Me ndryshimet në Ligjin për Komunikime Elektronike, të publikuara për debat në Regjistrin e Vetëm Kombëtar të Rregulloreve (ENER), shteti po transpozon në legjislacionin vendor rregulloret e nevojshme evropiane për t’u bashkuar me iniciativën e Bashkimit Evropian “Roaming si në shtëpi”.
Kjo do t’u mundësojë qytetarëve dhe bizneseve të përdorin shërbimet mobile në vendet e BE-së pa kosto shtesë roamingu, sikur të ishin në rrjetin vendas.
Për ndryshimet ligjore, bartës i të cilave është Ministria e Transformimit Digjital, në ENER mund të dorëzohen komente edhe për katër ditë të tjera.
Çfarë parashikojnë ndryshimet?
Sipas draft-versionit, ligji do të vendosë rregulla të qarta për kufizimin e çmimeve të shërbimeve roaming, duke:
Rritur mbrojtjen e konsumatorëve përmes informimit transparent
Parandaluar kostot e papritura dhe të larta
Forcuar rolin rregullator të institucioneve kompetente në fushën e komunikimeve elektronike
Qëllimi është heqja e tarifave roaming gjatë udhëtimit në vendet e BE-së, rritja e sigurisë juridike dhe parashikueshmërisë së çmimeve, si dhe lehtësimi i qasjes në shërbime digjitale dhe komunikim mobil jashtë vendit.
Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, muajin e kaluar deklaroi në një intervistë televizive se obligimet e brendshme duhet të përfundojnë deri në shkurt, ndërsa pjesa tjetër do të jetë çështje lobimi dhe marrëveshjeje në nivel Maqedoni–BE dhe Ballkani Perëndimor–BE.
Hapat e mëtejshëm
Përveç transpozimit të katër rregulloreve në Ligjin për Komunikime Elektronike, deri në korrik të këtij viti duhet të miratohen edhe akte nënligjore nga Agjencia për Komunikime Elektronike.
Shteti është pjesë e Marrëveshjes Rajonale për Roaming në Ballkanin Perëndimor që nga 1 qershori 2021, me ç’rast qytetarët përdorin shërbimet mobile në vendet e rajonit pa kosto shtesë roamingu. Megjithatë, roamingu me vendet anëtare të BE-së ende nuk është rregulluar plotësisht sipas standardeve evropiane.
Komisioni Evropian, në Samitin e Liderëve me vendet e Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (30 qershor – 1 korrik 2025), njoftoi fillimin e procedurës për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore që do të mundësojë përfshirjen e vendeve të rajonit në iniciativën “Roaming si në shtëpi”.
Në gusht 2025, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Informacionin për Iniciativën e Komisionit Evropian për heqjen e kostove roaming me vendet e BE-së, si pjesë e Planit për Rritje për Ballkanin Perëndimor, së bashku me Planin e Veprimit për harmonizim me legjislacionin evropian për roaming.
Sipas planit të veprimit, Ministria e Transformimit Digjital, në bashkëpunim me Agjencinë për Komunikime Elektronike, duhet:
Deri më 22 dhjetor 2025 të përgatisë dhe t’i dorëzojë Qeverisë një analizë të detajuar të boshllëqeve ligjore (GAP analysis) ndërmjet legjislacionit kombëtar dhe rregulloreve përkatëse të BE-së
Deri në prill 2026 të hartojë aktet ligjore dhe nënligjore në bazë të kësaj analize.















