe investitorët e mundshëm.
Ka investitor serioz nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pronari i “Mmar Group”, z. Muhamer Hallabar, i interesuar për investim në Maqedoni dhe në Kodrën e Diellit. Po presim sugjerimet e tij për t’i inkorporuar në plan.
Moderatori: Ka probleme të mëdha atje: trafik, parking, mungesë teleferiku…
Bilall Kasami: Po, dhe këtu jap një lajm: nga sezoni i ardhshëm do të jetë në shfrytëzim rruga qarkore që është hapur e tëra; këtë verë e asfaltuojmë dhe do ta zgjidhë ndjeshëm trafikun.
Po ashtu, nga sezoni i ardhshëm, në bashkëpunim me institucionet qendrore, do të sigurojmë transport publik me autobus nga qyteti në Kodrën e Diellit, që të mos shkojnë veturat dhe të bllokojnë komunikacionin. Do të ketë lokacione ku qytetarët parkojnë falas, ngjiten në autobus dhe shkojnë lart.
Stadiumi i Tetovës: afatet dhe dinamika
Moderatori: Stadiumi i Tetovës (i Shkëndijës) – afati është 2027. Si po shkojnë punimet?
Bilall Kasami: Jam i kënaqur me dinamikën. Brenda marsit përfundon tribuna e parë (përballë tribunës kryesore), ka nisur ndërtimi i tribunës së “Ballistëve” dhe më pas nis prishja e tribunës tjetër. Diku në prill/maj do të kemi: një tribunë të kompletuar, një në ndërtim dhe një në prishje për ndërtim.
Kemi takime javore me kompaninë. Konform kontratës, deri në 2027 Tetova do të ketë stadium super-modern.
Moderatori: A do të luajë edhe Teteksi?
Bilall Kasami: Patjetër. Stadiumi do të jetë i qytetit: Shkëndija, Teteksi dhe ekipet e tjera do ta përdorin, madje shpresoj edhe reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut të luajë ndeshje në Tetovë.
Kemi biseduar edhe për mundësinë e një ndeshjeje miqësore Shqipëri – Maqedoni e Veriut për promovimin e stadiumit.
Moderatori: Stadiumi financohet nga komuna, ndërtohet nga kompani e grupacionit “Ekolog”. A do t’i jepet operatorit privat?
Bilall Kasami: Ideja është që, pasi të kompletohet, të jepet me koncesion afatgjatë, sepse menaxhimi privat shpesh është më i suksesshëm se ai publik. Kjo do të diskutohet kur stadiumi të jetë gati.
Zhvillimi urban: nga qendra deri te stadiumi
Moderatori: Çfarë planifikohet te stadiumi i vjetër dhe zona përreth?
Bilall Kasami: Jemi në procedurë të ndryshimeve të planeve urbanistike për blloqet e stadiumit të ri dhe të vjetër, por edhe për katër blloqe urbane nga qendra deri te stadiumi (gjatë bulevardit “Ilinden”).
Parashihen ndërtesa të larta, 15–16 kate, dhe funksionalizim i zonës, që stadiumi të mos jetë periferi, por pikë referimi për aktivitete sportive dhe të përditshme.
Moderatori: Po qendra sportive dhe terrenet?
Bilall Kasami: Bashkë me projektin e stadiumit është edhe ndërtimi i qendrës sportive me dy terrene: një me bar artificial dhe një me bar natyral, si dhe zhveshtore moderne. Ky kompleks është për ekipet e kategorive më të ulëta dhe për stërvitje. Tetova do të ketë dy stadiume funksionale për futboll.
Transporti publik falas
Moderatori: Transporti publik falas – kur nis?
Bilall Kasami: Nesër e bëjmë promovimin e transportit publik falas për të gjithë qytetarët e Tetovës. Nuk është zgjidhje “shkel e shko”: kemi përgatitur aplikacion dhe mekanizma për të gjitha kategoritë e qytetarëve.
Pyetje qytetare: pagesat e komisioneve zgjedhore
Moderatori: Një pyetje nga qytetari Driton Mehazi: kur do të bëhet pagesa e anëtarëve të komisioneve zgjedhore?
Bilall Kasami: Nuk kam informacion që s’janë paguar, e dëgjoj jo për herë të parë. Do të interesohem në administratën e komunës.
Mbyllja
Moderatori: Z. Kasami, faleminderit shumë që ishit sonte mysafir në “Klik Plus”.
Bilall Kasami: Faleminderit edhe juve, kënaqësi.
Moderatori: Të nderuar shikues, kjo ishte biseda me kryetarin e Besës dhe kryetarin e Komunës së Tetovës, z. Bilall Kasami. Faleminderit për vëmendjen. Natën e mirë, shihemi në emisionet e radhës.















