Ballina Bota “O e ka djeg veten” – dalin pamjet tronditëse nga djegia e...

“O e ka djeg veten” – dalin pamjet tronditëse nga djegia e një autobusi në Zvicër, dëgjohet biseda mes shqiptarëve

Pamje tronditëse kanë dalë nga incidenti i rëndë me zjarr që ndodhi në një automjet postar në Friburg të Zvicrës, ku sipas raportimeve fillestare gjashtë persona humbën jetën. Ngjarja ka shkaktuar panik dhe reagime të shumta nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes.

Sipas raportimit të publikuar nga mediumi zviceran Blick, redaksia ka marrë shumë fotografi dhe video nga lexuesit që tregojnë përmasat e mëdha të shkatërrimit. Flakët nga automjeti postar thuhet se arrinin disa metra lartësi, ndërsa tymi i dendur ishte i dukshëm nga kilometra larg.

Në një video që ka siguruar media, dëgjohet një burrë i tronditur teksa flet në gjuhën shqipe dhe tregon se çfarë ka ndodhur.

Në video, burri pyetet se çfarë kishte ndodhur. Ai përgjigjet në gjuhën shqipe: “O nuk e di bre, po thonë që një person e ka djegur veten…”, dëgjohet tek rrëfen ai, duke shtuar se personi kishte hedhur benzinë mbi vete dhe më pas ishte vetëdjegur.

Rreth vendit të ngjarjes fluturonin pupla nga xhaketat e shkatërruara, ndërsa kalimtarët shiheshin të tmerruar nga ajo që kishte ndodhur. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes, nga automjeti kishte mbetur vetëm skeleti i djegur.

Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Një shqiptar ishte dëshmitar i ngjarjes tronditëse në Zvicër: Gomat e autobusit fluturuan 200 metra larg

Një autobus që po digjej në qendër të Kerzers në Fribourg të Zvicrës mori gjashtë jetë njerëzish të martën në mbrëmje dhe i la të lënduar pesë të tjerë. Dëshmitarët okularë raportojnë për skena dramatike dhe një përhapje shpërthyese të flakëve.

Kur të martën në mbrëmje rreth orës 18.25 në Kerzers FR autobusi u përfshi nga flakët, banorëve dhe kalimtarëve iu shfaq një pamje tmerri. Gjashtë njerëz humbin jetën në zjarrin shkatërrues, të paktën pesë të tjerë u lëdnuan. Mekaniku Astrit B.* (40), punishtja e të cilit ndodhet jo larg vendit të zjarrit, përshkruan për gazetën zvicerane Blick minutat dramatike në të cilat u zhvillua gjithçka.

Siç deshi rastësia, te ai ndodheshin pikërisht policë, sepse te ai ishte bërë një vjedhje. “Pastaj njëri nga policët papritur tha: ‘Ju lutem qëndroni pak të qetë’ – ai po dëgjonte komunikimin në radio. Pak më vonë tha: ‘Duhet të nisemi menjëherë, është një emergjencë’”, tregon ai.

“Ajo që pashë pastaj ishte tronditëse”

Pak më pas Astriti kishte parë një re gjigante tymi të zi. “Policët hipën në veturë dhe brenda 30 sekondash ishin atje. Unë shkova menjëherë pas tyre – ajo që pashë pastaj ishte tronditëse”.

Autobusi kishte marrë flakë në mes të qendrës së fshatit. “Nga nxehtësia shpërthyen edhe gomat dhe fluturuan deri në 200 metra larg”, kujton dëshmitari. Dy policë – një burrë dhe një grua – kishin qenë të parët në vendngjarje dhe kishin provuar të koordinojnë operacionin e shpëtimit.

Zjarrfikësit, baza e të cilëve ndodhet drejtpërdrejt përballë garazhit, kishin nevojë për disa minuta derisa të mund të ndërhynin. “Gjithçka ndodhi kaq shpejt – dhe pastaj brenda pak çastesh gjithçka u përfshi nga flakët”, thotë mekaniku.

“Gruaja ime zakonisht udhëton gjithmonë me këtë autobus”

Se si i shpëtuan disa njerëz kësaj tragjedie, e tregon historia e Justyna S.* (39) nga Kerzers. Normalisht ajo shkon çdo ditë në punë pikërisht me këtë linjë autobusi postar, tregon bashkëshorti i saj. “Kishim vërtet fat – gruaja ime zakonisht shkon gjithmonë me këtë autobus në punë. Sot pata fatin ta marr vetë personalisht”.

Nëse ai do të ishte nisur vetëm pak më vonë, gjithçka do të dukej ndryshe, është i bindur ai: “Nëse do të isha vonuar ose nuk do të kisha mundur ta merrja, ajo do të kishte udhëtuar me këtë linjë – dhe unë nuk do t’ia falja kurrë vetes”. Gruaja e tij është veçanërisht e tronditur, sepse ajo i njeh shoferët në atë linjë dhe çdo ditë udhëton me ta.