Ambasadorja e Izraelit në vendin tonë, Galit Peleg ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur në protestën e mbrëmjes së djeshme ku u hoq flamuri në ambasadën izraelite.
Në reagimin e saj në “X”, Peleg shkruan se një akt i kësaj natyre, jo vetëm nuk çon përpara protestën publike, por turpëron popullin shqiptar.
Ndër të tjera ajo ka falenderuar ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha për dënimin e aktit.
“Mbrëmë në Tiranë, protestuesit hoqën flamurin izraelit dhe e grisën atë nën brohoritjet e turmës së mbledhur në vendngjarje. Si ambasador i një shteti demokratik, unë besoj në të drejtën e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i kësaj natyre jo vetëm që nuk arrin të çojë përpara protestën publike, por gjithashtu turpëron popullin shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare. Falënderoj Ferit Hoxhën për dënimin e menjëhershëm dhe të qartë të këtij akti”, thuhet në postimin e ambasadores.















