Ballina Aktualitet Rasti Pajaziti–Disha shkon në Apel, palët me qëndrime të kundërta pas vendimit...

Rasti Pajaziti–Disha shkon në Apel, palët me qëndrime të kundërta pas vendimit të shkallës së parë që konstatoi përgjegjësi civile për shpifje

Gjykata Themelore në Tetovë ka pranuar pjesërisht kërkesëpadinë e Binas Pajazitit kundër Liridon Dishës, duke konstatuar përgjegjësi civile për cenim të nderit dhe reputacionit. Pajaziti thotë se gjykata konfirmoi pavërtetësinë e akuzave ndaj tij, por e ka ankimuar dëmshpërblimin prej 2.000 denarësh si shumë simbolike. Nga ana tjetër, Disha thekson se procesi nuk ka përfunduar, pasi çështja ndodhet para Gjykatës së Apelit dhe, sipas tij, nuk mund të shpallet fitore përfundimtare mbi bazën e një aktgjykimi të shkallës së parë, transmeton Tetova News.

Gjykata Themelore në Tetovë ka konstatuar përgjegjësi civile për dëm të shkaktuar ndaj nderit dhe reputacionit të Binas Pajazitit, lidhur me deklaratat publike të bëra më 10 tetor 2024 nga Liridon Disha, në një konferencë për shtyp të mbajtur në oborrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Tetovë.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Tetovë, lënda P5-179/24, kërkesëpadia e Binas Pajazitit është pranuar pjesërisht. Gjykata ka konstatuar përgjegjësi civile për dëmin e shkaktuar ndaj nderit dhe reputacionit të tij, përmes deklaratave publike në të cilat ai ishte akuzuar për parregullsi, malverzime dhe keqpërdorime gjatë ushtrimit të funksionit të drejtorit të SHMKM “Nikolla Shtejn” në Tetovë.

Në aktgjykim thuhet se deklaratat e kontestuara kishin të bënin me pretendime për parregullsi dhe malverzime të natyrave të ndryshme, për tenderë për renovim objekti, furnizim me materiale, furnizim me uniforma, si dhe me pretendimin se shkolla ishte e ngarkuar me borxh prej 500.000 eurosh dhe se drejtori aktual kishte keqpërdorur mjetet e shkollës.

Gjykata ka vendosur që i padituri Liridon Disha t’i paguajë Binas Pajazitit shumën prej 2.000 denarësh në emër të dëmit jomaterial për cenim të të drejtave personale, nderit dhe reputacionit, me kamatë ligjore deri në pagesën përfundimtare.

Po ashtu, gjykata ka detyruar të paditurin që t’i kompensojë Pajazitit edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore në vlerë prej 28.380 denarësh, në afat prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit.

Nga ana tjetër, kërkesa më e lartë për dëmshpërblim, nga shuma e gjykuar prej 2.000 denarësh deri në shumën e kërkuar prej 180.000 denarësh, është refuzuar si e pabazuar. Gjithashtu, gjykata ka refuzuar edhe pjesën tjetër të kërkesës për kompensimin e shpenzimeve të procedurës mbi shumën e miratuar.

Pas vendimit, Binas Pajaziti ka reaguar publikisht, duke theksuar se gjykata ka konfirmuar pavërtetësinë e akuzave të bëra ndaj tij.

“Të nderuar miq, shok e familjar, po e ndaj me ju vendimin e Gjykatës Themelore në Tetovë në lidhje me procesin gjyqësor që e kam iniciuar ndaj Liridon Dishës për shpifje dhe akuza të pabaza. Gjykata konfirmoi se akuzat ishin të pavërteta – por a mund të kompensohet me të vërtetë një reputacion i dëmtuar?”, shkruan Pajaziti.

Ai thotë se gjatë procedurës gjyqësore është vërtetuar se për akuzat e bëra ndaj tij nuk ka ekzistuar asnjë provë dhe asnjë dokument relevant që do të mund të konfirmonte vërtetësinë e tyre.

“Me fjalë të tjera, gjykata konfirmoi se këto akuza kanë qenë të pavërteta”, thekson ai.

Pajaziti shton se akuzat nuk janë bërë në rrethana private, por publikisht, në konferencë për shtyp, para mediave dhe opinionit publik, duke cenuar, sipas tij, nderin, dinjitetin dhe integritetin e tij personal e profesional.

Ai njoftoi se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, pasi konsideron se dëmshpërblimi i caktuar nga gjykata është simbolik dhe nuk përfaqëson kompensim të drejtë për dëmin moral dhe reputacional që i është shkaktuar.

“Kur një person akuzohet publikisht pa asnjë provë dhe gjykata konstaton se këto pretendime janë të pavërteta, drejtësia nuk mund të reduktohet në një shumë simbolike”, shkruan Pajaziti.

Sipas tij, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me emrin e tij, por edhe me parimin se askush nuk duhet të akuzohet publikisht pa prova dhe pa mbajtur përgjegjësi për pasojat e fjalëve të veta.

“Liria e shprehjes është një vlerë demokratike, por ajo nuk përfshin të drejtën për të shpifur dhe për të dëmtuar reputacionin e tjetrit me pretendime të pavërteta”, thekson Pajaziti.

Në reagimin e tij, Pajaziti ka bashkëngjitur edhe linkun e videos së preskonferencës së datës 10 tetor 2024, e cila lidhet me rastin për të cilin më pas është zhvilluar procedura gjyqësore.

Video nga preskonferenca e 10.10.2024:
https://www.facebook.com/share/v/1B19rtBoEv/

Pas reagimit të Pajazitit, ka reaguar edhe Liridon Disha. Ai thotë se nuk ka ndërmend të festojë dhe as të shpallë fitore apo humbje para përfundimit të procesit gjyqësor.

“Nuk kam ndërmend të festoj dhe as të shpall fitore apo humbje para se të përfundojë procesi gjyqësor për të cilin më ka paditur ish-drejtori i Shkollës së Mesme Medicinale. Respektoj institucionet dhe pres me qetësi vendimin e Gjykatës së Apelit”, shkruan Disha.

Ai shton se i bën përshtypje, siç shprehet, “nxitimi” për të shpallur fitore përfundimtare, ndërkohë që procedura gjyqësore ende nuk ka marrë fund.

“Çdo jurist e di se një aktgjykim i shkallës së parë nuk përbën epilog përfundimtar të një çështjeje”, thekson Disha.

Në reagimin e tij, Disha thotë se nuk është paditur për korrupsion apo për përfitim personal, por për deklarata të bëra në cilësinë e koordinatorit të grupit të këshilltarëve komunalë, mbi çështje që, sipas tij, lidhen me interesin publik dhe me menaxhimin e një institucioni publik.

“Pikërisht për këto arsye, çështja ndodhet sot para Gjykatës së Apelit”, shkruan ai.

Disha thotë se, në vend të “triumfalizmit të parakohshëm”, duhet të pritet fjala e fundit e drejtësisë. Ai shton se do të vazhdojë të mbrojë të drejtën për të ngritur pyetje dhe për të kërkuar përgjegjësi nga funksionarët publikë.

Sipas Dishës, kjo është detyrë e çdo përfaqësuesi të zgjedhur dhe jo arsye për t’u frikësuar apo për t’u heshtur. Ai i cilëson paditë e tilla si “tentativë për ta heshtur zërin kritik dhe opozitar”.

“Festimet para kohe nuk e ndryshojnë të vërtetën dhe nuk e zëvendësojnë vendimin përfundimtar. Fjalën e fundit do ta thotë drejtësia, jo rrjetet sociale”, shkruan Disha.

Në fund, ai thekson se do të vazhdojë të jetë në krah të qytetarëve, duke shtuar se e kaluara dhe e tashmja e tij, sipas tij, kanë dëshmuar se nuk i shmanget sfidave personale apo publike.

“Kush qesh i fundit, qesh më ëmbël”, përfundon Disha në reagimin e tij.

Rasti tashmë pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Apelit, pasi vendimi i Gjykatës Themelore në Tetovë është vendim i shkallës së parë dhe nuk paraqet epilog përfundimtar të procedurës.

Shënim redaksional: Vendimi i Gjykatës Themelore në Tetovë është aktgjykim i shkallës së parë. Pala paditëse ka njoftuar se ka ushtruar ankesë lidhur me lartësinë e dëmshpërblimit, ndërsa pala e paditur thekson se pret vendimin e Gjykatës së Apelit.

BINAS PAJAZITI

POSTIMI I PLOTË i BINAS PAJAZITIT: 

Të nderuar miq, shok e familjar po e ndaj me ju vendimin e Gjykatës themelore-Tetovë në lidhje me procesin gjyqësor që e kam inicuar ndaj Liridon Disha për shpifje dhe akuza të pabaza.
Gjykata konfirmoi se akuzat ishin të pavërteta – por a mund të kompensohet me të vërtetë një reputacion i dëmtuar?
Gjykata Themelore -Tetovë ka konstatuar se ndaj meje, Binas Pajaziti, janë bërë publikisht deklarata të pavërteta nga Liridon Disha në konferencën për shtyp të mbajtur më 10.10.2024, me ç’rast jam akuzuar për keqpërdorim të mjeteve financiare, malverzime dhe veprimtari të paligjshme gjatë ushtrimit të funksionit drejtor i SHMKM “Nikolla Shtejn”-Tetovë. Gjatë procedurës gjyqësore u vërtetua se për këto akuza nuk ka ekzistuar asnjë provë dhe asnjë dokument relevant që do të mund të konfirmonte vërtetësinë e tyre.
Me fjalë të tjera, gjykata konfirmoi se këto akuza kanë qenë të pavërteta.
Akuzat nuk janë bërë në heshtje apo në rrethana private. Ato janë bërë publikisht, në konferencë për shtyp, para mediave dhe para gjithë opinionit, duke cenuar rëndë nderin, dinjitetin dhe integritetin tim personal e profesional. Për vite me radhë kam punuar me përkushtim në arsim dhe në jetën publike, duke ndërtuar me mund, ndershmëri dhe përgjegjësi reputacionin tim. Prandaj, kur dikush të akuzon pa asnjë provë për keqpërdorim të mjeteve publike, korrupsion apo malverzime, nuk ka sulmuar vetëm emrin tim, por edhe besimin që qytetarët kanë ndërtuar ndaj meje, por edhe ndaj institucionit që kam drejtuar, duke cenuar kredibilitetin dhe integritetin e tij para opinionit. Dëmi që shkaktojnë akuza të tilla të pavërteta nuk matet vetëm me fjalë, por me pasojat që ato lënë mbi familjen, profesionin dhe figurën publike të një njeriu.
Për këtë arsye kam ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, sepse konsideroj se dëmshpërblimi simbolik nuk përfaqëson një kompensim të drejtë për dëmin moral të konstatuar nga gjykata. Kur një person akuzohet publikisht pa asnjë provë dhe gjykata konstaton se këto pretendime janë të pavërteta, drejtësia nuk mund të reduktohet në një shumë simbolike.
Kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me mua. Ajo ka të bëjë me parimin se askush nuk duhet të akuzohet publikisht pa prova dhe pa mbajtur përgjegjësi për pasojat e fjalëve të veta. Liria e shprehjes është një vlerë demokratike, por ajo nuk përfshin të drejtën për të shpifur dhe për të dëmtuar reputacionin e tjetrit me pretendime të pavërteta.
Besoj se institucionet gjyqësore do të sigurojnë mbrojtje të plotë të dinjitetit, nderit dhe reputacionit të çdo qytetari dhe se e vërteta e konstatuar në procedurë do të marrë edhe vlerësimin e duhur juridik.
Faleminderit të gjithë qytetarëve, kolegëve, miqve dhe familjarëve që gjatë gjithë kësaj periudhe më kanë mbështetur dhe kanë besuar në të vërtetën.
Për shpifësit nuk kam fjalë, sepse askush nuk ngrihet duke ulur të tjerët.
Më posht e keni linkun e preskonferencës për demant me datë 10.10.2024
https://www.facebook.com/share/v/1B19rtBoEv/
Tetovë, 24.06.2026

POSTIMI I PLOTë I LIRIDON DISHËS:

LIRIDON DISHA

Të nderuar qytetarë,
Nuk kam ndërmend të festoj dhe as të shpall fitore apo humbje para se të përfundojë procesi gjyqësor për të cilin më ka paditur ish-Drejtori i Shkollës së Mesme Medicinale. Respektoj institucionet dhe pres me qetësi vendimin e Gjykatës së Apelit.
Megjithatë, më bën përshtypje nxitimi i tij për të shpallur fitore përfundimtare dhe për të më etiketuar mua si humbës, kur procedura gjyqësore ende nuk ka marrë fund. Çdo jurist e di se një aktgjykim i shkallës së parë nuk përbën epilog përfundimtar të një çështjeje.
Unë nuk jam paditur për korrupsion, as për përfitim personal, por për deklarata të bëra në cilësinë e koordinatorit të grupit të këshilltarëve komunalë, mbi çështje që lidhen me interesin publik dhe me menaxhimin e një institucioni publik. Pikërisht për këto arsye, çështja ndodhet sot para Gjykatës së Apelit.
Prandaj, në vend të triumfalizmit të parakohshëm, do të ishte më e mençur të pritet fjala e fundit e drejtësisë. Unë do të vazhdoj të mbroj të drejtën për të ngritur pyetje dhe për të kërkuar përgjegjësi nga funksionarët publikë, sepse kjo është detyrë e çdo përfaqësuesi të zgjedhur dhe jo arsye për t’u frikësuar apo për t’u heshtur. Andaj, konsideroj se paditë e tilla janë vetëm tentativë e dëshpëruar për ta heshtur zërin kritik dhe opozitar në vend.
Festimet para kohe nuk e ndryshojnë të vërtetën dhe nuk e zëvendësojnë vendimin përfundimtar. Fjalën e fundit do ta thotë drejtësia, jo rrjetet sociale.
E kaluara dhe e tashmja ime e ka dëshmuar se unë frikacak nuk jam, por sfidave personale e sidomos atyre kombëtare u kam ndejtë karshi në çdo moment pa asnjë hezitim.
Unë do të vazhdoj të jem në krah të qytetarëve të mi të cilët në në çdo moment e kanë vlerësuar luftën time politike për mirëqenien e tyre.
I juaji,
Dr. Liridon A. Disha
P.S.
Kush qesh i fundit, qesh më ëmbël! 🙂

Nga aktgjykimi që shihet një detaj shumë i rëndësishëm: Gjykata Themelore në Tetovë e ka pranuar pjesërisht kërkesëpadinë, ka konstatuar përgjegjësi civile për shpifje, por ka caktuar vetëm 2.000 denarë dëmshpërblim dhe 28.380 denarë shpenzime procedure, ndërsa pjesën tjetër deri në 180.000 denarë e ka refuzuar.

Aktgjykimi i plotë në shqip: 

15.06.2026

P5-179/24

NË EMËR TË QYTETARËVE TË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË SË VERIUT

GJYKATA THEMELORE NË TETOVË – si gjykatë civile e shkallës së parë, me gjyqtaren Jamina Lazareska, duke vepruar sipas padisë së paditësit Binas Pajaziti nga f. Siniçanë, përmes të autorizuarit, avokat Bujar Sabriu nga Tetova, kundër të paditurit Liridon Disha nga Tetova, përmes të autorizuarës, avokate Ljubica Bilbilovska nga Tetova, me bazë vërtetimin e përgjegjësisë civile për shpifje dhe fyerje, për kompensim dëmi në vlerë prej 180.000,00 denarësh, pas shqyrtimit të mbajtur dhe shpalljes më datë 22.05.2026, solli këtë:

AKTGJYKIM

Kërkesëpadia e paditësit Binas Pajaziti nga f. Siniçanë, PRANOHET PJESËRISHT.

VËRTETOHET përgjegjësia civile për dëmin e shkaktuar ndaj nderit dhe reputacionit të paditësit, me shpifjen e paraqitur më datë 10.10.2024, në konferencën për shtyp të mbajtur në oborrin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, nga ana e të paditurit, me deklaratën:

“Drejtori i shkollës të shkarkohet, të japë dorëheqje për shkak të parregullsive dhe malverzimeve të kryera të natyrave të ndryshme, nga tenderët për renovimin e objektit, furnizimi me materiale, furnizimi me uniforma; Shkolla e Mesme e Mjekësisë është e ngarkuar me borxh prej 500.000 eurosh; drejtori aktual i ka keqpërdorur mjetet e Shkollës së Mesme të Mjekësisë”.

DETYROHET i padituri Liridon Disha nga Tetova që t’i paguajë paditësit një shumë parash në emër të dëmit jomaterial, për shkak të cenimit të të drejtave personale, cenimit të nderit dhe reputacionit, në shumë prej 2.000,00 denarësh, me kamatë ndëshkuese ligjore në lartësinë e normës referente të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila për çdo gjashtëmujor ka qenë e vlefshme në ditën e fundit të gjashtëmujorit që i ka paraprirë gjashtëmujorit aktual, e rritur për 8 pikë përqindjeje, duke u llogaritur nga dita e aktgjykimit, më 22.05.2026, deri në pagesën përfundimtare.

Kërkesa më e lartë paditëse e paditësit për kompensim të dëmit jomaterial, nga shuma e gjykuar prej 2.000,00 denarësh deri në shumën e kërkuar prej 180.000,00 denarësh, REFUZOHET SI E PABAZUAR.

DETYROHET i padituri që t’ia kompensojë paditësit shpenzimet e krijuara të procedurës në shumë prej 28.380,00 denarësh, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga pranimi i aktgjykimit.

Kërkesa më e lartë për kompensimin e shpenzimeve të procedurës kontestimore, mbi shumën e gjykuar prej 28.380,00 denarësh deri në shumën e kërkuar prej 74.600,00 denarësh, REFUZOHET SI E PABAZUAR.