Ballina Kronika I zhdukur prej 6 ditësh, mister fati i Eglant Koçit, gjenden njolla...

I zhdukur prej 6 ditësh, mister fati i Eglant Koçit, gjenden njolla gjaku në makinën e Armand Shakajt

Vijojnë hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i zhdukur që prej datës 4 qershor. Sipas dyshimeve të policisë, ai mund të jetë rrëmbyer nga 41-vjeçari Armand Shakaj, i cili është shpallur në kërkim.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, kamarier në lokalin e Shakajt. Ai dyshohet se ka ndihmuar në rrëmbimin e 34-vjeçarit.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se policia ka sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur në ngjarje. Gjatë kontrollit të mjetit janë konstatuar disa njolla gjaku, të cilat pritet t’i nënshtrohen ekspertizës.

Më herët është gjetur edhe motori i Eglant Koçit, ndërsa hetuesit dyshojnë se ai është transportuar me makinë drejt një destinacioni ende të paidentifikuar.

Deri në këtë fazë të hetimeve, fati i 34-vjeçarit mbetet i paqartë, ndërsa policia vijon kërkimet për gjetjen e tij dhe lokalizimin e të dyshuarit kryesor, Armand Shakaj.