Midis 12 dhe 17 shkurtit 2026, Europol mbështeti agjencitë policore në Ukrainë, Poloni dhe Moldavi në një operacion të përbashkët kundër një rrjeti kriminal ndërkombëtar të përfshirë në prodhimin dhe tregtinë e drogërave sintetike, kryesisht katione sintetike si alfa-PVP.
Gjatë aksioneve të koordinuara, Policia Kombëtare e Ukrainës dhe Byroja Qendrore Hetimore e Polonisë kryen kontrolle në rreth 510 lokacione.
Me këtë rast, u shkatërruan 36 laboratorë të paligjshëm për prodhimin e drogës dhe 74 depo që përmbanin drogë të gatshme për shpërndarje.
Kallëzime penale u paraqitën kundër 129 personave, ndërsa 103 persona u privuan nga liria.
Hetimi zbuloi se rrjeti kriminal vepronte në disa vende, përfshirë Bjellorusinë, Moldavinë dhe Ukrainën.
Sipas hetuesve, grupi udhëhiqej nga një organizator nga Ukraina, i cili themeloi dhe pajisi laboratorë të paligjshëm me pajisjet dhe substancat kimike të nevojshme.
Besohet se ai kishte lidhje të forta me struktura kriminale në Poloni, përmes të cilave siguroheshin prekursorë, kimikate kyçe dhe pajisje, shpesh duke përdorur subjekte afariste të ligjshme si mbulesë.
Ndër të tjera, rrjeti kriminal keqpërdorte kompani të ligjshme të menaxhuara nga persona nga Polonia dhe Lituania, të lidhur më parë me prodhimin e paligjshëm të drogërave sintetike.
Operacioni u zhvillua si pjesë e EMPACT (Platforma Evropiane Multidisiplinare për Luftë kundër Kërcënimeve Kriminale), një iniciativë që merret me format më të rëndësishme të krimit të organizuar dhe të rëndë ndërkombëtar që prekin Bashkimin Evropian.
EMPACT forcon bashkëpunimin informativ, strategjik dhe operacional ndërmjet autoriteteve kombëtare, institucioneve të BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë./TetovaNews















