Në përgjigje të pyetjeve të Portalb.mk për statusin aktual të rastit, Prokuroria nuk dha detaje të reja, duke përsëritur pothuajse të njëjtin qëndrim si në të kaluarën.
“Rasti që ju intereson është në procedurë paraprake hetimore dhe po trajtohet nga prokurori publik kompetent. Duke qenë se procedura paraprake hetimore është konfidenciale, nuk mund të ndahen informacione të mëtejshme në këtë moment”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Kjo përgjigje vjen pasi redaksia jonë kërkoi sqarime nëse është përfunduar analiza e dokumentacionit të mbledhur, çfarë ka ndodhur me kërkesën për ndihmë juridike ndërkombëtare drejtuar SHBA-së dhe nëse gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë veprime të reja nga institucionet kompetente.
Megjithatë, asnjë nga këto pyetje nuk mori përgjigje konkrete.
Zvarritja e rastit vjen në një periudhë kur koalicioni qeverisës VLEN vazhdimisht e përmend dhe akuzon BDI-në për këtë rast, madje, ka premtuar në vazhdimësi luftë më të ashpër kundër korrupsionit dhe zbardhjen e rasteve të profilit të lartë që për vite kanë dominuar debatin publik. Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve politike dhe premtimeve për reforma në sistemin e drejtësisë, një nga rastet më të përfolura që lidhet me Drin Ahmetin vazhdon të mbetet në fazën parahetimore, pa informacione konkrete për epilogun e tij.
Në shkurt të vitit 2025, Prokuroria deklaroi se institucionet vepronin në mënyrë aktive, se po mblidheshin dokumente shtesë dhe se vendimi për hapat e ardhshëm varej edhe nga informacionet që priteshin nga autoritetet amerikane. Në atë kohë, institucioni theksonte se procedurat e ndihmës juridike ndërkombëtare kërkojnë kohë më të gjatë për t’u realizuar.
Tashmë, më shumë se një vit më vonë, Prokuroria nuk tregon nëse ka pranuar përgjigje nga SHBA-ja, nëse është përfunduar analiza e dokumentacionit apo nëse ekzistojnë elemente që do ta çonin rastin në një fazë më të avancuar procedurale.
Soravia ka të bëjë me një seri transaksionesh të dyshuara financiare që lidhen me Drin Ahmetin dhe partnerin e tij, Nik Nazar Mehmetin, ku përfshihen miliona dollarë dhe euro. Këto transaksione kanë zgjuar dyshime për mundësinë e pastrimit të parave dhe përfshirjes në aktivitete të dyshimta financiare. Hetimet po zhvillohen edhe për çështje të tjera, duke përfshirë gjetjen e materialeve eksplozive në automjetin e Drin Ahmetit gjatë vitit të kaluar.
Në qershor 2023, mediat njoftuan se nipi i Ali Ahmetit, Drini, nëpërmjet kompanisë “Tor Industries”, bashkë me një kompani nga Shqipëria me emrin “Pe-vla-ku SHPK”, janë pronarët e rinj qendrës afariste “Soravia”, e cila ndodhet në Qendrën Tregtare të Qytetit në Shkup. Drin Ahmeti është edhe bashkëpronar i kompanisë “Everest JD” e cila ka koncesion aktiv për shfrytëzimin e gurit gëlqeror në lokalitetin “Bukoviq” në Zajaz, por që merret edhe me ndërtimin e objekteve të inxhinierisë civile.
Pas shumë akuzave dhe dyshimeve, Drin Ahmeti, në mars të vitit 2024 njoftoi se do të tërhiqet nga kompania “Top” që e bleu “Soravia-n”.
Atëkohë nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion thanë se nuk ka kurrfarë lidhje që është tërhequr, por e rëndësishme është se kush ka qenë person udhëheqës në momentin e kryerjes së veprave penale.
“Lidhur me ndryshimin e strukturës pronëse të subjektit juridik, ju përkujtojmë se në pajtueshmëri të ligjit, nëse ekziston përgjegjësi, barra është e atij personi i cili në momentin e ndodhjes eventuale të veprës penale ka qenë pronar ose ka udhëhequr me subjekt të caktuar juridik, madje prej aty ky ndryshim nuk do të ndikoj ndaj procedurës që zhvillohet”, thanë atëkohë nga PTHP për Krim të Organizuar.
Sipas numrit dhe nivelit të institucioneve që janë të përfshira në këtë parahetim, duket se bëhet fjalë për një nga rastet më të mëdha të cilët i ka ngritur në kohën më të re, por edhe se nuk bëhet fjalë këtu vetëm për krim ekonomik, por edhe për krim serioz.
Drin Ahmeti publikoi se “Tor Industries” e ndërmerr kompania “Teksas Amerikan International Holldings”, e cila sipas emisionit “Kod” i TV Telmës, është e biznesmenit Nik Nazar Mehmedi, i cili madje ka themeluar kompani me investim prej tre milionë euro dhe është me seli në adresë të njëjtë në Shkup si “Tor Industries”. Firma në të njëjtën adresë me “Thor”-in në biznes qendrën “Soravia” quhet “Amerikan investments” dhe është e regjistruar për shërbime konsultuese.
Drin Ahmeti, nipi i udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti, djali i vëllait të tij Fekri, vitin 2023 u bë pronar i qendrës së biznesit “Soravia”.
Dyshohet se ai ka fituar tenderë në kurriz të xhaxhait të tij, Ali Ahmeti, mirëpo Drin Ahmeti e ka mohuar lidhjen e liderit të BDI-së me biznesin e tij.
Policia e Maqedonisë së Veriut, nga ana tjetër, në korrik 2024 ngriti kallëzim penal ndaj nipërve të Ali Ahmetit, përkatësisht Drin Ahmetit dhe vëllait të tij, nën dyshimet për përfitime të kundërligjshme gjatë shfrytëzimit të koncesionit në Zajaz.
“Kallëzim penal ndaj 26 vjeçari D.A. dhe 34 vjeçarit B.A. nga Kërçova, për shkak ekzistimit të dyshimeve për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës dhe autoritet zyrtar”, e dënueshme në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal”, sqaroi Policia.
Ata dyshohet se nga viti 2016 kanë përfituar materialisht në kundërshtim me Ligjin për burime minerale dhe Marrëveshjen për koncesion për shfrytëzimin e një lokaliteti në Zajaz. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar ndërmjet subjektit juridik nga Kërçova dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë së Ekonomisë e udhëhequr atëkohë nga Kreshnik Bekteshi.















