Ballina Aktualitet Rasti i Gostivarit: Infeksionet nga uji po bien, deri në fund të...

Rasti i Gostivarit: Infeksionet nga uji po bien, deri në fund të javës pritet që uji të lejohet edhe për pije

Gjendja me epideminë në Gostivar po qetësohet. Në spital dhe në ambulancë janë paraqitur 71 raste të reja, prej të cilave, sipas autoriteteve shëndetësore, tashmë vetëm një pjesë e vogël lidhet me ujësjellësin e qytetit.

“Vlerësojmë se gjendja me epideminë po qetësohet. Fundi formal i saj do të arrihet kur të mos ketë më raste të lidhura me ujësjellësin e qytetit, sipas anketave epidemiologjike të kryera. Ky përmirësim është rezultat i pastrimit të ujit dhe përshtatjes së tij për përdorim teknik. Deri në fund të javës pritet që uji të përdoret edhe për pije. Kur të gjitha mostrat e marra nga çezmat të rezultojnë negative, atëherë do të lejohet përdorimi i ujit për pije dhe gatim”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.

Opozita kërkoi edhe një herë publikimin e analizave të ujit të testuar, për të cilin Shtabi i Krizës thotë se është i përshtatshëm për përdorim teknik.

“Pyetja mbetet e njëjtë: Kush do të nënshkruajë se uji është i pijshëm? Kush e ka vendosur nënshkrimin dhe vulën në raportin për përshtatshmërinë teknike? Kush do të mbajë përgjegjësi penale nëse e helmoni përsëri të gjithë qytetin? E helmuat gjithë Maqedoninë. Shtatë qytete”, deklaruan nga LSDM-ja, duke kërkuar sërish përgjegjësi nga pushteti.

Aktualisht, uji në Gostivar vazhdon të përdoret vetëm për nevoja teknike dhe ende nuk ka udhëzim se është i sigurt për pije dhe gatim.

Publicitet

Kryeministri Hristijan Mickoski, pas një bisede me ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi se pas hiperklorimit është konstatuar se bakteret fekale janë eliminuar plotësisht nga rrjeti. Megjithatë, për shkak të mospërdorimit të zgjatur dhe pastrimit të fuqishëm të instalimeve, në tubacione është shfaqur një bakter i ri rezidual, përkatësisht ndotje bakteriale e mbetur.

Ai tha se ekipet po punojnë në mënyrë aktive në terren dhe se pritet që problemi të tejkalohet sa më shpejt.

“Pas hiperklorimit, bakteret janë shfaqur në vetë instalimet. Pres që edhe ky problem të tejkalohet dhe, pasi të zgjidhet, pres që uji të miratohet për pije dhe përdorim”, deklaroi Mickoski.

Lidhur me akuzat e LSDM-së opozitare se pushteti kishte reaguar me vonesë në Gostivar dhe me kërkesat e saj për përgjegjësi, Mickoski tha se kritika të tilla vijnë nga një person gjatë mandatit të të cilit njerëzit u dogjën të gjallë në spitalin modular të Tetovës dhe i cili, sipas tij, mban rekord për numrin e viktimave nga COVID-19, sepse në vend që të siguronte vaksina në kohë, ishte përqendruar në marrëdhënie me publikun dhe fushata.

Ai shtoi se në vitin 2021, kur udhëheqësi i tanishëm i LSDM-së, Venko Filipçe, ishte ministër i Shëndetësisë, kishte mbi 400 denoncime zyrtare për ujë jocilësor në qytet.

“I njëjti person që sot flet në emër të LSDM-së ka qenë drejtor i Institutit të Shëndetit Publik. Kemi mbi 400 denoncime për ujë jocilësor në Gostivar. Nuk është ndërmarrë asgjë, zero. I bëj thirrje Prokurorisë t’i verifikojë këto pretendime për të cilat po flas dhe të hapë procedurë për të përcaktuar se përse këta persona, kur e kishin mundësinë, nuk ndërmorën asgjë dhe nuk e mbrojtën shëndetin e banorëve të Gostivarit, por as të qytetarëve në komunat e tjera. Prokuroria duhet të veprojë mbi këtë informacion dhe pres që sot të hyjë në Institutin e Shëndetit Publik dhe në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë për t’i verifikuar këto pretendime”, deklaroi kryeministri.

Uji nga çezmat e qytetit në Gostivar është i ndotur prej rreth një muaji.

Hetimi që po zhvillon Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit përfshin ish-ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së NP “Komunalec”, Artana Asani, drejtuesin teknik të Sektorit për Punë Teknike, Leon Nuredini, dhe drejtuesin e Departamentit për Ujësjellës, Kanalizim dhe Punë Ndërtimore, Vadedin Dervishi.

Ata dyshohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit dhe natyrës”, të kryer përmes ndotjes së ujit të pijshëm.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë, më 25 qershor ata urdhëruan vendosjen e tri pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor, me qëllim testimin e presionit të ujit.

Gjatë këqyrjes së kryer më 16 korrik është konstatuar se dy prej pompave vazhdonin të punonin dhe transferonin ujë të ndotur në sistemin e furnizimit me ujë.

Analizat laboratorike të mostrave, të kryera pas ndërmarrjes së veprimeve parahetimore, treguan prani të përqendrimeve të larta të baktereve koliforme dhe sasi të shtuar të klorit, për shkak të së cilës përdorimi i ujit u ndalua.