Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se India synon të heqë dorë në të ardhmen nga importet e naftës nga Rusia. Sipas Trumpit, kryeministri indian Narendra Modi i ka premtuar këtë gjatë një bisede telefonike, duke theksuar se India do të blejë “shumë më tepër” naftë “nga Shtetet e Bashkuara dhe ndoshta edhe nga Venezuela”.
“Kjo do të ndihmojë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë”, shkroi Trump të hënën në platformën e tij online Truth Social.
Nga ana tjetër, SHBA-të i kanë ofruar Indisë një ulje të përgjithshme të tarifave doganore “nga 25 në 18 për qind”, shtoi presidenti amerikan. Kjo parashikohet në një marrëveshje tregtare që do të hyjë në fuqi “me efekt të menjëhershëm”.
Sipas Trumpit, Modi është zotuar gjithashtu të ulë në zero tarifat e importit të Indisë për produktet amerikane dhe të zgjerojë investimet shumë-miliardëshe të planifikuara në Shtetet e Bashkuara./tn















