Ballina Aktualitet Bërvenica në zi: Ndërron jetë në moshën 58-vjeçare kryetari Jovica Ilievski

Bërvenica në zi: Ndërron jetë në moshën 58-vjeçare kryetari Jovica Ilievski

Bërvenica është në zi pas lajmit për vdekjen e papritur të kryetarit të komunës, Jovica Ilievski. Ai ndërroi jetë sot, më 23 qershor 2026, në moshën 58-vjeçare. Shkaqet e vdekjes së tij, deri tani, nuk janë bërë të ditura zyrtarisht.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta tronditi opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht banorët e Bërvenicës dhe rajonit të Pollogut, ku Ilievski ishte një figurë e njohur politike, lokale dhe sportive.
Jovica Ilievski ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës nga viti 2021. Në zgjedhjet e fundit lokale ai fitoi besimin e qytetarëve edhe për një mandat tjetër, duke vazhduar drejtimin e komunës në një periudhë kur po realizoheshin projekte dhe aktivitete të ndryshme lokale.


Para se të zgjidhej kryetar komune, Ilievski kishte qenë anëtar i Këshillit të Komunës së Bërvenicës në periudhën 2013–2017. Karriera e tij profesionale ishte e lidhur edhe me sektorin e shëndetësisë, pasi nga viti 1999 deri në nëntor të vitit 2021 kishte punuar në Spitalin Klinik të Tetovës.


Përveç politikës lokale dhe administratës publike, Ilievski ishte i njohur edhe për angazhimin në sport. Ai kishte qenë aktiv në strukturat e futbollit, duke punuar me kategoritë e reja në kuadër të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, më pas edhe me përfaqësuesen U21, ndërsa nga viti 2016 mbante edhe funksionin e nënkryetarit të Lidhjes së Futbollit të Tetovës.
Sipas biografisë së tij zyrtare, Ilievski ka lindur më 3 maj 1968 në Tetovë. Shkollimin fillor e kishte përfunduar në vendlindjen e tij, në Çellopek, ndërsa arsimin e mesëm në Qendrën Mjekësore Shkollore “Nikolla Shtejn” në Tetovë. Ai ishte i martuar dhe baba i dy fëmijëve të rritur.


Pas lajmit për vdekjen e tij, reagime të shumta ngushëllimi u publikuan nga politikanë, bashkëpunëtorë, miq dhe qytetarë.
Kryeministri Hristijan Mickoski, përmes një postimi në rrjetet sociale, shkroi se me pikëllim të thellë e ka pranuar lajmin për vdekjen e papritur të kryetarit të Bërvenicës. Ai e përshkroi Ilievskin si njeri punëtor, të ndershëm dhe modest, të përkushtuar plotësisht ndaj qytetarëve dhe komunës që drejtonte.
“Funksionin e kuptonte si detyrim ndaj qytetarëve, ndërsa besimin që e mori e arsyetonte me punë, me prani dhe me rezultate. Ishte gjithmonë mes njerëzve. I dëgjonte, u ndihmonte dhe luftonte për nevojat e tyre”, shkroi Mickoski.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Ilievski do të mbahet mend si një dashamir i madh i sportit, njeri me energji të fortë, qasje të sinqertë dhe zemër të hapur.
“Në këto momente të dhimbshme, mendimet e mia janë me familjen e tij, me më të afërmit e tij, me qytetarët e Bërvenicës dhe me të gjithë ata që e njihnin dhe e respektonin. Joco, në zgjedhjet e fundit e fituam betejën më të rëndësishme për Bërvenicën tënde. Vepra dhe kujtimi për ty nuk do të harrohen. Kujtim i përjetshëm!”, shkroi Mickoski.
Nga Ilievski u nda edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, i cili e quajti atë mik të dashur, koleg dhe njeri të madh.
“Joco, të gjithë jemi në shok dhe mosbesim. Është e vështirë të pranohet se nuk je më mes nesh, por edhe më e vështirë është të gjenden fjalë për një njeri si ti”, shkroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se Ilievski la pas vetes një shpirt të hapur, buzëqeshje të sinqertë, njerëzi dhe një mision human që preku shumë njerëz.
“Dëshira jote për të ndihmuar, mirësia jote dhe prania jote do të mbeten përgjithmonë në kujtimet e të gjithë atyre që të njohën. Bërvenica është krenare për ty. Nuk do të harrohesh kurrë. Lavdi e përjetshme, mik”, thuhet në mesazhin e Gjorgjievskit.
Vdekja e papritur e Jovica Ilievskit ka lënë boshllëk të madh në Komunën e Bërvenicës, në jetën politike lokale dhe në komunitetin sportiv të rajonit. Deri në publikimin e këtij lajmi, nuk janë bërë të ditura zyrtarisht shkaqet e vdekjes dhe detajet rreth ceremonisë së varrimit./TetovaNews