Autoritetet federale amerikane thuhet se kanë zbuluar komunikime të koduara që besohet se burojnë nga Irani dhe që potencialisht veprojnë si një “shkaktar operacional” për rrjetet e agjentëve të fjetur jashtë vendit. Paralajmërimi u është dërguar agjencive të zbatimit të ligjit.
Lajmi është publikuar nga ABC News që i referohet “analizës paraprake të sinjalit” të një transmetimi “me shumë mundësi me origjinë iraniane”. Ai u ritransmetua nëpër disa vende menjëherë pas vdekjes së Ajatollah Ali Khameneit më 28 shkurt.
Transmetimi i përgjuar ishte i koduar dhe me sa duket i destinuar për marrës të panjohur që zotërojnë çelësin e deshifrimit. Ky është një lloj mesazhi që synon të transmetojë udhëzime te “agjentët e fshehtë ose qelizat e fjetura” pa përdorimin e internetit ose rrjeteve të telefonisë celulare.
Sipas paralajmërimit, është e mundur që transmetimet “të kenë për qëllim aktivizimin ose dhënien e udhëzimeve për “bërthamat” që veprojnë jashtë vendit të origjinës”.
“Edhe pse përmbajtja e saktë e këtyre transmetimeve nuk mund të zbulohet aktualisht, shfaqja e papritur e një stacioni të ri me gjurmë transmetimi ndërkombëtar kërkon vigjilencë të shtuar operative”, – thuhet në paralajmërim.
Edhe pse dokumenti thekson se “nuk ka asnjë kërcënim operacional të lidhur me një vendndodhje specifike”, ai u bën thirrje agjencive të zbatimit të ligjit të intensifikojnë monitorimin për aktivitete të dyshimta në frekuencat e radios.
Nëse informacioni konfirmohet, kjo do të përforcojë frikën e shprehur nga zyrtarët pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, në lidhje me “bërthamat e fjetura” që janë vendosur në vendet perëndimore dhe që mund të aktivizohen për hakmarrje. ©LAPSI.al















