Rrjedha e krimit që ndodhi të dielën mbrëma në Majac të Podujevës po merr një kthesë tjetër.
Klankosova.tv ka mësuar se e dyshuara tashmë e ndjerë, Ardita Gashi, e cila vrau Ilaz Brahimin dhe gruan e axhës, Miradije Gashin, një orë para krimit kishte pirë kafe në një lokal me të dashurin e saj, 45-vjeçarin nga Obiliqi.
Sipas burimeve të siguruara, Ardita dhe Ilazi kishin hyrë të tensionuar në një kafene dhe aty kanë qëndruar për rreth një orë.
Po ashtu, çifti tashmë i ndjerë kanë pirë nga tre kafe dhe herë pas here kanë folur me tone të larta.
Ndër të tjera, është mësuar se në momentin e pagesës, të dy janë ngritur në këmbë, ndërsa Ardita kishte lënë çantën e dorës në karrigen pranë tavolinës ku kishin pirë kafe. Menjëherë pas pagesës, ajo ishte kthyer për ta marrë.
Pasi 31-vjeçarja dhe 45-vjeçari kanë dalë nga lokali, janë nisur drejt veturës së tipit Volkswagen me ngjyrë të bardhë. Fillimisht, Ardita ishte ulur në sediljen e përparme, por sipas burimeve, pas vetëm pak minutash ajo kishte kaluar në pjesën e pasme të veturës.

Në fshatin Majac të Podujevës ka ndodhur një ngjarje e rëndë, ku fillimisht u vra Ilaz Brahimi, ndërsa më pas u plagos rëndë edhe Miradije Gashi, gruaja e axhës së Ardita Gashit. Sipas Policisë së Kosovës, 31-vjeçarja Ardita Gashi dyshohet se pas vrasjes së Brahimit ka hyrë në shtëpi, ka plagosur gruan e axhës dhe më pas ka qëlluar edhe veten. Miradije Gashi ndërroi jetë në QKUK rreth orës 03:35, ndërsa më vonë vdiq edhe vetë Ardita Gashi. Rasti tashmë ka përfunduar me tre viktima. Policia dhe Prokuroria kanë sekuestruar armën, gëzhojat dhe prova të tjera, ndërsa motivi ende nuk dihet dhe hetimet po vazhdojnë.
















