Një rojtar plazhi vetëm 16 vjeç është kthyer në hero në Shtetet e Bashkuara, pasi rrezikoi jetën për të shpëtuar një fëmijë që po tërhiqej nga dallgët e fuqishme në një plazh të Kalifornisë.
Ngjarja dramatike ndodhi pasditen e së shtunës, më 25 korrik, në Seabright State Beach të Santa Cruzit. Sipas autoriteteve, një djalë 10-vjeçar humbi ekuilibrin pasi u godit nga një dallgë dhe u tërhoq rreth 14 metra drejt detit.
Rojtari i plazhit Ryder Williams, 16 vjeç, e pa fëmijën në vështirësi dhe u fut menjëherë në ujë. Pamjet e regjistruara nga fotografi Scott Vander Dussen tregojnë të riun duke luftuar me dallgët e mëdha, ndërsa e mban fort fëmijën dhe përpiqet t’ia mbajë kokën mbi ujë.
Dallgët i mbuluan disa herë të dy, ndërsa disa qytetarë që tentuan të ndihmonin u detyruan të tërhiqeshin për shkak të forcës së detit. Williams nuk e lëshoi fëmijën deri në momentin kur një rojtar tjetër plazhi mbërriti dhe i ndihmoi të dilnin në breg.
Djali u kontrollua nga personeli mjekësor dhe, pasi u konstatua se nuk kishte pësuar lëndime serioze, iu dorëzua prindërve.
Babai i 16-vjeçarit, Shane Williams, tregoi se djali i tij i kishte thënë se nuk mund ta lëshonte fëmijën, pasi e dinte se në atë rast ai mund të mos mbijetonte.
“Thjesht nuk doja ta lejoja të ndodhte”, i kishte thënë Ryderi të atit pas shpëtimit.
Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale dhe tërhoqi edhe vëmendjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Trump njoftoi se synon ta ftojë Ryder Williamsin dhe familjen e tij në Shtëpinë e Bardhë, së bashku, ndoshta, edhe me djalin që ai shpëtoi.
“Do ta sjellim këtë të ri heroik dhe familjen e tij në Shtëpinë e Bardhë, ndoshta edhe djalin që shpëtoi, për t’i dhënë një nderim të lartë civil. Shumë trim, e meriton”, deklaroi Trump.
Presidenti nuk ka specifikuar ende se cilën dekoratë civile do t’i ndajë 16-vjeçarit dhe nuk është bërë publike data e vizitës së mundshme në Shtëpinë e Bardhë.
Ryder Williams është në sezonin e tij të parë si rojtar plazhi pranë California State Parks. Sipas familjes së tij, ai ka kaluar vite duke u stërvitur në not, vaterpolo dhe programet për roje të reja plazhi.
Shpëtimi i filmuar ishte ndër 34 ndërhyrjet që rojat e plazheve të distriktit të Santa Cruzit kryen gjatë fundjavës. Bregdeti i Kalifornisë ishte goditur nga dallgë të rrezikshme, të lidhura me sistemet tropikale Fausto dhe Genevieve në Oqeanin Paqësor.
Autoritetet paralajmëruan qytetarët të mos futen vetë në det për të kryer shpëtime në kushte të tilla, pasi mund të rrezikojnë edhe jetën e tyre dhe ta vështirësojnë ndërhyrjen e rojave profesioniste.















