Ballina Kronika Humb jetën pas një aksidenti tragjik në SHBA Lulije Dalipi nga Kërçova

Humb jetën pas një aksidenti tragjik në SHBA Lulije Dalipi nga Kërçova

Më 10 qershor, pas një aksidenti tragjik rrugor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndërruar jetë Lulije Dalipi nga Kërçova, shkruan Valbona Adili Emini, ish-shoqja e saj e klasës.

Një lajm i rëndë ka prekur familjen Dalipi, bashkëvendësit nga Kërçova dhe komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka ndërruar jetë Lulije Dalipi nga Kërçova, vajza e Nuredin Dalipit dhe motra e Jetmir (Mili) Dalipit.

Lajmi për ndarjen e saj nga jeta është bërë i ditur nga Albanian-American Islamic Center, ndërsa është shpërndarë edhe nga Diaspora e Kërçovës, me mesazhe ngushëllimi për familjen.

“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi”, thuhet në njoftimin mortor.

Sipas njoftimit, me pikëllim dhe dhimbje të thellë janë njoftuar miqtë, shokët dhe dashamirët se ka ndërruar jetë Lulije Dalipi. Familja Dalipi ka njoftuar se do të hapë të pame për të ndjerën më 14 qershor 2026, nga ora 16:00 deri në 20:00, në Albanian-American Islamic Center.

Varrimi i Lulije Dalipit do të bëhet të hënën, në orën 14:00, në varrezat në Lemont.

Adresa e varrezave është:

Mount Vernon Memorial
11875 Archer Ave, Lemont, Illinois

Në njoftimin e Albanian-American Islamic Center thuhet se Lulija e dashur ka lënë pas një boshllëk të madh në familjen e saj dhe te të gjithë ata që e njohën.

“Lulija jonë e dashur la pas një boshllëk të madh në familjen e saj dhe te të gjithë ata që e njohën. Kujtimi i saj do të mbetet i pashuar përgjithmonë. Zoti e mëshiroftë dhe me xhenet e gradoftë”, thuhet në njoftim.

Lulije Dalipi është kujtuar me fjalë shumë prekëse edhe nga ish-shoqja e saj e klasës, Valbona Adili Emini, e cila ka shkruar se më 10 qershor, pas një aksidenti tragjik rrugor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, humbën shoqen e tyre të klasës.

Në reagimin e saj, ajo e përshkruan Lulijen si më shumë se një shoqe të bankave të shkollës, si një shpirt të lirë, një zë të veçantë dhe një njeri që dinte të linte kujtime që nuk fshihen kurrë.

“Sot, ndërsa dhimbja e largimit të saj është ende e freskët, kujtojmë buzëqeshjen, energjinë dhe sinqeritetin që e shoqëronin kudo. Lulija nuk ishte kurrë e zakonshme. Ajo kishte një energji të rrallë, një shpirt të lirë, pak rebele, pak revolucionare, por gjithmonë e sinqertë dhe e vërtetë”, ka shkruarValbona Adili Emini

Ajo ka theksuar se Lulije Dalipi la pas dy vajza, të cilat i donte pafundësisht. Sipas saj, dashuria, kujdesi dhe kujtimet që Lulija u la vajzave të saj do të mbeten përgjithmonë të gjalla.

Një detaj veçanërisht prekës nga reagimi i ish-shoqes së klasës lidhet me një nga mesazhet e fundit të Lulijes. Ajo kishte shkruar se do të vinte në vendlindje në muajin korrik, se kishte plane, angazhime dhe shpresonte të takohej me njerëz që nuk i kishte parë prej kohësh.

“Askush nuk mund ta mendonte se ato fjalë do të mbeteshin një amanet i heshtur dhe një kujtim që sot na prek zemrën”, shkruan ajo.

Në fund të reagimit, Valbona Adili Emini i ka dhënë lamtumirën shoqes së klasës me fjalë të ndjera:

“Lamtumirë, Lulije. Do të mbetesh përgjithmonë pjesë e klasës sonë, e rinisë sonë dhe e kujtimeve më të bukura që ndajmë bashkë. Zoti të mëshiroftë dhe të dhëntë paqen e amshuar. Zoti ju dhashtë forcë familjarëve që ta përballojnë humbjen tënde!”

Edhe Diaspora e Kërçovës ka shpërndarë njoftimin për ndarjen nga jeta të Lulije Dalipit, duke shprehur ngushëllime për familjen.

“Ndahet nga jeta Kërçovarja në Amerikë Lulije Dalipi. Ngushëllime familjes”, thuhet në njoftimin e shpërndarë.

Ndarja nga jeta e Lulije Dalipit ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, miqtë, ish-shokët e klasës, bashkëvendësit nga Kërçova dhe komuniteti shqiptar në Amerikë. Ajo do të kujtohet për buzëqeshjen, energjinë, sinqeritetin dhe gjurmët që la te njerëzit që e njohën.

Zoti e mëshiroftë dhe me xhenet e gradoftë.

Ngushëllime familjes Dalipi, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën të ndjerën.