Ballina Aktualitet Protesta/ Deputeti socialist: Nëse keni alternativë më të mirë, bujrum tek kutia...

Protesta/ Deputeti socialist: Nëse keni alternativë më të mirë, bujrum tek kutia e votimit!

Deputeti socialist Admir Kadeli ka reaguar ndaj protestave dhe thirrjeve politike që i kanë shoqëruar ato, duke thënë se çdo alternativë për vendin duhet të matet në zgjedhje dhe jo përmes dëmtimit të imazhit të Shqipërisë. Sipas tij, kritika dhe protesta janë të drejta demokratike, por ambicia politike nuk mund të ndërtohet mbi dezinformim, goditje të ekonomisë apo dëmtim të turizmit. Kadeli thekson se gara duhet të bëhet me ide e programe, ndërsa vendi nuk duhet të kthehet në kosto të betejave politike.

Reagimi i plotë i deputetit Kadeli:
Nëse dikush beson se ka një alternativë më të mirë për Shqipërinë, rruga është e hapur, hajde bujrum!

Le të krijojë parti. Le të paraqesë program. Le të bindë qytetarët dhe pastaj të takohemi aty ku vendos populli: TEK KUTIA VOTIMIT!

Kjo është demokracia.

Por ajo që nuk mund të pranohet është që ambicia politike të ndërtohet mbi dëmtimin e Shqipërisë sepse ne e kemi parë një herë këtë film!

Në vitet e tranzicionit, në emër të zemërimit, të revolucionit dhe të ndryshimit, vendi humbi fabrika, uzina, prona publike, vende pune dhe vite të tëra zhvillimi. Çmimin nuk e paguan politikanët. E paguan qytetaret!

Sot nuk kemi të drejtë ta përsërisim atë histori me mjete të tjera teknologjike, sepse sot nuk shkatërrohen më ndërtesat me leva, por shkatërrohet besimi me dezinformim. Dëmtohet ekonomia dhe turizmi me fushata të organizuara. Goditet imazhi i Shqipërisë me narrativa që përhapen në algoritme dhe konsumohen nga bota si e vërteta e vetme.

Askush nuk fiton kur humbet Shqipëria.

Kritika është e domosdoshme. Protesta është e drejtë. Gara politike është themeli i demokracisë, por Shqipëria nuk mund të jetë kostoja e betejës politike të askujt.

Sepse ajo që është ndërtuar me djersën e miliona shqiptarëve nuk mund të vihet në rrezik për të fituar disa mijëra pëlqime, disa minuta vëmendje apo disa vota më shumë.

Le të garojmë me ide.

Le të përballemi me projekte.

Le të na gjykojnë qytetarët.

Por Shqipërinë ta mbajmë jashtë kësaj lufte.