Komuna e Tetovës, kompania Saubermacher dhe Universiteti i Evropës Juglindore nënshkruan Memorandum bashkëpunimi, me të cilin vendoset një kornizë afatgjatë për veprim të përbashkët në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve.
Ky bashkëpunim parasheh një qasje të integruar ndërsektoriale, të bazuar në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve, komunitetit akademik, sektorit privat dhe komunitetit lokal.
Përmes këtij memorandumi, partnerët zotohen të punojnë në promovimin e parimeve të ekonomisë qarkore, zhvillimin dhe realizimin e aktiviteteve edukative e shkencoro-hulumtuese, mbështetjen e inovacioneve dhe zgjidhjeve praktike në fushën e mjedisit, si dhe në aktivitete për parandalimin e mbetjeve, selektimin, riciklimin dhe ripërdorimin e burimeve.

Theks i veçantë i kushtohet përfshirjes së të rinjve, komunitetit akademik dhe qytetarëve në proceset e tranzicionit të gjelbër.
Nënshkrimi i memorandumit paraqet vazhdim dhe formalizim të bashkëpunimit tashmë të vendosur ndërmjet tre partnerëve. Si rezultat i këtij bashkëpunimi, me mbështetjen e Saubermacher, përfaqësues të Universitetit të Evropës Juglindore morën pjesë në një program dhjetëditor në Graz të Austrisë, kushtuar shkëmbimit të praktikave të mira në arsim dhe ekologji. Ky program tërhoqi vëmendje edhe në mediat austriake.

Me rastin e nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim, Saubermacher dhuroi gjashtë kontejnerë për selektimin e mbetjeve, të cilët janë vendosur në kampusin e Universitetit të Evropës Juglindore. Kjo krijon kushte për zbatimin praktik të parimeve të selektimit dhe menaxhimit të përgjegjshëm të mbetjeve.
“Komuna e Tetovës është e përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Me këtë memorandum e forcojmë bashkëpunimin me komunitetin akademik dhe sektorin privat, me qëllim të përbashkët avancimin e politikave mjedisore dhe kapaciteteve lokale në fushën e mjedisit. Komuna e Tetovës do të mbështesë iniciativa për menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe projekte në fushën e ekonomisë qarkore, si dhe aktivitete të drejtuara drejt ngritjes së vetëdijes publike përmes ngjarjeve ekologjike, fushatave dhe programeve edukative”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

“Si institucion arsimor dhe shkencor, Universiteti i Evropës Juglindore disponon kapacitete të rëndësishme akademike, hulumtuese dhe profesionale, të cilat mund të kontribuojnë në avancimin e njohurive dhe në zbatimin e tyre praktik në fushën e mjedisit dhe ekonomisë qarkore. Në kuadër të këtij partneriteti, Universiteti mund të ofrojë mbështetje përmes realizimit të aktiviteteve shkencoro-hulumtuese, përgatitjes së studimeve dhe analizave lidhur me menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve, si dhe organizimit të trajnimeve, punëtorive, ligjëratave dhe konferencave shkencore. Vlerë e shtuar e këtij bashkëpunimi është mundësia për përfshirjen aktive të studentëve, stafit akademik dhe studiuesve në iniciativa dhe projekte të përbashkëta që do të burojnë nga ky memorandum”, deklaroi rektori i UEJL-së, prof. dr. Sadudin Ibraimi.
“Në Saubermacher besojmë se ndryshimet e qëndrueshme arrihen përmes partneritetit, shkëmbimit të dijes dhe veprimit të përbashkët. Me këtë Memorandum e thellojmë edhe më tej bashkëpunimin tashmë të vendosur me Komunën e Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore në fushën e menaxhimit të mbetjeve dhe ekonomisë qarkore. Synimi ynë është të vazhdojmë me ndarjen e ekspertizës profesionale dhe praktike, si dhe me shkëmbimin e përvojave të fituara përmes projekteve vendore dhe ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Saubermacher mbetet i hapur për mbështetjen e aktiviteteve edukative dhe në terren, mundësimin e praktikës profesionale për studentët, si dhe përfshirjen në iniciativa, projekte dhe fushata të përbashkëta për avancimin e praktikave të qëndrueshme dhe krijimin e një mjedisi më të pastër”, deklaroi drejtori Arsim Fidani.
Partneriteti ndërmjet Komunës së Tetovës, Saubermacher dhe Universitetit të Evropës Juglindore përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një qasjeje sistematike në avancimin e menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve dhe forcimin e ekonomisë qarkore, përmes veprimit të përbashkët të institucioneve, komunitetit akademik dhe sektorit privat.















