Ballina Aktualitet Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë `Kurti 3`

Kuvendi i Kosovës zgjodhi Qeverinë `Kurti 3`

Deputetët e legjislaturës së dhjetë i dhanë dritën jeshile formimit të Qeverisë `Kurti 3` me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim.

“Urime, pas zgjedhjes së Qeverisë, anëtarët e Qeverisë e japin betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës” , tha kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Kryeministri i sapozgjedhur për katër vitet e ardhshme, Albin Kurti ka lexuar betimin para deputetëve të legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.

Ai është betuar bashkë me kabinetin e tij qeveritar, të përbërë nga 19 ministra, 4 ministri më shumë se në qeverisjen e kaluar. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu mbylli punimet e seancës së sontme, duke thënë se deputetët do të njoftohen për procedurat e mëtejme.

Pas gati një viti të humbur, Kosova u bë me institucione të reja. Kuvendi i Kosovës u konstitua mbrëmjen e së mërkurës (11 shkurt), duke bërë që në ulësen e kryetares së Kuvendit të ulet Albulena Haxhiu.

Pozitën e nënkryetarëve do ta mbajnë Ardian Gola nga LVV, Vlora Çitaku nga PDK, Kujtim Shala nga LDK, Sllavko Simic nga Lista Serbe dhe Emilja Rexhepi nga grupi multietnik.

Bllokada politike që çoi deri te zgjedhjet e parakohshme parlamentare rezultoi me daljen e Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt i parë politik më i votuar. Pas sagës së manipulimit me vota në shumë komuna të Kosovës dhe nisjes së procesit të rinumërimit, Komisioni Qendror Zgjedhor certifikoi rezultatin përfundimtar zgjedhor më 9 shkurt.

Kurti prezantoi kabinetin qeveritar, këta janë ministrat:
Kuvendi i Kosovës po mban një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të votohet qeveria e re.
Kryeministri Albin Kurti para deputetëve ka prezantuar kabinetin e ri qeveritar.
Këta janë ministrat të cilët i propozoi Kurti:
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka
Ministër i Financave , Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku
Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.