Një aksident i rëndë automobilistik është shënuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:30 në aksin Lushnje-Tiranë.
Një i ri, 37 vjeç, teksa po udhëtonte me biçikletë është përplasur nga një makinë që drejtohej nga një 41 vjeçar, e më pas nga një tjetër mjet që drejtohej nga 39 vjeçari.
Si pasojë e këtij aksidenti, i riu ka humbur jetën në vend, ndërsa policia ka shoqëruar në komisariat dy drejtuesit e mjeteve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 20.06.2026, rreth orës 23:30, në aksin rrugor “Lushnjë–Tiranë”, shtetasi T. V., 37 vjeç, duke udhëtuar me biçikletë, dyshohet se është aksidentuar nga një automjet me drejtues shtetasin B. M., 41 vjeç, dhe më pas dyshohet se është përplasur edhe nga një automjet tjetër me drejtues shtetasin F. M., 39 vjeç.
Si pasojë e aksidentit rrugor, shtetasi T. V. ka humbur jetën në vendngjarje.
Shërbimet e Policisë kanë identifikuar dhe shoqëruar në Komisariat dy drejtuesit e automjeteve, për kryerjen e veprimeve procedurale të nevojshme, të cilët, në përfundim të veprimeve të para hetimore, janë arrestuar në flagrancë si të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen, parashikuar nga neni 290/3 i Kodit Penal.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon kryerjen e veprimeve hetimore për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.















