Ballina Aktualitet Komuna e Tetovës do të ndajë nga 100 euro për çdo nxënës...

Komuna e Tetovës do të ndajë nga 100 euro për çdo nxënës që regjistrohet në klasën e parë

Komuna e Tetovës do të subvencionojë me nga 100 euro çdo nxënës që regjistrohet në klasën e parë në shkollat fillore të komunës.

Vendimi është miratuar në Këshillin komunal, ndërsa vauçerët do t’u ndahen nxënësve që do të regjistrohen deri më 20 qershor. Sipas njoftimit të kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shpërndarja e vauçerëve pritet të bëhet në fillim të muajit korrik.

Kasami tha se qëllimi i kësaj mase është mbështetja e familjeve në përballimin e shpenzimeve për fillimin e vitit shkollor, si dhe nxitja e regjistrimit të fëmijëve në institucionet arsimore të Tetovës.

“Investimi në arsim është investimi më i sigurt për të ardhmen tonë”, theksoi Kasami, duke shtuar se krahas ndërtimit të shkollave të reja, përmirësimit të infrastrukturës ekzistuese dhe modernizimit të kushteve të mësimit, komuna do të ndërmarrë edhe masa sociale për ta bërë shkollimin më të qasshëm për çdo fëmijë dhe çdo familje.

Postimi i plotë i Kasamit:

100 euro për çdo nxënës që regjistrohet në klasën e parë!
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të dashur qytetarë,

Në prag të mandatit të dytë si kryetar i Komunës së Tetovës, dola para qytetarëve me një platformë pune të menduar mirë, të bazuar në nevojat reale të qytetarëve dhe në strategji afatgjate për zhvillimin e Tetovës në të gjitha sferat.
Sot, jam shumë i lumtur të dal para jush me një tjetër pikë të realizuar të kësaj platforme.

Në Këshillin komunal e kaluam vendimin për subvencionim e të gjithë nxënësve që regjistrohen në klasë të parë në shkollat fillore të Tetovës. Filloristët e rinj do të marrin vauçerë në vlerë prej 100 euro. Subvencionimi vlen për nxënësit që do të regjistrohen deri më 20 qershor, ndërsa vauçerët do të shpërndahen në fillim të muajit korrik të këtij viti.

Qëllimi ynë është të ndihmojmë familjet në përballimin e shpenzimeve të fillimit të vitit shkollor, por edhe të inkurajojmë regjistrimin e fëmijëve në institucionet tona arsimore. Komuna qëndron afër prindërve, afër familjeve, afër secilit tetovar pa dallim.

Të nderuar, Investimi në arsim është investimi më i sigurt për të ardhmen tonë. Prandaj, krahas investimeve në ndërtimin e shkollave të reja fillore dhe të mesme, përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese dhe modernizimin e kushteve të mësimit, prej sot po ndërmarrim edhe masa sociale që e bëjnë shkollimin më të qasshëm për çdo fëmijë e çdo familje.
Është detyrë e jona të investojmë në të ardhmen tonë, në suksesin dhe dijen e brezave të rinj.
Ju faleminderit!