Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti ka reaguar në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, i cili po përballet me protesta masive ku kërkohet dorëheqja e tij.
Përmes një postimi në “Facebook”, Alizoti rendit dy arsye që sipas tij Rama është degjeneruar nga protesta.
Sipas demokratit, srsyeja pse Rama iu drejtua edhe në anglisht, në median më të madhe ekonomike të botës, popullit të vet me “Fuck you”, është matematikore.
Sakaq, deputeti i PD-së tha se arsyeja e dytë që lidhet me reagimet e Ramës është ajo juridike, pasi sipas tij, protestuesit po i bëjnë presione institucioneve të drejtësisë.
REAGIMI I ALIZOTIT
Dy arsyet pse Rama u degjenerua përballë protestës
Arsyeja pse Rama iu drejtua edhe në anglisht, në median më të madhe ekonomike të botës, popullit të vet me “Fuck you”, është matematikore. Rama nuk është një lider që përballet me rregulla të barabarta me kundërshtarët. Si i tillë, ai nuk e shikon popullin e protestës si një elektorat pa të cilin ai nuk mund të mbijetojë.
Matematika e tij zgjedhore nuk ka fare lidhje me elektoratin e protestës. Ajo është më e thjeshtë dhe bazohet në tre komponentë kryesorë: 200 mijë punonjës që paguhen nga taksat tona, në bashkëpunim të fortë me 100 mijë patronazhistë, sigurojnë fitoren e tij. Që kjo fitore të tejkalojë çdo lloj force tjetër përballë, garancia merret nga miliardat e trafikantëve dhe karteleve që sponsorizojnë dhe blejnë tepricën e votave. Apo shantazhojnë dhe persekutojnë ata që dalin përballë.
Ndaj, populli si protestues nuk është pjesë e llogarisë në aritmetikën e tij elektorale. Ky lloj realiteti elektoral, që e mban në pushtet, i lejon atij të bëjë gjithçka, të thotë gjithçka e të sillet si një rrugaç.
Arsyeja e dytë pse e përdori, është juridike. Nuk ka të bëjë sërish me popullin e protestës, por me presionin që kjo protestë po bën ndaj organeve të drejtësisë. Këto të fundit kanë pasur një pakt, që po vihet në rrezik sot. Pakti që Rama është garantuesi politik i tyre, po vihet në rrezik.
Shumë dosje po vijnë nga vendet e BE-së, të cilat e rrethojnë përditë e më shumë zyrën e tij. E ndërsa presionit të dosjeve i bënte ballë propaganda dhe lobimet, shtimi i presionit të protestës e bën paktin të lëkundshëm. E shfaq atë në mediat botërore.
Çfarë ndodh nëse prokurorët e SPAK përballen me këtë presion? Nëse pyetjet në SPAK vijnë jo më nga mediat e konvencioneve, por nga gazetarët e CNN, BBC, FAZ, Reuters etj., etj.?
Çfarë ndodh kur presioni publik dhe pyetjet e mediave ndërkombëtare i shtohen dosjeve dhe përgjimeve të vendeve të BE-së? Ky është paniku më i madh se sa ai elektoral. Këtij presioni nuk i bën dot ballë as me vjedhjen e votave, apo me 83 apo 93 mandatet. Ndaj, “Fuck you”, ishte më shumë për qytetarët jo si votues, por si protestues që kthyen vëmendjen e mediave të huaja dhe Parlamentit Evropian drejt realitetit shqiptar.
Ky presion mund t’ia bëjë drejtësisë së re të mundur hetimin e kreut të qeverisë më të lidhur me krimin në kontinent.
Dhe kjo besoj është arsyeja më e madhe pse sot, nesër e përditë, të gjithë duhet të jemi në protestë. Sepse kjo është e vetmja mënyrë që pakti i tij të prishet, që ai ta ketë të pamundur të përdorë pushtetin e tij mbi mandate të grabitura dhe të shantazhuara.















