Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi sot se në Konferencën e Sigurisë në Mynih ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët “Derë e hapur apo fund i hapur? – Përmbushja e premtimeve për zgjerimin e BE-së”, ku, siç theksoi, ka prezantuar qëndrimet e vendit për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në një postim në profilin e tij në Facebook, Mickoski thekson se mesazhi, sipas tij, është i thjeshtë dhe se Maqedonisë së Veriut dhe rajonit “nuk u duhet proces pa fund, por një e ardhme evropiane e merituar dhe e parashikueshme”. Është koha, thotë Mickoski, që reformat dhe përpjekjet e qytetarëve të Maqedonisë të vlerësohen në mënyrën e duhur.
– Sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih mora pjesë në tryezën e rrumbullakët “Derë e hapur apo fund i hapur? – Përmbushja e premtimeve për zgjerimin e BE-së”, ku prezantova qartë qëndrimet tona për zgjerimin e BE-së. Mesazhi është i thjeshtë: Maqedonisë dhe rajonit nuk u duhet proces pa fund, por një e ardhme evropiane e merituar dhe e parashikueshme. Ka ardhur koha që reformat dhe përpjekjet e qytetarëve tanë të vlerësohen siç duhet, thuhet në postim.
Mickoski, dje, në ditën e dytë të Konferencës së 62-të të Sigurisë në Mynih, zhvilloi takime me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, me Richard Grenell, i dërguar special i presidentit të SHBA-së Donald Trump për misione të posaçme, si dhe me kryeministrin e Holandës Dick Schoof, presidentin për çështje globale dhe bashkëdrejtuesin e Institutit Global të Goldman Sachs, Jared Cohen, dhe me Ted Deutch nga Komiteti Amerikano-Hebraik.















