Ballina Bota Mur i lartë 150 metra dhe i gjatë 80 kilometra për shpëtimin...

Mur i lartë 150 metra dhe i gjatë 80 kilometra për shpëtimin e njerëzimit – plan ambicioz për ndalimin e shkrirjes së një prej akullnajave më të rrezikshme (VIDEO)

Një grup inxhinierësh dhe shkencëtarësh nga universitete kryesore botërore propozojnë ndërtimin e një barriere masive nënujore me qëllim që të ngadalësohet shpërbërja e akullnajës Thwaites në Antarktidën Perëndimore, e njohur edhe si “akullnaja e Kijametit”.

Kjo akullnajë kontribuon me rreth katër për qind të rritjes vjetore të nivelit të detit. Nëse do të shembej plotësisht, mund ta rrisë nivelin global të detit me rreth 65 centimetra, duke ekspozuar miliona njerëz ndaj përmbytjeve bregdetare.

Projekti, i vlerësuar në rreth 80 miliardë dollarë, parasheh vendosjen e një “perde nënujore” fleksibile të ankoruar në fundin e detit, transmeton “Atlantic”. Ajo do të ishte gati 150 metra e lartë dhe rreth 80 kilometra e gjatë, me qëllim që të bllokojë rrymat e ngrohta oqeanike që e shkrijnë akullin nga poshtë. Qëllimi nuk është të ndalen ndryshimet klimatike, por të ngadalësohet shkrirja dhe të fitohet kohë derisa ulja e emetimeve të japë rezultate.

Ideja vjen nga “Projekti për Perde të Ankoruar në Fundin e Detit”, një bashkëpunim ndërmjet shkencëtarëve, inxhinierëve dhe ekspertëve të politikave, të cilët pretendojnë se vetëm ulja e emetimeve mund të mos jetë e mjaftueshme për stabilizimin e akullnajave.

Në projekt marrin pjesë ekipe nga universitetet e Kembrixhit, Çikagos dhe Nju Jorkut, si dhe institucione të tjera kërkimore. Parashihet një fazë trevjeçare kërkimi dhe testimi, përfshirë prova në një fjord norvegjez.

Paralelisht, shkencëtarë britanikë dhe jugkoreanë po kryejnë matje të thella nën vetë akullnajën, duke vendosur instrumente rreth 1.000 metra nën sipërfaqe për të monitoruar se si uji i ngrohtë detar ndikon mbi akullin. Të dhënat do të dërgohen çdo ditë përmes satelitit dhe do të ndihmojnë në parashikimin më të saktë të rritjes së ardhshme të nivelit të detit.

Edhe pse plani përballet me sfida serioze teknike për shkak të kushteve ekstreme në Antarktidë, shkencëtarët besojnë se zgjidhje të tilla inovative mund të jenë të domosdoshme për të parandaluar rritjen dramatike të nivelit të deteve botërore./TetovaNews